Nga Alisa Veliaj
Askush s’merr mundimin
Ta dëgjojë rrëfenjën prej fillimit.
Gjethja është gjethe
Dhe pema është pemë.
E gjelbra prore mbetet
Iluzion pamor,
A shtrat i drunjtë i pavetëdijes.
Njëherë dashurova bredhin që s’ishte bredh
Dhe tremba vetminë me degë kaltërsie.
Pastaj aq shumë më lodhi pagjumësia,
Sa rashë e lehtë pupël mbi kurora pemësh.
E pikërisht këtu nis përralla,
E asaj ç’ka pelegrinët të thanë për mua;
Se njëherë paskam qenë krejt prej mishi,
Por më pas-thurinë gjethnaje,
Një natë shtatori humba aftësinë
Që të ndiej afshet e kurmit tënd.
E ftohtë si në genet e origjinës,
Frymoj netëve nën hije qirinjsh
Pa kuptuar kurrfarë gjëje
Nga loja e brishtë e flakëzës.
…Dhe rrëfenja mbaron çdo natë me hënë
Kur ti i dehur nga lëbyrje trupash
U falesh Venerave me fytyra të mjegullta.
Pelegrin i trishtë
I udhëve ku pemët s’kanë gjethe!