Janë bërë tashmë të zakonshme temat e “nxehta” në shumicën e televizioneve shqiptare, sidomos atyre që janë dhe më të ndjekurat nga publiku. Ekrani ashtu si dhe shtypi i shkruar po vuan mungesën e cilësisë, të një produkti informues apo hulumtues, apo problematikave të shumta socio-kulturore, duke u fokusuar veç në “shumë zhurmë për asgjë”. Për këtë arsye, shpesh sheh nëpër studio edhe personazhe kontrovers, të cilët janë aty veç për të thënë çdo gjë, veç ndonjë gjëje që vlen.Në rastin më të mirë janë në studio për të lënë ndonjë proçkë që do të qarkullojë online, e në rastin më të keq, audiencës tentohet t’i injektohet shushatja me shalë apo “barbie silikon”. Janë për skandal se skandali shet!
Sot gjithë portalet kishin zbardhur mendimin e një zonje, që quhet Silvana Baltadori. Zonja argumentonte pak a shumë rreth temës për virgjërinë( temë me goxha audiencë) , se çdo femër që kishte pasur disa të dashur nuk kishte moralin e duhur. “Një femër, e cila ka pasur më shumë se dy eksperienca, nuk ka moral”, është shprehur zonja në fjalë, e cila në studio ftohet si analiste dhe opinioniste.
Nuk po ndalem më tej tek kjo frazë, pasi jo pak femra në Shqipëri, për shkak të humbjes së cipës në rastin më të mirë mbushin klinikat e qepjes, e në rastet më fatkeqe kanë përfunduar të vrava, të rrahura, të dhunuara, të poshtëruara, të vetëvrara, të shkatërruara etj. Po ashtu gjinekologët në Shqipëri shpesh kanë ngritur alarmin se pjesa dërrmuese e aborteve bëhen kur merret vesh se gjinia e fëmijës është femër. Ndaj të dëgjosh në një televizion me audiencën dhe filtrat që ka Top Channel, të bëjë moral mbi lirinë seksuale të femrës, kur bota e zhvilluar ka disa dekada të mira që e ka tejkaluar këtë “problem”, është mbi të gjitha fyerje e viktimave të këtij mentaliteti.
I ngjan pak a shumë deklaratës së bërë në Opinion kohë më parë, kur Murat Basha tha se personave homoseksualë u duhet prerë koka.
Por faji nuk është i kësaj zonje, por i varfërisë në debatin publik dhe njerëzve që ftohen shpesh nëpër emisione. Sot nuk bëhet debat në gati asnjë program apo televizion. Sot dhurohet veç shou. Jetohet për shou. Flitet kot, për shou. Gjithë bota rrotullohet rreth shout. Sot dikush që shkon në studio televizive, sidomos për tema ” limonatë”, nuk ka hall se çfarë do thotë, por a do t’ia shohin fustanin e ri, apo modelin e ri të flokëve, orën e shtrenjtë apo sesi mund të krijojë një debat me fyerje, por pa argumenta.
Çdo mbrëmje qytetari shqiptar, i cili nuk jeton vetëm në Tiranë dhe konkretisht tek zona e bllokut, ka tjetër perceptim mbi ata që shikojnë dhe u japin mend përmes ekranit. Dhe ne iu kemi ofruar shpesh modelet më të këqija, mendimet më prapanike se ato që mbetën qysh nga koha e otomanëve. Ndaj mos u habisni shumë me lajmet e kornikës së zezë ku vriten gra, ku zhduken e përdhunohen vajza. Ka zëra që i frymëzojnë, e këtyre zërave nuk u duhet dhënë më Zë! GazetaPasqyre.al