Libri “Shpresuam dhe mbijetuam” shkruajtur nga Taisa Pisha është një libër autobiografik i bazuar në ngjarjet e jetuara nga autorja në vitet e kaluara në Shqipëri gjatë periudhës 1957-1990. Nga këto kujtime, më të spikaturat janë ato që u përkasin viteve 1976-1986 gjatë të cilave autorja u burgos nga regjimi komunist dhe vuajti dënimin në burgjet dhe kampet e punës në Shqipëri.
Ashtu si dhe libra të tjerë të këtij zhanri (p.sh., “Rrno për me tregue”nga At Zef Pllumi dhe “Grabjani rrëzë kodrave” nga Lekë Tasi) “Shpresuam dhe mbijetuam” hedh dritë në një nga periudhat më të errëta në historinë e kombit shqiptar, atë të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës dhe lakenjve të tij.
Siç dihet tashmë, vitet e diktaturës e transformuan Shqipërinë në një vend komplet të izoluar ku individët u zhveshën nga liria personale, dhe ku fatet e mijëra njerëzve, ndjenjat, shpresat dhe besimet e tyre u kthyen në lodra të qeveritarëve komunistë dhe atyre që u shërbenin.
Një nga këta të persekutuar ishte dhe Taisa. Ajo erdhi në Shqipëri e shtyrë nga dashuria për të shoqin të cilin e njohu gjatë studimeve universitare në Moskë. Në atë kohë, qeveria shqiptare dhe ajo sovjetike kishin marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi. Si shumë të tjerë në brezin e saj, Taisa ishte e edukuar me frymën e komunizmit ngadhënjimtar në Bashkimin Sovjetik stalinian, dhe ishte e mbushur me besim dhe entuziazëm për “jetën e re” që do të sillte komunizmi në gjithë botën. Ky besim u thye shpejt dhe nuk u desh shumë për të kuptuar që, fatkeqësisht, gjithçka kishte qenë një iluzion.
Shkëputja e marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik solli një ndryshim radikal në qëndrimin dhe veprimet e qeverisë komuniste shqiptare. Menjëherë, filloi një vazhdë persekutimesh e njerëzve të thjeshtë, intelektualëve, ushtarakëve, e sidomos atyre që kishin sadopak lidhje me Bashkimin Sovjetik. Nën parullën “Të forcojmë luftën e klasave”, u terrorizuan masat, u intrigua kundër personave të padëshirueshëm, u sollën në fuqi injorantët dhe u eliminuan ata me përvojë, dhe u krijuan situata të errëta pasigurie. Qëllimi ishte që të nxitej frikë nëpërmjet të cilës mund të ushtrohej kontroll i plotë mbi popullin, gjë që do t’u siguronte një jetë më të gjatë në pushtet Enver Hoxhës dhe qeveritarëve të tij.
Si një e huaj, Taisa gjendet jashtë dëshirës së vet në një grackë pa rrugëdalje. Rrota e kuqe e komunizmit bolshevik shtyp dhe bluan çdo gjë që gjen në rrugën e vet, njerëz, fate, ndjenja, shpresa, besime, virtyte. Nën dhëmbët e këtij përbindëshi satanik, bluhen kockat e milionave në vendet ku sundojnë këto regjime pa përjashtuar Shqipërinë, madje e përqendruar në një formë groteske në hapësirën e kufizuar shqiptare.
Situatat e mësipërme janë analizuar me hollësi nga autorja. Nga rrjedha e ngjarjeve që përshkruan ajo, del i qartë degradimi i pushtetit, rrënimi ekonomik, rënia e vlerave morale dhe zëvendësimi i tyre me denoncime, spiunime, përgjime, e shpifje të cilat ishin kthyer në normat e jetës, madje dhe brenda qelizës së familjes. Në këtë atmosferë mbytëse të mosbesimit, të ndrydhjes së çdo të drejte njerëzore, në një trup të dërmuar fizikisht nga kushtet shumë të vështira në burg dhe puna e rëndë në kamp, autorja gjeti forca për të mbijetuar, për të shpresuar për një të ardhme më të mirë për të dhe familjen e saj që vuajti po aq shumë nga persekutimi dhe, ç’është më e rëndësishmja, për të luftuar për të drejtat e humbura dhe të shkelura me këmbë.
Taisa Pisha (Batkina) ka lindur në Tula të Rusisë më 1932 në një familje nëpunësish të thjeshtë me origjinë hebreje. Në fillimin e viteve ’50 njihet në Moskë, ku ishte për studime në Fakultetin e Kimisë, me studentin shqiptar Gaqo Pisha me të cilin martohen dhe u lind një djalë. Mbas përfundimit të studimeve së bashku me familjen vendoset në Shqipëri ku jetoi për 33 vjet nga 1957 deri më 1990. Gjatë qëndrimit në Shqipëri ka punuar si pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, në Kombinatin e Tekstilit në Berat, dhe në Kombinatin e Drurit në Tiranë. Gjatë viteve 1976-1986 akuzohet për spiunazh dhe agjitacion e propagandë dënohet me 16 vjet heqje lirie, nga të cilat vuan 10 vjet. Lirohet me amnistinë e janarit 1986. Mbas përpjekjesh të pareshtura, në vitin 1990 i lejohet riatdhesimi në Bashkimin Sovjetik. Në tetor të 1990-s largohet nga Shqipëria së bashku me dy djemtë dhe familjet e tyre. Në 1992 riatdhesohet në vendin e origjinës në Izrael ku bën një jetë të qetë për më se 23 vjet e rrethuar me dashuri nga njerëzit e saj, motra, vëllai, dy djemtë dhe familjet e tyre. Në gusht të 2015 ndahet nga kjo jetë.