Shkrimtari Senthuran Varatharajah është shpërblyer me Çmimin Promovues Letrar të Bremenit për romanin «Rritja e shenjave», në të cilin një vajzë nga Kosova (Valmira Surroi) dhe një i ri nga Sri Lanka (Senthil Vasuthevan) rrëfejnë për botën e tyre të prejardhjes, për Gjermaninë dhe udhëtimin hulumtues në gjuhën e re
Çmimi Letrar i Bremenit është ndër mirënjohjet më prestigjioze dhe më të vjetra letrare në Gjermani. Ai jepet që nga viti 1954 nga Fondacioni «Rudolf-Alexander-Schröder». Sivjet këtë çmim me vlerë prej 20 mijë eurosh e mori Terézia Mora, një autore hungareze, e cila jeton në Berlin që nga viti 1990. Mora u nderua për vëllimin me tregime «Dashuria mes alienëve». Çmimi Promovues Letrar i Bremenit, ndërkaq, iu nda Senthuran Varatharajah. Autori është lindur në vitin 1984 në Sri Lankë dhe ka studiuar filozofi, teologji evangjeliste dhe shkenca kulturore në Marburg, Berlin dhe Londër. Mediat gjermane e vlerësojnë Senthuran Varatharajahun si yll të ri të skenës letrare gjermane. Në vitin 2014 ai mori pjesë në Ditët e ’38 të Letërsisë Gjermane dhe, ndonëse nuk kishte publikuar asgjë më parë, u shpërbyle me çmimin e televizionit 3Sat.
Tani Senthuran Varatharajah është nderuar për romanin e tij debutues «Rritja e shenjave», në të cilin një vajzë nga Kosova (Valmira Surroi) dhe një i ri nga Sri Lanka (Senthil Vasuthevan) rrëfejnë për botën e tyre të prejardhjes, për Gjermaninë dhe udhëtimin hulumtues në gjuhën e re.
Mbi përmbajtjen e romanit shtëpia e njohur botuese S. Fischer Verlag shkruan: «Rastësisht Senthil Vasuthevan dhe Valmira Surroi fillojnë një bisedë në Facebook. Ai jeton si doktorant i filozofisë në Berlin, ajo studion historinë e artit në Marburg. Shtatë ditë me radhë ata i tregojnë njëri-tjetrit për jetën e tyre, pa u takuar. Njoftimet e tyre kanë të bëjnë me familjet e tyre dhe me ikjen nga zonat e luftës, për fëmijërinë në qendrën e azilit dhe kohën e shkollës dhe studimeve. Në romanin e tij debutues Senthuran Varatharajah shkruan për prejardhjen dhe ardhjen në një vend të huaj, për kujtesën dhe harresën dhe mbi çarjet në biografi, të cilat bëhen të dukshme tek pas një kohe».
Nga gazetat e mëdha gjermane romani është pritur mirë. Një recensente e gazetës «Die Zeit» ka shkruar se «Rritja e shenjave» është «versioni modern i romanit të shkruar me letra» – dhe me një gjuhë të ashpër dhe të kontrolluar. Sipas gazetës «Frankfurter Rundschau» Senthuran Varatharajah ka gjetur për romanin e tij një gjuhë të re, shumë të vetëdijshme dhe poetike për të përshkruar përvojën e arratisjes, humbjes dhe rifillimit. «Toni i veçantë i rrëfimit ia bën të mundshme lexuesit që nga një distancë e caktuar të ndihet në mes të ngjarjes dhe të ketë empati», shkruan recensentja e «Frankfurter Rundschau». Të entuziazmuara me romanin me tematikë nga Kosova janë treguar edhe gazetat «Süddeutsche Zeitung» dhe «Tageszeitung». «Një libër i qetë», që mund të shihet edhe si bekim për debatet aktuale në Gjermani për refugjatët, shkruan kritiku letrar i «Tageszeitung»./dialogplus.ch