Sa e rrezikshme është kultura mediatike që po u kushtëzon jetën vajzave të reja sot, të cilat edukohen për të pasur një pamje fizike sa më perfekte?
Vajza të bukura, me forma perfekte, që shfaqen në të gjitha ekranet duke nxjerrë në pah gjithë mishin e tyre. Kështu janë idhujt e sotëm të adoleshenteve që kërkojnë një model për t’i ndjekur, ndërkohë që përpiqen me të gjitha mënyrat që të jenë të bukura, t’i përshtaten modës, të fshehin gjithë cenet e vogla të fytyrës apo trupit të tyre, jo rrallë duke dëmtuar edhe shëndetin. Nga ana tjetër, inteligjenca është diçka që nuk shihet si arritje për aq kohë sa je “e bukur”. Një kulturë mediatike që po u kushtëzon jetën vajzave të reja sot, të cilat edukohen për të pasur një pamje fizike sa më perfekte. Por, a është kjo një rritje e shëndetshme? A është e vërtetë se pamja fizike është gjëja më e rëndësishme për të përballuar jetën? Çfarë ndodh me këto vajza dhe kush është përgjegjës për rritjen e shëndetshme? Çfarë roli luan familja dhe shoqëria?
Për këto pyetje gazeta “Shëndet+” ka krijuar këtë hapësirë të veçantë, duke pyetur psikologë, terapistë, pediatër, si dhe duke sjellë shembuj të dy grave të suksesshme, secila në fushën e saj.
Arjana Rreli, psikiatre: Kërkojeni bukurinë brenda vetes, jo në media
Bukurisë femërore i janë thurur himne dhe lavde ndër shekuj, edhe kur nuk ekzistonte media, edhe kur nuk ekzistonte kirurgjia plastike, dhe kur nuk ekzistonte teknologjia (më e akuzuara tashmë). Media, reklamat me ”agresivitetin” e tyre dhe sigurisht rrjetet po e dëmtojnë vetëbesimin e njerëzve duke lëkundur të gjithë atë që natyra (për mirë apo keq) i ka falur. Kjo vihet re sidomos tek vajza/gruaja, e cila është një qenie shumë e brishtë dhe emotive. Duke u përpjekur për një perfeksion i cili ndonjëherë të detyron të shkosh edhe jashtë disa ligjeve të natyrës.
Sot njerëzit shohin një topmodele që është në kufijtë ekstrem të nënpeshës, shohin një vajzë që mund të ketë bërë shumë ndërhyrje kirurgjikale (pa marrë parasysh rreziqet që nga anastezia e deri në komplikacione posoperatore) , përfshihen në rrjetet sociale ku me një selfie njerëzit ”përsosin” veten. Sigurisht që këto ndikojnë në vizionin që çdo njeri ka për skemën e trupit të vet, gjë e cila prir për çrregullime, që fillojnë që nga anoreksia mendore e deri në psikoza e bindje deluzionale që nuk kanë asnjë lloj lidhje me realitetin. Mjafton të vlerësosh ndikimin që ka ky ”sulm” ndaj trurit të qenies njerëzore dhe kupton çfarë po ndodh.
Si ndikon kjo në vetëbesimin e vajzave adoleshente? Këto vajza rriten me kompleksin e madh të inferioritetit. Në kërkim të përsosmërisë, sigurisht që njeriu mund të kërkojë shumë, por kapacitetet tona njerëzore, finaciare, por dhe intelektuale nuk e arrijnë asnjëherë maksimumin, dhe kjo bën që brenda personit të mbetet një kompleks, i cili në një kohë të dytë mund të bëhet terren për të shpërthyer minimumi, një problematikë e ankthit, për të mos shkuar pastaj në sëmundje të mirëfillta mendore. Një mesazh për vajzat? Perëndesha e Bukurisë e kishte emrin Afërdita. Ishte perëndeshë dhe simbol ishte gruaja. Brenda një gruaje ka shumë bukuri. E rëndësishme është që gruaja/vajza të dijë të vlerësojë bukurinë e saj, të mësojë të bashkëjetojë me të, dhe pse jo, të përpiqet ta përsosë veten, por gjithmonë brenda disa kufijve, që nuk e dëmtojnë atë çka i ka falur natyra!
Polikron Çelo, pediatër: Të rrisësh një fëmijë ashtu siç duhet, është bërë tepër e vështirë!
Në shumë raste sjellja e fëmijës është pasqyrimi i edukimit familjar. Shumë prindër përpiqen t’i edukojnë fëmijët me moral: “Mos u sill keq! Mos përdor fjalë të pista! Mos vidh! Mos…! Mos…! Mos…!” Por a edukohen fëmijët me moral? Fëmija e merr modelin në familje. Nëse një nënë është shumë e vrazhdë, të njëjtat tipare do të trashëgojë edhe fëmija. Nëse bashkëshortët debatojnë dhe i kundërpërgjigjen njëri – tjetrit në sy të fëmijës, të njëjtin model do të marrë dhe ai. Nëse babai ose nëna sjell diçka në shtëpi jashtë fuqive, nesër pasnesër edhe ky fëmijë do të kërkojë t’i fitojë gjërat në rrugë të lehta. Ku i mësojnë fëmijët fjalët e pista!?
Do të sjell vetëm një shembull, që e kam përmendur më parë. Po bëhej një fejesë dhe midis dy krushqive prindërit e djalit kishin shkuar tek shtëpia e vajzës për t’i kërkuar dorën. Aty ishte dhe një vajzë e vogël 3-4 vjeçe dhe ky krushku me përkëdheli e merr dhe e pyet. “Çfarë do të bëhesh kur të rritesh ti, të keqen xhaxhi?” Vajza e pyet. “Çfarë do të bëhesh kur të rritesh ti, të keqen xhaxhi?” Vajza e vogël i përgjigjet: “Do të bëhem kurvë si mami”.
Të tërë iu vërsulën vajzës. Por, a ka faj vajza!? Absolutisht që jo. Ajo diku e ka dëgjuar. Por kush e tha!? Fëmijët janë si regjistrues dhe mbajnë mend gjithçka. Përveç familjes, në ditët e sotme po flitet kaq shumë edhe për ndikimin jashtë saj, duke filluar që nga media, shoqëria, interneti e vendi ku rriten. Sot është bërë e modës që fëmijëve t’u vësh televizor tek dhoma e gjumit, ndërkohë që vendin e lodrave e kanë zënë smartfonat. Por televizori është i mbushur me banalitete dhe lakuriqësi. Është e domosdoshme që çdo gjë të ketë orar dhe kontroll. Fëmija është shëmbëlltyrë e edukimit që merr në familje, ndaj prindërit duhet të punojnë fort për t’u dhënë atyre shembullin më të mirë!
Valentina Asabella, terapiste pranë Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor nr. 3, Tiranë: Vajzat duhet të punojnë për rritjen intelektuale
Të gjitha vajzat adoleshente e kanë një idhull. Zakonisht këto “idhuj” janë modele, këngëtare apo aktore me imazhe ekstremisht të bukura që, për arsye komerciale, media po na i servir pa asnjë kursim. Kjo çështje mund të shihet në dy aspekte. Nga njëra anë, pasja e një “idhulli” është pozitive, sepse ti përpiqesh ta arrish atë person. Nga ana tjetër, idhujt që na serviren sot përmbajnë një “perfeksion” që nuk është realist. Si rrjedhojë, edhe rreziku për të dështuar që ta arrish idhullin tënd është shumë i madh. Vajzat e reja shohin këta idhuj të tyre dhe u nënshtrohen dietave ekstreme, kalojnë në anoreksi dhe ju siguroj që pjesa më e madhe e këtyre vajzave kalojnë në anoreksi. Duhet të kuptojmë se ky “perfeksion” që servir media, bën që këto vajza të bien dhe pre e abuzimit.
Pjesa më e madhe e vajzave nuk e kanë nivelin ekonomik për të vajtur në qendrat estetike dhe për të arritur atë “bukuri” që shfaq media. Si rrjedhojë, ato bien pre e abuzimeve. Prindërit, nga ana tjetër, duhet të punojnë fort në këtë drejtim. Duhet t’u qëndrojnë pranë vajzave të tyre, t’u japin shumë dashuri dhe t’u rrisin vetëvlerësimin. Mosha e adoleshencës është vetë e atillë, por një nënë e kujdesshme është psikologe për vajzën e saj dhe di si t’ia rrisë asaj vetëvlerësimin. Ato duhet të kuptojnë se nuk është pamja fizike gjëja kryesore e suksesit në jetë. Personalisht vajzave të reja do t’u thosha ta duan veten dhe të punojnë fort për rritjen e tyre intelektuale. Nëse arrijnë sukses me individualitetin e tyre (duke qenë vetvetja), atëherë do të kenë gjithçka në jetë.
Milena Turtulli, psikologe: Shkollimi i parë nis brenda mureve të shtëpisë
Dhuna ndaj vajzave është në rritje. Ka momente që them që është në degradim. Nxitet nga media e shkruar, rrjetet sociale, televizioni, të cilët promovojnë një model gruaje gati në kufijtë e degradimit. Si t’i shpëtojë një vajzë kulturës seksiste në media që i kërkojnë të jetë “e bukur”? Duke pasur një vlerësim të madh për veten. Duke pasur një rrjet që e mbështet shumë mirë, një familje që e mbështet, një shoqëri që e mbështet dhe që nuk të mbyll sytë në momentin e një dështimi. Këto janë të vetmet gjëra që na duhen në jetë për të ecur përpara.
Të gjithë do të biem, të gjithë do të rrëzohemi, të gjithë do të takojmë njerëz që do të tentojnë të prishin integritetin dhe besimet tonë, do të tentojnë të na marrin nga vlerat që kemi. Ajo që kemi ne në dorë, është që të lëshojmë ose jo në këtë drejtim. Ime bijë vetëm 8 vjeç më tha: “Më mirë të jesh djalë sesa vajzë. Sepse nga një vajzë pritet që të sillet shumë mirë, nga një djalë jo”. Ajo është shumë e vogël, por e ka kuptuar këtë diferencimin e madh që ekziston mes vajzave dhe djemve. Për vajzat pritet të sillen mirë, të mos kthejnë fjalën, të jenë kokulur, të përmbushin pritshmëritë e të gjithëve rrotull. Ndërkohë djemtë ushqehen dhe priren që të jenë më të guximshëm. Nuk ka rëndësi nëse gabojnë, ata duhet të jenë më të guximshëm. Dhe kjo i ndan burrat nga gratë. Burrat nuk janë në pozicione më të larta sepse janë më të zgjuar, por sepse janë më të guximshëm.
Dhe kush guxon, fiton. Atëherë duhet barazi? Unë nuk jam dakord as me konceptin “të votojmë gratë si udhëheqëse që të jenë të barabartë në numër me burrat”. Jo! Mendoj se kjo i penalizon gratë. Unë nuk duhet të votoj një grua sepse duhet të respektoj një kuotë. Unë dua që të kenë mundësi të barabarta. Nëse është i zoti, le të më përfaqësojë një burrë, nuk ka problem. Nuk dua të më përfaqësoj një grua që mbase nuk e meriton, por që unë duhet ta votoj sepse është grua. Përpiqem që të transmetoj te të gjithë ata që vijnë në zyrën time: barazi vajzë-djalë. Si mund të ndryshojnë meshkujt agresivë? Duhet një punë e jashtëzakonshme që të arrihet në një stad tjetër. Si arrihet? Përmes shkollimit, fillimisht brenda mureve të shtëpisë. Shkollimi i parë nis aty. Nëna duhet të inkurajojë dhe fuqizojë çdo qelizë të fëmijës.
***
Vera Elezi, taksiste: Pavarësisht paragjykimeve, e dua punën që bëj
Gjinia nuk e përcakton profesionin. Vera Elezi ka menduar gjithmonë kështu në çdo kohë. Edhe atëherë kur mendimet dhe zgjedhjet nuk ishin të lira. E bindur që puna përkthehet vetëm në nder dhe të ardhura për familjen, Vera ka vendosur të punojë taksiste që prej ’75-s. Ajo tregon se shpesh është ndier e paragjykuar, madje ka pasur edhe nga ata i kanë drejtuar gishtin. Pavarësisht kësaj, në asnjë moment nuk ka menduar të heqë dorë nga ky profesion. “Jam ndier e paragjykuar.
Njerëzit janë fanatikë në drejtim të gruas. Se gruaja ka qenë gjithnjë e diskriminuar. Diskriminohej gruaja që donte të bëhej shofere, traktoriste a profesione të tjera të ngjashme. Kam dëgjuar shumë për veten: “Ja kjo, shofere”! Sigurisht, me tone negative. I shikoj që edhe kur vijnë për shërbimin taksi, disa janë skeptikë, disa të tjerë nuk vijnë fare. Jam e martuar, kam dy vajza. Jam ndeshur me situata që ma kanë vështirësuar punën e në disa raste edhe jetën. Pavarësisht kësaj, nuk do të hiqja dorë asnjëherë nga ky profesion”.
Nertila Ruko, kryeinfermiere: Puna kërkon përgjegjësi dhe organizim
Duket shumë e re për t’ia dalë përgjegjësive të mëdha që kërkojnë përvojë dhe “hije të rëndë”. Mirëpo, Nertila shkëlqen në pozicionin e saj si kryeinfermiere në një nga poliklinikat më të rëndësishme në kryeqytet. A ndihet e paragjykuar për profesionin që ka? “Kam 6 vjet infermiere. E kam nisur në Gjirokastër. Në reanimacion për 4 vite. Më pas kam ardhur këtu. Kam përgjegjësinë e menaxhimit të punës. Dhe përpiqem t’ia dal.
“Kur m’u ofrua kjo punë kam marrë parasysh orarin e tejzgjatur, presionin e kësaj pune dhe isha e bindur që do ta përballoja. Në Poliklinikë, në momentin që merr këtë detyrë, paragjykohet fakti që je e re dhe nuk ke përvojën e nevojshme. Megjithatë, unë detyrën e shikoj detyrë. Kur njerëzit të njohin në kohë, çdo gjë bëhet mirë. Edhe mendësia ndryshon. “Vetëm infermiere gra? Kjo varet ndoshta nga repartet dhe fusha në të cilën janë infermierë/e. Burrat në përgjithësi kërkojnë spitalet, e duan më shumë angazhimin. Poliklinikën e zgjedhin vajzat, sepse është punë që kërkon shumë organizim dhe “estetikë”, karakteristë e vajzave”. /Shëndeti Plus- Nga Denisa Canameti, Elona Tereziu