“Çdo fazë e jetës sjell me vete kapriçot dhe kurthet e veta. Në moshën tridhjetë vjeçare je i ri dhe i pasigurt, dyzet je i fortë dhe shpesh i lodhur, pesëdhjetë je i mençur e ndoshta edhe disi melankolik. Dhe kur mbërrin në pragun e të tetëdhjetave, me raste të kap dëshira t’ia nisësh së gjithës nga e para. Lind sërish nëpër kujtime dhe dashurohesh me të ardhmen” *** Im atë nuk ishte, ime më qe shumë bionde, e gjatë, e gjallë e, mbi të gjitha, e pamartuar. Bukuria e saj mbi të zakonshmen dhe mbi masën më vinte në siklet. Ëndërroja një mama normale e të sigurt, me flokë të zinj, përparësen shtrembër, duart e shkatërruara dhe sytë e lodhur”. ***
“Dje, sot, nesër”- autobiografia e Sofia Loren vjen në shqip nga Albana Nexhipi, botuar nga Pegi.
Një kredhje freskuese në historinë e kinemasë, plot me Hirushe e Princa të Kaltër, por edhe plot ankthe e mall për jetën e thjeshtë. Sophia Loren, një prej aktoreve më të dashura e të njohura në botë, deri më sot, nuk ishte rrëfyer kurrë.
Në këtë autobiografi shndërritëse, të gjallë, ajo çtjerr jetën e saj që nga fëmijëria e një vajze të dobët e zeshkane, e më pas, në rininë e bukur por të pasigurt, e deri në rrugëtimin që do ta çonte këtë rioshe napoletane drejt lavdisë ndërkombëtare. Kjo historia e Loren-it i ngjan më shumë një përralle, bashkë me ballot, sprovat e rëndësishme dhe princat e kaltër. E megjithatë, pas divës së kinemasë, buzëqesh një grua e ndrojtur, por e vendosur, që ka vuajtur shumë, ka punuar edhe më shumë, ka dashur me pasion të vërtetë e me doza të lehta ironie. Ajo na shoqëron në qytezën e saj të shkatërruar nga lufta, në Romën e filmave të parë amerikanë, në Italinë e viteve të arta. Ajo na njeh me Marcello Mastroianni-n dhe Cary Grant-in, Charlie Chaplin-in dhe Audrey Hepburnin, e shumë të tjerë. Ajo buzëqesh bashkë me ne mbi tapetet e kuqe në Hollywood, Cannes dhe Berlin. Gjithmonë ajo na çon edhe pas perdeve, ku rreh zemra e saj prej bashkëshorteje, nëne, gjysheje, përreth një familjeje të cilën e ka konsideruar gjithmonë, si filmi i saj më i mirë.
I shkruar me zemër, ky libër është një udhëtim entuziasmues në historinë e kinemasë, një roman plot me jetë, një ëndërr që një ditë u bë realitet. Sofia Loren është diva më e madhe italiane dhe një nga aktoret më të njohura në botë. Në karrierën e saj të jashtëzakonshme ajo ka interpretuar në mbi njëqind filma dhe ka fituar nëntë David di Donatello, dy Globi d’Oro, Coppa Volpi dhe Leone D’Or në Venezia për karrierën, pesë Golden Globe, një çmim Bafta, një çmim për interpretimin më të mirë femëror në Cannes, një Oskar si aktorja më e mirë (1962) dhe një Oskar për karrierën (1991).