Publikohen shifra alarmante të ngacmimeve seksuale dhe morale, në administratën publike në vendin tonë.
Në një studim të publikuar nga Avokati i Popullit thuhet se 17.5 % e punonjesve të administratës publike deklarojnë se janë ngacmuar të paktën 1 herë, në tre vitet e fundit.
“ 75% nuk kanë pasur një eksperiencë personale në lidhje me ngacmimin moral në 3 vitet e fundit. 7.5% janë ngacmuar çdo vit në 3 vitet e fundit dhe 17.5% e tyre deklarojnë se janë ngacmuar të paktën 1 herë për të njëjtën periudhë kohore”-thuhet në studimin e publikuar.
Vetë Avokati i Popullit, Igli Totozani gjatë prezantimit të studimit ka theksuar marrjen e masave për parandalimin e këtij fenomeni.
“Ne duhet të hedhim dritë mbi këtë zonë gri të administratës publike, por edhe asaj private. Si çdo fenomen tjetër, përpara se ai të trajtohet ka nevojë të njihet. Ne po synojmë me këtë studim të njohim se si është gjendja. Natyrisht pa pretenduar një njohje totale dhe kapilare, por gjithsesi ky është një hap i parë, i cili do të duhet të shoqërohet me veprime konkrete nga institucionet shtetërore, por duhet të ndiqet me po aq seriozitet edhe nga ato institucione shtetërore që monitorojnë bizneset private, në mënyrë që të merren të gjitha masat institucionale dhe organizative për t’u përballur me këtë gjë. Ngacmimi moral është një dhunë, e cila sjell pasoja të pallogaritshme në shëndetin psiqik dhe psikologjik ndaj individit. Ai reflekton edhe dhunën në familje , ndaj marrja e masave për parandalimin dhe ndëshkimin e tij do të ndikojnë pozitivisht edhe në reduktimin e dhunës në familje dhe forcimit të integritetit të gruas”, u shpreh Avokati i Popullit, Igli Totozani.
Po ashtu nga studimi i kryer rezulton se deri më tani jurisprudenca e gjykatave në këtë drejtim mungon pothuajse plotësisht. Rastet e ngacmimit seksual janë shumë të pakta, ndërsa ato të ngacmimit moral janë më tepër të lidhura me kërkesat për dëmshpërblim, për dëmin moral ose jomaterial.