Entela Sula Prifti
BOSTON – Vetëm mendimi që do të shihja Isabel Allende live në prezantimin e librit të saj më të ri, më krijonte flutura në stomak. Portretin e saj të ngrohtë e kam ndeshur për herë të parë në foton mbi kopertinën e librit “Shtëpia e Shpirtrave” të cilin e kam lexuar diku në adoleshencën e herët, ne shqip. Por as në ëndërrat më të largëta se kisha menduar që po këtë portret të ngrohtë gruaje do ta ndeshja sërish, këtë rradhë të jetësuar, të gjallë, vital, në tempullin e dijes, Universitetin e Harvardit.
Përtej gjithë hamendësimeve të mia ajo ishte trupvogël, e imët aq sa dhe podiumi ku do të referonte nuk e ndihmoi të shquhej në atë sallë të madhe, të mbushur plot me miq të librave të saj. Teksa e shihja e magjepsur duke bindur veten që ishte ajo dora vetë, salla shpertheu në të qeshura, sepse kjo grua për habinë time kishte një humor të jashtëzakonshëm, a thua se përpara kishim një komediane.
Prezantimi i librit “Ripper” (Rrjepësi) ishte fare i shkurtër . Ajo zbuloi pak detaje dhe jo pa qëllim, ku një prej tyre ishte zhanri. Këtë herë ajo u kishte shpëtuar magjistarëve dhe magjive, duke i lënë ata në një tjetër botë. Romani “Ripper” (Rrjepësi) sipas autores ishte një thriller, në qendër të të cilit është vendosur personazhi Amanda Martin, një adoleshente që në imagjinatën e Allendes do të demaskoj një vrasës serial në San Fracisco. Të provuarit e një tjetër zhanri i pat kushtuar asaj ditë të tëra debat me bashkëshortin Ëillie Gordon, një shkrimtar muza e të cilit janë pikërisht historitë thriller. Ai e quajti të dështuar romanin e saj që në faqet e para, por gaboi!
Romani i fundit i Allendes njohu një sukses të jashtëzakonshëm në Spanjë e Itali që në ditët e para të botimit dhe së fundmi ai po prezantohej në gjuhën angleze pikërisht në Boston!
Duke “prekur” nga afër atë forcë humori dhe energjie të kësaj gruaje trupvogël tashmë 71 vjecare, kupton se fjalimet e gjata dhe të mërzitëshme nuk janë prerja e saj. Ndaj rrufeshëm i kërkon publikut pyetje ku si një surprizë për mua pyetja e parë vjen pikërisht nga një shqiptare. M’u përkëdhel sedra. Qindra lexues të Allendes dhe vetë ajo po mësonin prej Valbonës se librat e shkrimtares së madhe flasin dhe shqip. Altoparlantët kumbonin emrin e vendit tim përpara një publiku anglisht dhe spanjisht folës.
Pak largësia nga vajza shqiptare që në këmbë formulonte pyetjen e saj dhe pak përhumbja në kujtime, pikërisht atëhere kur e vogël lexoja “Shtëpia e Shpirtrave” më bëri të dëgjoj vetëm fraza të shkëputura të pyetjes. Gjithë c’kuptova ishte komunizmi, leximi fshehurazi i librave të ndaluar dhe që vajza në fjalë kishte dhënë puthjen e saj të parë në moshën 14- vjecare, fill pasi kish kthyer faqen e fundit të librit “Shtëpia e Shpirtrave” Ky detaj e bëri Allenden të qesh fort por njëkohësisht të ndjehej e gëzuar që librat e saj janë përkthyer edhe në shqip krahas gjuhëve të tjera klasike.
“Më vjen mirë të dëgjoj këtë nga një lexuese sepse shpesh herë më kap frika lidhur me përkthimet e librave të mi. Ata mund të kenë emrin tim në kopertinë ndërsa në brendi një subjekt që ka të bëj fjala vjen për edukatën seksuale”.
Në pergjigjen e saj për Valbonën ajo përmendi se komunizmi ishte një pikë e përbashkët mes dy vëndeve të origjines, Shqipërisë në rastin e Valbonës dhe Kilit në rastin e Allendes, ndaj të lexuarit fshehurazi ishte një fenomen që as ajo vetë si kishte shpëtuar që në fëmijërin e herëshme.
Një tjetër pyetje e ktheu Allenden në fillimet e karrierës së saj dhe pikërisht në librin e parë! Për cudinë time, ndryshe nga sa isha mësuar të dëgjoj Allende nuk ka nisur të shkruaj që në moshë të re. Përkundrazi romani i saj i parë “Shtëpia e Shpirtrave” i cili i dha famën u shkrua kur ajo ishte 40 vjec, në një kohë kur martesa e saj e parë kishte humbur forme dhe përmbajtje. “Suksesi i dy librave të parë shënoi dhe momentin vendimtar, të hiqja dorë nga cdo marrëdhënie tjetër pune dhe t’i përkushtohesha totalisht të shkruarit” Dhe kur dikush tjetër e pyet a është e lehtë të shkruash ajo përgjigjet prerë, jo!
“Të shkruarit është njësoj si sporti, ku ti duhet të stërvitesh cdo ditë, të djersitesh dhe të lodhesh për të marrë në fund rezultate të mira. Edhe në letërsi një shkrimtar shkruan me dhjetëra drafte, pushon,rikthehet, korrigjon për të përftuar një faqe të vetme”
A është i lodhshëm të shkruarit? “Sigurisht” thotë ajo. “Madje lodhja shpesh herë dikton dhe fundin e librave të mi. Kur e shoh që jam e lodhur me personazhet dhe fabulën aty kuptoj se libri i rradhës duhet të ketë një fund, një mbyllje” Pa dyshim që Allende është një model botëror, modeli i shkrimtares, modeli i një gruaje të suksesëshme! Por nëse formula e modelit do të përmbysej a do të gjenim te Allende modele frymëzimi që kanë ndikuar e formësuar procesin e saj të të shkruarit? “ Autorët rusë por mbi të gjitha libri “1001 Netë” thotë ajo.
Kaq u desh që shkrimtarja të nxjerrë nga sënduku i kujtimeve ditën kur për herë të parë i ra në dorë pikërisht “1001 Netë.
“Atëherë jetonim në Beirut pasi njerku im ishte diplomat në këtë vend. Në rezidencën tone diplomatike një prej dollapëve ishte më i vecanti për të dhe gjithmon qëndronte i kycur. Gjithë c’ka dija ishte se në atë dollap kishte puro, wisky, revista playboy dhe katër volume të mëdhenj librash. Isha vetëm 13 vjec në atë kohë dhe sigurisht revistat playboy më ngacmonin kureshtjen, por më tepër se ato të qetë nuk më linin katër volumet e librave. Një ditë teksa njerku merrte pjesë në koktelin e rradhës gjeta mënyrën për të hapur dollapin e ndaluar. Me një elektrik dore fillova të shfletoj librat.U mrekullova! Nxitoja të lexoja sa të mundja, kapërceja faqe të tëra dhe historitë mu ngatërruan e mu bënë lëmsh. Pikërisht nga këto histori të bëra lëmsh të librit “1001 Netë” fillova të krijoj në imagjinatën time, përbindësha, magjistarë dhe magji të cilet më pas do t’i ktheja në personazhe librash” Ajo përkrah lëvizjet feministe dhe kjo nuk është e vështirë për t’u kuptuar sidomos po të shfletosh librat e saj. Këtë do t’ia sillte në vëmëndje një prej të pranishmve në sallë dhe sipas saj të qënurit feministe ishte e pritëshme jo vetëm sepse ajo u rrit me shumë femra rreth vetes por sepse donte të thyente tabun që një femër duhet të jetë e përulur ndërsa burrat të gëzojnë cdo të mirë. “Unë nuk dëshiroja të isha si ime më, një grua e bindur dhe e përulur ndaj familjes, burrit dhe kishës. Për më tepër besoj se bota do të jetë më e mirë po të drejtohet nga gratë por kjo sdo të thotë që nuk i dua burrat”
Në mbyllje të sesionit të pyetjeve, përpara se ajo të niste nënshkrimin e autografeve një meso-grua me ngulm kërkonte të drejtonte pyetjen e rradhës, një pyetje që do t’i përlotëte të dyja, shkrimtaren dhe gruan për shkak të historive të ngjashme. Përlotja buronte nga dhembja e madhe e nënës që humb vajzën e vet. Libri “Paola” do të ishte çlirimi i Allendes nga kjo dhembje, një katarsis sic do e quante ajo.
“Të shkruarit e librit “Paola” ishte shpëtimi vetëm nga dhembja që më kishte pushtuar. Unë nuk kisha më jetë. Lehtësimi vetëm ishte të shkoja në varreza dhe të qendroja pranë time bije për orë të tëra. Sot jam e lumtur që e kam shkruar atë libër. Nuk e ekzagjeroj nëse them se cdo ditë marrë mesazhe nga cdo vend i botës, ku njerëzit më tregojnë përjetimet e tyre pasi kanë lexuar “Paola”. Kjo më bën edhe më të lumtur sepse kuptoj që Paola jeton, dhe ajo prek zemra njerëzish kudo ata ndodhen”
Nuk do të kishte mbyllje më të bukur takimi me Isabel Allende! Duartrokitjet ishin të gjata! Teksa e shoh që rrethohet nga dhjetëra admirues për të dhënë autografin e rradhës ashtu sic zakoni e do, e ndjej veten me fat! Me atë lloj fati që vetëm njëherë vjen në jetë. Jo vetëm sepse kam takuar një prej shkrimtareve që me librat e saj më rrëmbeu për netë të tëra gjumin por mbi të gjitha kisha takuar një grua që më frymezimin e saj do të prekë zemra te tjera si ajo e imja!
Illyria news