Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, me propozim të Ambasadës italiane në Tiranë, ka vlerësuar me titullin “Kavalier i Urdhrit të Yllit të Italisë” regjisorin shqiptar Roland Sejko.
Presidenti e nderoi me këtë titull për kontributin e tij kulturor në fushën e kinemasë për të dyja vendet fqinje.
“Titulli i dokumentarit tim të parë ‘Shqipëria, vendi përballë’ ilustron marrëdhëniet mes dy vendeve,”shpjegon Sejko, “që kanë qenë tema kryesore për të gjithë punën time. Shqipëria është vendi që italianët e shohin ‘nga ballkoni’. Raporte të forta që nga viti 1945, para se të arrinte komunizmi dhe të zbarkonin shqiptarët me anije, që e tregoj në filmin tim “Anija”. Në punimet e mia të fundit kam dhe ‘Arkitektura Italiane në Shqipëri’, e paraqitur gjatë javë së kulturës italiane,” tha Sejko.
Nderimi me titull e organizuar nga Ambasadori i Ri Alberto Cutillo do të bëhet të premten në rezidencën e Ambasadës Italiane në Tiranë.
Regjisori Roland Sejko u rikthye në ekranin e kinemasë me një tjetër film dokumentar- frymëzuar nga vizita e Papa Franceskut në Shqipëri, ai solli filmin me titull “Pritja”, i cili u shfaq në Tiranë. Më 21 shtator 2014, Papa Francesku vizitoi Shqipërinë dhe qe në sfondin e kësaj vizite, që regjisori Roland Sejko rrëfeu një periudhë të historisë së Shqipërisë ku liria e besimit ishte e ndaluar. Filmi dokumentar mbështetet në materiale arkivore dhe historike, ndërthurur me filmime nga vizita e Papa Franceskut dhe momente nga teksti i veprës së At Zef Pllumit, “Rrno për me tregue”.
Ndërkaq, po sonte, gazetari Armand Shkullaku si skenarist dhe regjisori Roland Sejko sjellin filmin dokumentar “Antagonisti” për figurën e Gramoz Pashkos.