Shenja në lëkurën e njeriut

Duke na ofruar një udhëtim sa perceptiv aq edhe emocional në vargjet e tij, Tufa na ofron lexime brenda lekurës së njeriut që shpesh e përdor si shtrojë të ndjesive të veta autoironinë. Nuk synon magjepsjen, por të menduarin. Kërkon Sizifin për të ringritur gurin e jetës, edhe në qoftë se do ta shohim duke u rrokullisur sërish.

(Shënime për vëllimin poetik “Kafsha apo fantazma”, Agron Tufa, Onufri 2016)

Nga Agim Baçi

Nëse dëshiron të kuptosh atë që na kërkohet përherë në jetën tonë, duhet të shohësh në udhën e gjatë të njeriut në kohë. Agron Tufa sjell në vëmendje emra dhe kohë, ku njeriu ka ardhur i shenjuar për atë çka mundet të bëjë dhe për atë që është në ëndrrën e tij. Nuk ka vijë ndarëse, se fundja asnjë ëndërr nuk na ikën dot nga mendja edhe kur asnjë grimë e saj nuk shkel në përditësinë tonë.

Duke na ofruar një udhëtim sa perceptiv aq edhe emocional në vargjet e tij, Tufa na ofron lexime brenda lekurës së njeriut që shpesh përdor si shtrojë të ndjesive të veta autoironinë. Nuk synon magjepsjen, por të menduarin. Kërkon Sizifin për të ringritur gurin e jetës, edhe në qoftë se do ta shohim duke u rrokullisur sërish.

NË INSTANCË TË FUNDIT…

në instancë të fundit mbetet t’ketë qenë

gjithëqysh – një afreskë arabeskash –

sall ornament dekorativ ngjyrash

të ekzekutuara me gishta të tejdukshëm

mbi qilima persianë…

dhe kuptohet:

sëmbime zemrash,

ofshama të derdhura në mëndafsh,

gonxhe të harlisura muzike,

korsé dhe parfume…

mandej, ADN-ja jonë zulmëmadhe

kopsën e saj të fundit e humbet në Muze,

ashtu e brakstisur prej çdo vëllimi fizik,

prej çdo dimensioni –

qëkurëse një dorë e plotpushtetshme merr fshisën

dhe me një lëvizje të beftë i shuan të gjitha.

tabula rasa, Sizif,

tabula rasa… (A. Tufa, vëllimi “Kafsha apo fantazma”, f. 26)
Tufa na fton në udhëtim, me kusht fantazmat të mos jenë me ne. Fundja ia vlen ta bëjmë edhe një një hap, sado i vogël qoftë ai. Por duhet të ecim. Sepse e shkuara ka shenjuar veç hapat. E më pas, mundet që të shohim ç’kemi mundur të lëmë pas. E nëse ajo që lamë shihet edhe pasi kemi ecur shumë, atëherë le t’i këndojmë vetvetes. Por një këngë për veten duhet të përfshijë edhe shigjetat e mendimeve tona, që i nisëm me frymën e ndalur. Ajo që dëgjojmë më pas është vetja jonë, e shkruar nga po ne, por pamundësisht për t’u ankuar se mund të ishim edhe më të mirë. Thjesht na lejohet të mendojmë se mund të jemi.

Gregos Samsa, Cezari, Bruti, janë disa nga personazhet që plotësojnë hartën e vjetër të mendimeve, bashkë me autorë që kanë shenjën e tyre në vargje prej jete. Nuk janë thjesht të na tregojnë errësirën. Janë një vizion se si mund të shohim edhe në errësirë. Pikërisht atje ku e vetmja dritë vjen nga brenda nesh.
IDAT E MARSIT

Mesnata i rikthen të distiluar

skajet në sinoret e sakta të sendeve.

Ç’rravgoi dikur, u zhvesh nga tepritë

E shkumës së kohës dhe vendeve.

Por imagjinata sulmon në beft

– Kamë fatale në shpinë të Cezarit.

Për gjakun dëshmoftë hën’ e sedeftë

Pa shpagën e dëshmitarit.

Të gjithëve na pret një kapitol i zi

Me Idat festare të Marsit në prag.

Fatale do jetë thika e Brutit të ri,

Dhe prapë Cezari nuk sos në Senat.

Nuk sos… nuk sos askurrë në Kuri;

Profecia e ëndrrës sërish nuk e tut…

Tash Brutin e rrisim vetë në shtëpi,

Ta kemi… t’i themi: “edhe ti, o Brut…?!” (Po aty, f. 29)
E pasi ka lundruar herë në poezi e herë në prozë poetike me fytyrën e papërfunduar të njeriut, Tufa duket se rishkruan gjithçka në poemën “Thelbi i mëshirshëm i kohës”. Duke i riparë edhe një herë thirrjet e njeriut, rrëzimet dhe ngritjet e tij, poeti na kujton se në vrapimin tonë të së tashmes mund të jemi në kalin e instinktit. Por në mendimet tona duhet të dimë të dallojmë fytyrën e vërtetë. Ashtu si në vargjet:

“Jemi kafshë të mbyllura

në rrethin e së tashmes

dhe njerëz na bën veç fytyra e së shkuarës”. (Shkëputur nga poema “Thelbi i mëshirshëm i kohës”, po aty f.85-100

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *