Shilarësi nga Hristos Armando Gjezo

Hristos Armando Gjezo ka lindur në Himarë në vitin 1988 dhe është rritur në Greqi. Studioi në Athinë, në Fakultetin e Inxhinierisë Topografike të Politeknikumit Mecovio.
Libri i tij i parë përmbledhje me poezi “Frika të paplotësuara”, u nderua nga Ministria Greke e Kulturës me Çmimin Kombëtar si Autor Debutues në vitin 2013. Libri i tij i dytë romani “Balta” u propozua për çmimin e romaneve Athens Prize of Literature 2014. Në vitin 2014 mori pjesë në Festivalin e 2-të të shkrimtarëve të rinj në Panairin Ndërkombëtar të Selanikut dhe më vonë në të njëjtin vit së bashku me 18 shkrimtarë të tjerë, përfaqësuan Greqinë në Panairin e 67-të Ndërkombëtar të Frankfurtit. Në vitin 2016 përfaqëson Greqinë në Panairin e 6-të Ndërkombëtar të Librit në Kiev, si një autor i ftuar nën kujdesin e Fondacionit të Kulturës Greke. Në tetor të të njëjtit vit botohet libri i tij i tretë “Shilarësi”, një përmbledhje tregimesh të vogla nga i cili tregimi “Zemra për t΄u ngrënë” është xhiruar si film i shkurtër. Në janar të vitit 2016, është transmetuar në kanalin shtetëror televiziv grek një dokumentar rreth autorit, në një seri dokumentarësh që prezantojnë të rinjtë nga fusha e sportit, e artit dhe e shkencës.

Pak fjalë për librin Shilarësi i cili së shpejti vjen për lexuesit shqiptarë…..
Në librin me tregime të shkurtra “Shilarësi” Αutori përcjell te lexuesi figura njerëzore të cilat torturohen njësoj si nga vetmia ashtu dhe nga shoqëria. Njerëz të cilët janë në ankth dhe të dyzuar përpara jetës kur ajo gërshetohet në qorrsokakët e marrëdhënieve seksuale dhe të familjes, në pamjaftueshmërinë e individit dhe të shoqërisë, në kurthet e kujtesës dhe të vdekjes së pashmangshme. Njerëz që përjetojnë ekzistencën herë me dëshpërim dhe herë me shpërfillje, herë me trishtim të rrënjosur dhe ndonjëherë me humor.
(Nga prezantimi në kopertinën e pasme të librit.)

Shilarësi
(Tregimi është shkëputur nga libri me të njëjtin titull)

Sot do të shkojë në fakultet nga rruga e poshtme, me hap të rëndë pa oreks
për leksione ashtu si një natë më parë rrotullohej në krevatin e tij i djersitur deri në orët e para të mëngjesit me kokën e tij të tejmbushur nga ankthet dhe imazhet e kujtimet dhe nga projeksionet e së ardhmes, merr nga një furrë buke të parën gjë që gjen përpara, aq sa për të gënjyer urinë e tij dhe kjo diçka që u qullos nga pështyma dhe u përpunua dhe u tret brenda tij e mban gjallë deri në mesditë që do të gjejë shokët tek lokali, ai rri atje nja gjysmë ore sa për të bërë të njohur praninë e tij e të thotë ndonjë budallallëk për krizën dhe politikën, pa guxuar të zbulojë asgjë me rëndësi në figurat e rastësishme që lenë shenjat e tyre në jastëkët e kolltukëve , ato ia rrëfen në darkë asaj, vetëm asaj, luan Bergman në kinema verore dhe është disi i papranueshëm Bergmani poshtë yjeve të qiellit të pastër, i thotë vetëm se atë pasdite kaloi nga mjeku dhe e filloi përsëri terapinë, sepse nuk është mirë, si të jetë mirë me kaq thonjë të pistë të mbërthyer në fytin e tij, por ashtu siç i mban dorën dhe ajo varet në supin e tij bota i duket më e sinqertë, e parashikueshme dhe miqësore, kështu që nuk befasohet që tre vjet më vonë gjen punë menjëherë pas diplomës, e megjithatë sa e vështirë është të mbetesh i mbyllur në zyrë nga mëngjesi deri në darkë me një pagesë qesharake dhe në një mjedis me ritme kaq kërkuese, i duket krejtësisht i huaj dhe grabitqar për pak do ta pushonin nja dy herë për mosbindje dhe sjellje të keqe, por ai donte një vend të tijin, vetëm për disa momente, të qante- dhe tani është gati të rrëzohet, pasi nëna vdiq papritur, krejt papritur dhe
përfundimisht, truri i tij ishte prerë në dy pjesë si një qepë e madhe e thatë, i vetëm për herë të parë në shtëpi, pas kaq shumë vitesh dhe si do t’ia dalë mbanë, por ngre kokën dhe përpiqet të ecë përpara, çfarë tjetër mund të bëjë, dhe pak pas të tridhjetave më në fund ka zyrën e vet, sigurisht pa lënë pas dore jetën personale, ajo iku jashtë shtetit për të gjetur punë dhe u shkëputën dalëngadalë, kështu ndodh, i mori më shumë se një vit të fillojë të shikojë të tjera dhe tani që ilaçet nuk i merr më dhe mund të shikohet në pasqyrë me sy të pastër dhe të gëzohet që u shkëput nga moçali, sigurisht disa nga objektivat ngelën të parealizuara, nuk bëri aq udhëtime sa donte dhe shtëpia nuk ka të gjitha dhomat që ëndërronte në fëmijëri-bibliotekë, sallë kinemaje dhe
kënd lojrash e të tjera e të tjera-as një kopsht të madh, do të mund të jetonte në një zonë më të mirë dhe ndoshta diçka tjetër do të donte të kishte studiuar, ka gjëra që nuk arriti t’ua thoshte njerëzve që donte, janë shumë netët e vetmuara dhe madje më të vështira mëngjeset që duhet të mbahesh në këmbë, pas një mungese të tillë, mbi të gjitha nuk bëri edhe ndonjë gjë të veçantë në jetën e tij, por jeta e tij është si një shilarës dhe e rëndësishme është në cilën anë do të ulen më shumë fëmijë, dhe tani në krevatin e spitalit nuk i intereson që flokët e thinjur do të ndalojnë të pinë gjak nga koka e tij, jo, le ta themi troç, nuk e intereson që po vdes, pasi nëse e imagjinon veten përsëri një fëmijë të vogël dhe t’i vër një shpatë plastike në dorë mund të thotë se e ka fituar luftën, sot do të shkojë në fakultet nga rruga e sipërme, duke ecur mendon përsëri se duhet të kalojë nga mjeku, sepse nata e shkuar ishte një natë si ato të kaluarat, një rikthim i papritur me krye që shpërthejnë dhe faqe që djegin, rrëmben çfarë të jetë nga furra – aq sa për të gënjyer urinë dhe pas fakultetit kalon nga lokali t’u thotë një Tungjatjeta ! shokëve, por nuk ndenji shumë, pasi muret rreth tij filluan të ngushtohen dhe njerëzit të godasin çekanë mbi dysheme dhe të ulërijnë dhe të kafshojnë njëri tjetrin, mjeku pak më vonë i thotë se duhet të rifillojnë ilaçet, sepse është krijimi i tij një fije transparente dhe e papërfillshme dhe e tendosur që tërhiqet për kundërbalancim nga të dy anët e saj këtu e shumë kohë dhe janë ditët një thikë e lëmuar, e mprehtë që varet mbi kokën e tij, vetëm me një lëvizje cak dhe ra rëndë, dhe nevrikoset, çfarë mund të bëjë tjetër, nevrikoset edhe një herë tjetër, tani me supin e tij që bezdiset nga flokët e saj të lëshuar përpiqet të mos ta mendojë dhe të shijojë Lojërat Verore bardhë e zi që shpalosen ngadalë përpara syve të tyre, duke shpresuar se titulli do të mishërohet dikur edhe në jetën e tij, dhe në jetën e tyre,
dhe tani pas pesë vjetësh gjendet një punë pas kaq muajsh kërkim, por gjërat nuk janë si i kishte imagjinuar, shumë orë punë dhe pagesa e pakët, por akoma më i paktë respekti, nuk mund të bëjë asgjë nga të gjitha ato që do dhe nëna e tij vdiq para se të mbyllte të gjashtëdhjetat dhe ai tani nuk ka as një shkëndijë mbështetjeje qoftë dhe mikroskopike në këtë botë vazhdimisht të kalbur ku lumturia vlerësohet dhe kufizohet në 30 miligramë që i ofrohen të dëshpëruarit, me masë, dhe nëna i vdiq pikërisht dje dhe nuk arriti mirë – mirë t’i mësojë as emrin, dhe në ikje e sipër u kujdes t’i përplaste në fytyrë një lopatë të fortë që i zuri frymën dhe i përhapi më shumë plagët në mënyrë drastike si lebra galopante, plagë të cilat me sa duket nuk kanë asnjë dëshirë të mbyllen pasi ky njeri tashmë i të tridhjetave e kusur ndihet si një gozhdë e ndryshkur në një botë argjendi të shkëlqyer, por gjithmonë kështu ndihej, por thjesht shpresonte se me kalimin e kohës do të shkundte nga vetja qelizat e oksiduara e të vdekura, por nëna i vdiq dhe ai ndërroi lëkurën e tij dhe kishte vetëm atë t’i mbante dorën, por edhe atë do ta humbasë, mendon të largohet jashtë shetit për të punuar, ai e inkurajon “të shkosh, të shkosh” sepse edhe këtu të rrijë nuk do të mundet t’i ofrojë ato që meritonte, thjesht sepse nuk mundet dhe nuk është në gjendje të kontrollojë botën që i rastisi, është i paktë dhe i vogël, dhe është vetëm tridhjetë e tre, çfarë do të ndodh në të pesëdhjetat e tij, i është ruajtur vetëm një ujëvarë e hidhur me disa degë aty – këtu për t’u kapur, por e ndien -është i sigurt- që nuk mund të rrezikojë dhe të durojë dhe të vuajë, ndihet kaq i lodhur ta hajë dreqi sa në të vërtetë ka jetuar më shumë se dyqind e pesëdhjetë vjetë, por ja, që tani kur është
gati të bëjë hapin e fundit –një hap të madh për të, i parëndësishëm për njerëzimin- mendon që ndoshta gjërat mund të kishin ardhur krejt ndryshe apo, edhe më keq, i lind dyshimi apo shpresa se, nëse nuk përfundonte tani kontributi i tij personal, roli i tij në këtë dramë të pafundme, në të ardhmen do të mund të lehtësonte ndonjë plagë dhe të qëndronte në qetësi dhe paqe në një stol në cep të botës, por jo, bëri atë që mundej edhe më tepër se sa mundej. Nuk ka çfarë të nxjerrë tjetër nga brenda, nuk ka çfarë të japë më, luftoi për t’u shqitur nga ky moçal, por nuk ia arriti -dhe çfarë ndodhi-, paqja gjendet vetëm pas kësaj kollaroje të leshtë që e përqafon tashmë tani dhe e shtrëngon nxehtë e egër dhe e shtrëngon dhe e shtrëngon, por nuk mund të parandalojë impulsin e fundit
elektrik, të fundit që depërton me shpejtësinë e dritës trilionë neurone emocionuese të trurit të tij t’ i thërrasë se gjërat mund të ishin ndryshe.

Përktheu nga greqishtja Amalia Rondo
Redaktim gjuhësor dhe letrar Evangjelia Mëhilli
Hristos Armando Gjezo
Shilarësi, Shilarësi, Shtëpia botuese Melani
Athinë më 2016, fq 77-81

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *