Shekulli i frikës

Albert Camus

“As viktima, as ekzekutues” është një seri esesh të botuara në vjeshtën e vitit 1946 nga Albert Camus (Alber Kamy) në “Combat”, gazetën e rezistencës franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore, në të cilën Kamy kontribuoi përgjatë luftës dhe për një periudhë të shkurtër pas përfundimit të saj. “Shekulli i frikës” është eseja që çel ciklin “As viktima, as ekzekutues”. Shekulli XVII ishte shekulli i matematikës, shekulli XVIII ishte shekulli i shkencave fizike, ndërsa shekulli XIX ishte i biologjisë. Shekulli XX, shekulli ynë, është shekulli i frikës. Dikush do të thotë që frika nuk është shkencë. Por, shkenca duhet të jetë disi e përfshirë, përderisa përparimet teorike e kanë sjellë në pikën e mohimit të vetvetes; teksa teknologjia e saj e perfeksionuar kërcënon vetë globin me shkatërrim. Për më tepër, megjithëse frika në vetvete nuk është shkencë, është padyshim teknikë. Karakteristika më dalluese e botës në të cilën jetojmë është shkëputja e shumicës së banuesve të kësaj bote nga e ardhmja, më përjashtim të disa religjiozëve. Jeta nuk mund të konceptohet në mungesë të projektimit në të ardhmen dhe as në mungesë të maturimit dhe progresit. Të jetosh përballë një muri është jetë qeni, jo njeriu. Kjo është e vërtetë, sikurse është e vërtetë që njerëzit e gjeneratës sime, ata të cilët shkojnë nëpër fabrika dhe universitete, kanë jetuar dhe po jetojnë gjithmonë e më shumë si qenër. Sigurisht, kjo nuk është hera e parë që njerëzit përballen me një të ardhme të kushtëzuar nga ana materiale. Por, ata kanë qënë të aftë ta tejkalojnë dilemën nëpërmjet fjalëve, protestave dhe vlerave të tjera, të cilat u kanë mundësuar filiza shprese. Ndërsa sot asnjë nuk flet (me përjashtim të atyrë që përsërisin vetveten) sepse historia është në dorë të forcave të verbëra dhe të shurdhëta që nuk dëgjojnë as paralajmërimë, as këshilla dhe as kërkesa të përulura. Vitet që sapo kemi lënë pas kanë vrarë diçka brenda nesh. Dhe ajo diçka është pikërisht besimi i vjetër që njeriu kishte tek vetja: besim i cili presupozonte idenë se nëse i flisje një njeriu me gjuhën e njerëzimit, tek ai njeri do të zgjoje ndjenja njerëzore. Kemi parë njerëz të gënjejnë, degradojnë, vrasin, deportojnë, torturojnë dhe, në secilin prej këtyre veprimeve, këta njerëz nuk tuteshin dhe nuk ekzistonte mundësia për t’u ndryshuar mendje të mos vepronin në atë mënyrë. Kjo për shkak se ata ishin të bindur në veten e tyre, por dhe sepse nuk mund t’i flasësh një abstraksioni, një ideologjie. Dialogu i gjatë i njerëzimit ka ardhur drejt fundit. Dhe, natyrisht, një person me të cilin nuk arsyeton dot është një person të cilit duhet t’i frikësohesh. Rezultati është që, përveç atyre që as nuk kanë marrë mundimin të shprehen, duke e konsideruar a priori si të padobishme, një konspiracion i madh heshtjeje ka rënë ndërmjet nesh: një konspiracion i pranuar nga ata që janë të frikësuar dhe që racionalizojnë frikat e tyre për t’i fshehur ato, si dhe një konspiracion i ushqyer nga ata që kanë interes në të. “Nuk duhet të flasësh për kulturën ruse të ndëshkimit sepse i shërben reaksionit.” “Mos përmend mbështetjen anglo-amerikane për Frankon sepse inkurajon komunizmin.” Frika është padyshim një teknikë. Ndërkohë që ekziston frika e përgjithshme ndaj një lufte që përgatitet nga të gjitha kombet dhe frika specifike ndaj ideologjive vrastare, cili prej nesh mund të mohojë që jetojmë në një gjendje terrori? Jetojmë në terror sepse dialogimi nuk është më i mundur, sepse njeriu është zhytur tërësisht në Histori, sepse e ka mbytur atë pjesë të natyrës së tij e cila kishte aftësinë të perceptonte bukurinë e natyrës dhe të fytyrave njerëzore, sepse jetojmë në një botë abstraksionesh, byrosh dhe makinash, ku sundojnë idetë absolute dhe mesianizmi krudo. Të zihet fryma në mes të njerëzve të cilët mendojnë se kanë absolutisht të drejtë në makinat dhe në idetë e tyre. Dhe, për ata të cilët duan dhe mund të jetojnë vetëm në një atmosferë dialogu human dhe me marrëdhënie njerëzore, kjo heshtje është fundi i botës. Për të dalë nga ky terror, ne duhet të jemi të aftë të reflektojmë dhe të veprojmë. Besoj se, në vend të hedhjes së fajit tek frika, ne duhet ta konsiderojmë atë si një faktor fillestar të situatës dhe duhet të bëjmë diçka për ta ndryshuar atë. Rëndësia e kësaj detyre është e papërsëdytë. Kjo për faktin se bën fjalë për një numër të konsiderueshëm europianësh të cilët, të ushqyer me gënjeshtra dhe dhunë, të mashtruar në lidhje me shpresat e tyre më të mëdha, të neveritur nga idea se vrasja e një njeriu tjetër është mjet bindës, janë deziluzionuar dhe nuk binden dot për rëndësinë e kësaj detyre. Kjo është alternativa që na shtrohet neve në Europë të cilët nuk jemi pjesë e partive (ose në marrëdhënie të këqija me partitë që kemi zgjedhur), të cilët dyshojmë tek realizimi i socializmit në Rusi dhe i liberalizmit në Amerikë, të cilët i japim të drejtën secilës palë të afirmojë të vërtetën e saj dhe i refuzojmë të drejtën që ta imponojë atë të vërtetë me vrasje kolektive dhe individuale. Ndërmjet të fuqishmëve të ditëve tona, këta njerëz janë pa mbretëri. Pikëvështrimi i tyrë nuk do të njihet (nënvijëzoj: “njihet” dhe jo “triumfojë”) dhe mbretëria e tyre nuk do të ngrihet derisa ata të kuptojnë qartësisht çfarë duan dhe ta proklamojnë në mënyrë të drejpërdrejtë, duke i bërë fjalët stimul veprimi. Dhe nëse një atmosferë frike nuk lejon të menduarit kritik, atëherë ka ardhur koha që të adresohet kjo frikë. Për ta bërë këtë është e nevojshme të përkufizohet kuptimi i frikës: çfarë nënkupton dhe cfarë kundërshton. Ajo nënkupton dhe kundërshton të njëjtin fakt: një botë ku vrasja është e legjitimuar dhe ku jeta njerëzore konsiderohet e papërfillshme. Kjo është pyetja e madhe politike e kohëve tona dhe, përpara se të merremi me çështje të tjera, duhet të pozicionohemi ndaj saj. Përpara se të veprohet, duhen ngritur dy pyetje: “Do apo nuk do që, në mënyrë direkte dhe indirekte, të vritesh dhe të sulmohesh? Do apo nuk do që, në mënyrë direkte dhe indirekte, të vrasësh dhe të sulmosh?” Të gjithë ata që u përgjigjen “jo” të dyja këtyre pyetjeve janë automatikisht të lidhur me një sërë pasojash të cilat duhet të ndryshojnë mënyrën e ngritjes së problemit. Qëllimi im këtu është të shtjelloj disa prej këtyre pasojave.

Solli në shqip Akri Çipa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *