Rregullat për një banesë antisizmike, si mund të forcohen shtëpitë në zona me aktivitet të lartë sizmik

Ekspertët llogarisin se 70% e tyre nuk janë sipas standardeve antisizmike…

Italia po përballet sërish me dështimin për të mbrojtur njerëzit nga katastrofat sizmike, që kanë rrafshuar tre qytete antike. Skuadrat e shpëtimit vijojnë kërkimin për të mbijetuar.

Tërmeti që goditi Amatrice-n dhe qytetet e tjera në Italinë Qendrore shkaktoi të paktën 291 viktima. Numri i njerëzve që humbën jetën iu afrua atij të shkaktuar nga tërmeti i fuqishëm i 2009-s, që vrau 309 njerëz në L’Aquila. Qendra historike e qytetit Amatrice, e cila përbëhej kryesisht nga ndërtesa të vjetra, është shkatërruar plotësisht. Ndërsa ndërtesat e reja qëndrojnë në këmbë pas goditjes me magnidutë 6.4 ballë.

Numri i viktimave nuk do të ishte kaq i madh, në një vend me pasurinë e Italisë. Tërmeti me magnitudë 6.4, sikurse ai në L’Aquila, goditi gjatë natës.

Nëse njerëzit do të kishin qenë në punë, shkollë apo dyqane, pasojat do të ishin më të rënda. Para dy viteve, Gian Vito Graziano, president i Këshillit
Kombëtar të Gjeologjisë, tha se sipas disa llogaritjeve, nëse tërmeti do të godiste gjatë kohës së shkollës, numri i viktimave do të kishte qenë me mijëra.

Në 2003-shin, pas shembjes së një shkolle në Puglia, u urdhërua një studim i të gjitha ndërtesave publike në zonat me aktivitet të lartë sizmik. Pranë tyre ishte dhe një ndërtesë studentore në L’Aquila. U hartua një plan për ta bërë të sigurt me një kosto që përllogaritej 1.5 milionë euro.

Paratë nuk u shpenzuan kurrë. Të paktën jo në sigurimin e ndërtesës.

Arsyeja pse u shembën kaq shumë ndërtesa gjatë tërmetit është se shumë prej tyre janë të ndërtuara pa planifikim dhe garancinë strukturore që zakonisht shoqërojnë atë. Sipas Zyrës së Statistikave, ndërtimet e paligjshme në Itali janë të shumta, si në asnjë ekonomi tjetër të zhvilluar.

Në mënyrë ideale, Matteo Renzi, kryeministri i Italisë, do të mbështetej në këtë katastrofë për të sjellë një ndryshim real me sanksione të forta. Por, ai nuk është në pozita për të nxitur mospëlqimet.

Në këtë vit, ai do të përballet me një referendum kushtetues, që është po aq i vështirë për të sa edhe referendumi i Brexit për David Cameron. Duke deklaruar se do të japë dorëheqjen në rast se humb referendumin, Renzi e ka kthyer fletën e votimit në një mundësi për zgjedhësit e pakënaqur për të shprehur protestën e tyre ndaj qeverisë. Me ekonominë, Italinë përsëri në vendnumëro, numri i tyre po rritet.

Tërmetet, rregullat për shtëpi antisizmike në Itali

 Ekspertët përllogarisin se 70% e ndërtesave në Itali nuk janë të ndërtuara sipas standardeve sizmike, pavarësisht tërmeteve shkatërruese në 40 vitet e fundit.

Pas katastrofës, qeveria italiane ka akorduar 1 miliard euro për të përmirësuar ndërtesat në rajon.

Këtu, në mesin e zonës sizmike, nuk është bërë kurrë asgjë,- tha Dario Nanni nga Këshilli i Arkitektëve. Nuk kushton shumë rikonstruktimi i ndërtesave, për t’i përshtatur me standardet.

Nanni tha se pasojat e tërmetit janë rritur nga përdorimi i gjerë i trarëve prej betoni, në vend të trarëve prej druri. Këta trarë të pashkatërrueshëm kanë goditur muret si çekiçë, gjë që ka shkaktuar shembjen.

Italia është e njohur për aktivitetin sizmik. Tërmetet janë një rrezik i vazhdueshëm për të gjithë ata që banojnë përgjatë vargmaleve Apenine. Më poshtë janë 9 rregulla sigurie për t’u ndjekur për ata që kanë në plan të ndërtojnë, por edhe për ata që duan të ndërhyjnë në ristrukturimin e një ndërtese ekzistuese.

Rreziku sizmik

Rreziku sizmik në territorin italian varion nga 1 në 4. Vlerësimi i zonës ku do të kryhet ndërtimi është thelbësore për të gjitha zgjedhjet e tjera që do të bëhen gjatë ndërtimit antisizmik. Edhe për ato ndërtesa që janë larg një zone me aktivitet sizmik është e këshillueshme që të bëhet një analizë e karakteristikave të tokës.

1974.

Është viti kur në Itali për herë të parë u miratuan ligjet antisizmike. Për ndërtesat që janë ndërtuar para këtij viti duhet që të forcojnë muret mbajtëse, shtyllat dhe materialet. Përforcime kërkojnë katet përdhesë që nuk janë të banuara, të cilët kanë nevojë për lidhje të qëndrueshme të mureve vertikale dhe ndryshime të pozicionit të dritareve krahasuar me projektet origjinale.

Materialet

Betoni është materiali që i reziston më së miri tërmeteve së bashku me drurin. Në brendësi të tij duhet të futen lidhjet e çelikut, të cilat duhet të jenë prej karboni dhe me gjerësi të paktën 55 mm. Ndërsa për llaçin këshillohet të bëhet me gëlqere, gjë që e bën më rezistent kur është në trashësinë e duhur. Ndërsa llaçi i përgatitur me baltë është më pak i pëlqyeshëm. Është e rëndësishme që bulonat dhe saldimet të jenë në përputhje me rregullat e BE-së.

Themelet dhe lartësia

Një ndërtesë simetrike është më rezistente ndaj tërmeteve, mbi të gjitha nëse gjatë projektimit të themeleve mbahet parasysh masa dhe ngurtësia. Në zonat me risk të lartë (niveli 1) nuk është mundur të ndërtohen ndërtesa më të larta se dy kate.

Shtyllat, trarët, muret mbajtës dhe çatitë

Një ndërtesë e përshtatur në nivelin antisizmik nuk duhet të ketë nyje bashkimi. Ndërsa shtyllat dhe trarët duhet të jenë në një raport të ekuilibruar dhe të jenë vendosur në të njëjtën kohë. Muret mbajtëse duhet të kenë një trashësi të përshtatshme, midis 15 dhe 50 cm. Për sa i përket çatisë më të rrezikshme janë ato ku trarët janë vendosur në të kundërt të mureve. Zgjidhja më e mirë është forcimi i çatisë.

Dyshemeja dhe muret

Një nga shkaqet kryesore të shembjes ndaj tërmetit është lidhja e dobët midis mureve dhe dyshemesë. Shtytja horizontale gjatë lëkundjeve tendos muret, që në disa raste shemben mbi njëri-tjetrin.

Suvatimet

Pse kur ndodh një tërmet, edhe pse jo me magnitudë të lartë, bien me kaq lehtësi? Problemi mund të qëndrojë në teknikën e ndërtimit të viteve ’80. Vetëm sipërfaqet e jashtme të murit janë të veshura me gurë dhe tulla të cilësisë së parë, strukturat e brendshme janë ndërtuar me materialet skarco. Me lëkundjet e tërmetit këto ndërtesa shkërmoqen dhe pse tërmeti nuk ka një magnitudë të lartë.

Verifikimet

Në rrjedhën e projektimit bëhen kontrolle të vazhdueshme për të parë nëse po zbatohen rregullat e përcaktuara nga ligji. Për ndërtesat aktuale është mirë që kontrolli të bëhet nga një specialist.

Kostot

Një ndërhyrje në riklasifikimin antisizmik të një banese me përmasa mesatare nuk është aq e kushtueshme. Shifrat mund të shkojnë deri në 30,000 euro për një ndërhyrje të plotë./Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *