Nga Monika Shoshori Stafa
Turqit dhe bullgarët kanë zënë një vend të vecantë në historitë që kam lexuar për Greqinë, zakonisht kanë qenë armiq që në kohë të hershme, ndërsa hebrenjtë në përgjithësi kanë qenë pak ose aspak të përfshirë në historinë kryesore dhe shumë të rëndësishme të shfaqjes së Greqisë në skenën ndërkombëtare. Dhe nuk do të ishte e tepërt të thuhej se ata për shekuj me radhë kishin mbizotëruar në jetën e qyteteve greke si Janina dhe Selaniku. Në fund të vitit 1912, ata ishin grupi më i madh etnik dhe në sabath (e shtuna e hebrenjve) në porte ishte qetësi. Hebrenjtë ishin tregtarë të pasur; por një pjesë e madhe e tyre ishin portierë dhe punëtorë krahu, rrobaqepës, shitës ambulantë, peshkatarë etj. Sot gjurmët e vetme që dëshmojnë për epërsinë e tyre janë disa emra në tabelat e vjetruara të dyqaneve dhe me dhjetra gurë varri me mbishkrime në hebraisht. Në këto qytete si kudo tjetër nazistët i dhanë fund të papritur jetës së hebrenjve. Por kishte dhe shumë shekuj të tjerë kur ata kishin jetuar në qytetet si Janina dhe Selaniku në paqe dhe kur problemet e perspektivat e tyre kishin qenë të ndryshme. Hebrenjtë e Janinës ndaheshin në disa grupe kryesisht në romanjotë dhe sefaradi. Quheshin romanjotë ata të cilët prejardhjen e tyre e kishin nga Roma e lashtë. Bëhet fjalë për kohën e Cezarit kur hebrenjtë trasportoheshin si skllevër në Romë. Ndërsa sefardi ata të cilët vinin nga Gadishulli Iberik pas dëbimit të tyre nga Spanja. Janina dhe Selaniku ishin përcaktuar si dy qendra të njohura të mësimit të fesë hebreje por trazirat e shkaktuara nga Mesia i Rremë gjatë shek. të XVII, Sabata Zevi dhe besimi i ndjekësve të tij edhe pas konvertimit të tij në fenë islame, formuan një pjesë të historisë tërheqëse nga më pak të njohurat në Europë. Të favorizuar nga sulltanët, hebrenjtë arritën të kontribuojnë fort në ndërtimin e këtyre dy qendrave të mëdha qytetare. Aty besimet dhe gjuhët përplaseshin e përziheshin nën një atmosferë devocioni të përbashkët dhe misticizmi mesianik. Por jeta nuk ka qenë gjithmonë e qetë. Shpesh herë nën presione të ndryshme politike dhe nacionaliste grupe të ndryshme hebrenjsh sefardi dhe romanjotësh të profesioneve të lira u larguan prej këtyre qyteteve për tu vendosur pranë vendeve fqinje, si Turqia, Shqipëria, Maqedonia dhe Bullgaria. Në Shqipëri për shkak edhe të kulturës së butë të sjelljes që shqiptarët kishin me të huajin prurjet e tyre ishin jo të vogla. Ata u vendosën kryesisht në Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Vlorë e Berat. Aty u mirëpritën nga shqiptarët ndër shekuj dhe në heshtje filluan të ndërtonin jetën e tyre. Historiografia tradicionale shqiptare, në atë masë që është marrë me çështjen e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, i është përmbajtur një shpjegimi thuajse folklorik, që gjithçka ndodhi për shkak të mikpritjes shqiptare, besës dhe bujarisë. Kjo mënyrë të arsyetuari ka qenë krejtësisht e kufizuar. Virtyti shqiptar si cilësi popullore përballë një doktrine filozofike racore të përpunuar në mënyrë gati matematike, siç ishte doktrina hitleriane “Final Solution”, është i pamjaftueshëm. Nesim Kohen, një shqiptar hebre, parardhësit e të cilit kanë ardhur në Shqipëri në fund të shek. 19-të nga Janina tregon se të afërmit e tij ikën nga ai qytet për shkak të nuhatjes që kishin për të zhvilluar më tej tregtinë. Jozef Kohen, gjyshi i babait të tij së bashku më të vëllanë vendosën të qëndronin në Delvinë dhe të nisnin jetën e tyre deri në kohën e rënies së regjimit komunist.
Shumë hebrenj erdhën e u vendosën në Shqipëri ndër shekuj, por sidomos gjatë Perandorisë Osmane. Një prej tyre është dhe familja juaj. Si u gjend familja Kohen në Shqipëri pas largimit nga Janina dhe përse në Shqipëri, në një vend kaq të varfër?
Kohen: Më kujtohet kur babai më tregonte thoshte shpesh se arsyeja kryesore kur ata vendosnin të banonin në një qytet, gjëja e parë që mendonin ishte se cfarë biznesi mund të ngrinin mbi bazën e studimit fillimisht të vendit ku ata do të qëndronin dhe situatës sociale. Sipas tij edhe shtëpia duhesh ngritur afër biznesit në mënyrë që cdo gjë të kontrollohej qartësisht. Po të shohësh foton e stërgjyshit, Josef Kohen, lart duket një shtëpi dhe poshtë gjenden dyqanet. Arsyet ishin vandalizmat, vjedhjet etj. Burrat e familjes shpjegonin se ishte mirë për biznes të zgjidhje qytete – porte. Arsyeja kryesore ishte lehtësimi i transportimit të mallrave me shumicë që kryhej me vapor sepse në këtë mënyrë kjo gjë kushtonte më lirë. Kryesisht mallrat vinin nga Italia dhe ky vend ishte burimi kryesor për hebrenjtë e Shqipërisë dhe të Greqisë. Sipas babait një tjetër arsye ishte dhe gjetja e një vendbanimi ku kishte një dendësi të madhe popullsie që duket të jetë një tjetër faktor pozitiv për tregtinë.
Cilat janë familjet me një status të vecantë që ju mbani mend asokohe? Familjet e mëdha hebreje që mund të mbështesnin financiarisht ngjarje të mëdha politike, si lufta e Vlorës, pavarësia e Shqipërisë, etj.
Kohen: Familjet më të pasura në komunitetin e Vlorës ishin familjet e Rafael Jakoel, ajo e Pepe Levit dhe e Josef Kantozit, kjo e fundit ishte dhe një nga familjet më të vjetra në Vlorë. Sipas rrëfenjave të ndryshme, Josef Kantozi ishte shumë i pasur. Por gjithashtu dhe një patriot i madh. Ai mbante gjatë periudhës së fillim shek. të 20-të, një funksion në polici. Pjestarë të familjes së tij sot tregojnë se shtëpinë e Kantozëve e ka vizituar dhe vetë Ismail Qemali. Jozefi ka marrë pjesë në luftën e Vlorës më 1920 bashkë me Mateo Matathian, një tjetër hebre patriot, shumë i pasur po ashtu. Pepe Levi gjithashtu rridhte nga një familje mjaft e kamur. Ajo ishte një familje e cila pat kontribuar në të holla në luftën e Vlorës. Në komunitetin tonë si nëna më tregonte, ka pasur një solidaritet të jashtëzakonshëm mes tyre. Ata e ndihmonin mjaft njëri- tjetrin ekonomikisht. Mbështetja morale ishte gjithaq për t’u lëvduar mes tyre. Kjo shkon dhe sepse hebrenjtë i mbajnë shumë afër marrëdhëniet mes tyre ndryshe nga komunitetet e tjera. Në vitet e luftës gjyshi im Shemo Kohen kish filluar të krijonte familjen e tij. Ai kishte arritur të siguronte një gjendje ekonomike shumë të mirë dhe rrethohej nga një rrjet shoqëror me një nivel të lartë intelektual. Disa nga miqtë e tij ishin Spiro Kondoi që me fjalën e parë që gjyshi i kërkoi ndihmë për t‘i shpëtuar gjermanëve, u tregua i gatshëm duke i strehuar në Dhivër, me të afërmit e tij për gjithë natën. Ndër të tjerë miq të tij besnik ishin Islam Radovicka, Mustafa Qelimi, Sulo Puto, Jani Melo, partneri i tij në tregti Veliko Malile, etj. Në Vlorë, gjyshi tjetër Nesim Sollomoni dhe nipi i tij, Ilia Sollomoni të cilët nuk ishin në gjendje ekonomike aq të mirë, mundoheshin të bënin një jetë normale por miqtë dhe ata i kishin të shumtë. Po përmend disa: Ruzvelt Ferra dhe Zudi Ferra, familja Ndini, Koco Qirinxidhi, Vangjel dhe Kico Dhimitri, Petref Myslimi, Kico Polo, Vlas Peto etj. Gjithashtu miqësia shtrihej deri në fshatrat e Vlorës si Izet Memet Llazaj në Trevllazër, Nuro Hoxha dhe i biri, Zahim Hoxha ngaTërbaci, Zia Azbiu nga Kanina, Xhelo Novruzi nga Tragjasi, Muasil Dulaj nga Trevllazëri, të cilët gjyshi i ndihmoi kur u internuan nga italianët si nënshtetas grek në Shirok të Shkodrës. Me disa nga familjet e tyre ne ende kemi lidhje miqësore. Kanë kaluar afërsisht dy gjenerata dhe miqësia vazhdon. Kjo tregon se lidhja midis popullit shqiptar dhe hebrenjve ishte unike. Ato vite fjala Besë ishte domethënëse dhe kuptimplotë prandaj mbijetonte lidhja miqësore midis hebrenjve dhe shqiptarëve. Në Vlorë ishte qendra e komunitetit tonë dhe nëse pyet dikë, jam i sigurt se do të jetë i gatshëm të tregojë histori të bukura miqësie shqiptarësh me hebrenjtë, pasi secili nga ne ka historinë e vet me ju. Të gjitha familjet hebreje pasi mbërritën në Shqipëri në periudha të ndryshme historike filluan të lëviznin nëpër qytete të ndryshme të vendit por sidomos në Tiranë. Peripecitë e tyre sidomos lanë gjurmë kur mbërritën në Shqipëri gjatë kohës së një Europe të kërcënuar nga pushtuesi nazist. Ata zbritën që andej për të shpëtuar nga vdekja e sigurt. Për Shqipërinë kishin dëgjuar se në këtë vend hebrenjtë përkraheshin nga qeveria dhe mirëpriteshin nga populli shqiptar. Dhe kjo rezultoi e vërtetë. Dhe si historia tregoi më tej, asnjë hebre nuk u prek në territorin e Shqipërisë pasi populli juaj i strehoi ata me shumë përkushtim. Sot në Muzeun e Holokaustit në Ëashington dhe Israel ndodhet ndër të tjera një mur i vecantë për Shqipërinë ku shkruhet se: “Shqipëria, i vetmi vend në botë që shpëtoi hebrenjtë nga gjermanët”.
Përse shkruhet shpesh nëpër artikuj qoftë edhe izraelitë se hebrenjtë u shpëtuan nga myslimanët në Europë, sic ishin shqiptarët. Kur në fakt sipas dëshmive të mbledhura ata u shpëtuan nga i gjithë populli shqiptar pa dallim feje e krahine? Si mendon a është i drejtë ky përcaktim?
Kohen: Kam folur me disa hebrenj të moshuar të komunitetit tonë që jetuan ato kohë në Shqipëri. Ata nuk besojnë në këtë doktrinë dhe thonë se kjo mbetet një cështje politike. Sipas tyre Israeli, don t’i tregojë botës se një vend musliman strehoi dhe shpëtoi hebrenjtë gjatë periudhës së luftës ndërsa tani ka kaq shumë konflikte mes palëve. Po të tregoj një fakt që e kam dëgjuar vetë nga dr. Mordecai Paldiel. Ai ka qenë drejtor në departamentin “The Righteous Among the Nations” në Jad Vashem. Para ca vitesh erdhi të intervistonte nënën me historinë e saj. Ndër të tjera profesori më tregonte se si lindi idea që të shkruhej libri “Besa” dhe kush ishte inisiatori. Ai më tha se si fotografi që intervistoi dhe fotografoi njerëzit në Shqipëri kishte plan të realizonte një libër mbi hebrenjtë e shpëtuar nga gjermanët. Mendimi i tij ishte të shkonin në Rusi por shpenzimet që do të duhej të përballoheshin ishin të larta. Atëherë dr. Paldiel i thotë pse të shkonin në Rusi kur do të ishte më me interes po të shkonin në një vend shumë herë më të vogël dhe pa shpenzime të mëdha si Shqipëria. Dr. Paldiel i kish treguar disa histori shqiptare dhe natyrisht kontaktet për të realizuar me sukses misionin e tij. Paldiel ndër të tjera i kish thënë edhe këto fjalë: “…në Shqipëri do të duhet vetëm një përkthyes dhe asgjë tjetër”. Kështu fotografi erdhi në Shqipëri nëpërmjet lidhjeve që i rekomandoi dr. Paldiel dhe realizoi librin bashkë me dokumentarin “Besa”.
Si e pritën hebrenjtë përfundimin e luftës antifashiste në Shqipëri? Cfarë bënë ata pas saj ? Përse disa ikën në vendet e tyre të origjinës apo në Izrael? Deri kur vazhdoi kjo?
Kohen: Mbarimi i luftës dhe tërheqja e gjermanëve nazistë nga aleatët ishte njëkohësisht dhe si një lirim shpirtëror i hebrenjve në Shqipëri. Të ardhurit dhe vendasit e dinin shumë mirë se cfarë kishte ndodhur me të afërmit e tyre në vendet ku u masakruan barbarisht prandaj dhe zgjodhën Shqipërinë për t’u strehuar. Hebrenjtë të cilët erdhën përkohësisht duhet të ktheheshin prej nga erdhën pasi në vendet prej nga kishin ikur kishin lënë gjithë mundin dhe jetën e tyre. Kjo gjë ishte shumë e natyrshme në atë kohë. Është njësoj si të pyesësh, përse u kthyen shqiptarët e larguar në atë kohë në Shqipëri kur shpëtuan nga kampet e përqëndrimit. Ata që erdhën përkohësisht e që ishin rreth 2000 të tillë, vinin kryesisht nga Austria apo Jugosllavia. Ata u larguan me dëshirën e tyre deri në fillim të vitit 1946. Por një gjë është e sigurt se kudo ku ishin dhe me këdo që flisnin, rrëfenin historitë e tyre të mbijetesës mes familjeve shqiptare duke mos përvecuar, të kujt besimi ishin. Edhe sot nuk e kanë harruar këtë sjellje të tyre. Pasi mbaroi lufta, dy nga të afërmit e mi u larguan nga Vlora nëpërmjet kufirit me Greqinë. Atje mësuan se vëllai i tyre kishte shpëtuar gjallë nga kampet naziste të Gjermanisë dhe së bashku tani të tre vëllezërit, duhet të nisnin nga fillimi jetët e tyre. Dy prej tyre vrapuan drejt Izraelit, kur shteti izraelit u themelua në vitin 1948. Pas viteve ‘65 u largua dhe nëna e tyre e cila shkoi edhe ajo në Izrael. Kurse familja e dajos së babait, David Kohen u largua nga Shqipëria në vitin 1966. Asnjëherë nuk ishin ndaluar kërkesat e hebrenjve për riatdhesim por regjimi i Hoxhës pas vitit 1947 ndoqi një politikë të hekurt. Ato familje që mund të largoheshin gjenin si pretekst nënshtetësinë greke.
Cilët prej hebrenjve qëndruan pa u larguar nga Shqipëria ?
Kohen: Me ardhjen e pushtetit komunist në fuqi situata ndryshoi tërësisht. Të gjithë e kuptuan se shumë shpejt do të humbisnin gjithcka që kishin fituar si para, dyqane, shtëpi etj. Propaganda komuniste ishte kaq e hapur sa nuk duhej të ishe shumë i zgjuar ta kuptoje. Gjyshi im Shemo Kohen donte të largohej bashkë me familjen e tij, fillimisht në Israel. Atje ai kishte blerë dhe një truall për të ndërtuar shtëpi. Por ishte dhe një mundësi tjetër të vendosej në Angli. Atje kishte një mik të ngushtë familjar dhe njëkohësisht një nga burimet ku ai furnizonte dyqanet me mall. Miku i tij quhej Pepe. Në të dy rastet prindërit e tij nuk pranuan të largoheshin sepse në Shqipëri kishin gjithë mundin dhe djersën e tyre. Ata nuk mund të gjenin sigurinë se cfarë mund të ndodhte atje ku do shkonin prandaj ndjeheshin më të sigurtë në Shqipëri. Gjyshi megjithatë vendosi të largohej nga kufiri me Greqinë por miku i tij, Spiro Kondoi e ndaloi sepse rrugëve për në kufi, mes maleve, dalnin banda kacakësh të cilët grabisnin njerëzit që përpiqeshin të largoheshin si gjyshi Shemo. Ai erdhi në Vlorë pasi vëllai i gjyshes ishte në Vlorë. Ishte pikërisht ardhja në këtë qytet që shkatëroi gjithcka sepse këtu kish shumë komunistë dhe e trajtuan gjyshin si gjithë tregtarët e tjere duke ia marrë të gjitha. Duhet pranuar dicka, në atë kohë njerëzit talleshin me hebrenjtë duke i ngacmuar me shprehje të tilla si “dilni o cifutë se erdhi vapori në Gjirokastër”. Kjo ishte një ironi e tyre për t’i poshtëruar ata. Por kjo ishte më shumë një sarkazëm që vinte prej Sigurimit të Shtetit sepse unë jam i sigurt si cdo hebre se masa e popullsisë shqiptare ne na donte. Babai im megjithatë nuk i shpëtoi survejimit. Kjo sepse ai ishte një nga njerëzit që ndihmonin hebrenjtë e tjerë të pajiseshin me pasaporta. Më vonë kur pasuria e tij u konfiksua, ai vendosi të arratisej.
Po në vitet e mëvonshme si shkoi kalvari i hebrenjve që kishin nisur riatdhesimet që prej vitit 1946 ?
U bë një tjetër përpjekje e hebrenjve për tu riatdhesuar në vitin 1952. Por dhe këtë vit ishte Enver Hoxha ai që e nxori dhe e anulloi urdhrin. Atë kohë, familja e dajës së babait u vendos në SHBA dhe përfundimisht u lidh me familjen e hallës së babait tim, Leon Matza atje. Ky i fundit kishte shumë mik sekretarin e shtetit amerikan z. Henry Kissinger dhe nisur nga kjo, i kërkoi ndihmë atij për të tërhequr familjen nga Shqipëria. Përgjigja që vinte prej tij ishte se “është e pamundur të bashkëpunohet me atë shtet kështu që harroji tratativat”. Kjo ka qenë një bisedë e viteve ‘70. Pikërisht atëherë kur shteti komunist ishte konsoliduar dhe kampet politike kishin ngritur muret e tyre të komunikimit, të gjithë e kuptuan se ishte e pamundur të largoheshin nga ai vend. Ata pranuan të ishin qytetarë të një vendi të palirë dhe ulën kokën si gjithë shqiptarët e tjerë ndaj fatit kokfortë. Por shumë nga fëmijët e hebrenjve të mbetur u edukuan nëpër universitete. Ata që ishin të shkolluar u sistemuan menjëherë në vende të rëndësishme pune. Madje kishte nga ata që u bënë pjesë e administratës komuniste dhe në dikastere të larta. Një nga ata ishte Pepe Kantozi i cili punonte në zyrën sekrete të Ministrisë së Mbrojtjes. Pepja doli në pension në lirim i pa prekur dhe i nderuar deri sa iku drejt Izraelit në vitin ’91. Vëllai i tij, Mimiko Kantozi punonte drejtor në drejtorinë e përgjithshme të turizmit. Të dy vëllezërit ishin partizanë gjatë kohës së luftës. Shumë të tjerë shërbenin si shefa llogarie apo magazinierë nëpër ndërmarrje të ndryshme të Shqipërisë. Megjithëse kryesisht ishin sistemuar në jetën e tyre, sërish ëndrra ishte të largoheshin nga Shqipëria sepse në fund të fundit ata si gjithë populli shqiptar nuk e duronin dot diktaturën.
Cfarë ndodhi pas viteve ’90? Si arritën ata të organizoheshin për tu larguar nga Shqipëria ?
Kohen: Në vitin 1990 disa nga ne, arritën të kishin pashaportat e tyre për të shkuar si turistë në Greqi. Arsyeja ishte të takonin të afërmit e familjeve. Por në fakt misioni i tyre ishte të krijonin një lidhje me organizatat e Signutit apo Hias për të na tërhequr ne të tjerëve nga Shqipëria. Dhe në vitin 1989, dr. Ana Kohen vjen në Shqipëri me një qëllim të caktuar, jo vetëm për të tërheqë të afërmit e familjes së saj por të bëjë të mundur për të gjithë largimin e tyre nga një vend shumë i varfër sic ishte Shqipëria e atyre viteve. Ndërkohë babai shkon në Greqi dhe nëpërmjet babait të Anës lidhet me organizatën dhe ndërtojnë plane se si të largoheshin hebrenjtë e fundit nga Shqipëria në rrugë legale. Zino Matathia dhe Josef Jakoel krijuan lidhjet me organizatën e Signutit e që këtej kur u kthyen në Shqipëri filluan të hartonin listat nëpërmjet njerzve të tjerë. Ikja e fundit e hebrenjve, kjo përpjekje e tretë e tyre ishte dhe e fundit përpjekje për tu larguar nga ky vend që megjithëse i mirëpriti në një kohë të vështirë terrori nazist, nuk ia pranuan dot regjimit mungesën e lirisë në lëvizje, shprehje, besim fetar, etj.