Robinsoni i fjalës së lirë Islam Balaj

KARL KRAUS-i, qe publicist, poet, satirist, eseist, dramaturg, aforist e veprimtar shoqëror. Mbi të gjitha, qe intelektual i rangut të lartë, i cili pati një ndikim të madh në rrjedhat historike e intelektuale të kohës. I mbiquajtur ndryshe nga bashkëkohësit, Robinsoni i fjalës së lirë dhe hero i guximit intelektual. Ai ishte padyshim i vetmi njeri në botë, i cili e pati guximin, (pa asnjë mëdyshje, por me shumë sakrifica), të merret me problemin e debatit dhe të sendërtimit të fjalës së lirë. Karl Kraus-i u lind më 28 prill 1874 në Gitschin (Jiçin) Austro-Hungari dhe vdiq në Vjenë të Austrisë, më 12 Qershor 1936.
Vepra të botuara: “Morali dhe kriminaliteti”1908, “Muri kinez”1910, “Ditët e fundit të njerëzimit” 1918/19/22, “Shkatërrimi i botës përmes magjisë së zezë” 1922, “Letërsia dhe mashtrimi”1933, “Gjuha” 1937 , “Fjalët në vargje” (poezi), botuar në nëntë vëllime. Të cilësuara si poezi refleksive.
Si studius i paepur dhe vizionar e intelektual, mbi të gjitha, Karl Kraus-i e kuptoi fare mirë, si askush tjetër, se pasuria dhe fjala e lirë, nuk përputhen absolutisht mes vete. Ai, edhe pse i vetmuar dhe pa përkrahës, por gjithmonë guximtar dhe i palëkundshëm në synimet e veta, ndërmori një aksion sa unik po aq dhe të guximshëm. Vendosi të botojë, me shpenzimet e veta krejtësisht, pa asnjë donacion, pa asnjë përkrahje, pa asnjë mbrojtje, revistën satirike: “Die Fackel” (Pishtari). Kjo qe revista më polemike në botë. Sipas tij gazetaria (media), e korruptuar, shpeshherë e shpërdoron përulësisht fjalën e lirë. Gazetaria e korruptuar, sipas tij, është një nga shfaqjet më makabre dhe skajshmërisht e pamoralshme, e një shoqërie të korruptuar. Ngase politika, partitë politike etj. nuk mund të bëjnë dot pa gazetarinë e korruptuar. Shkalla e korruptimit të gazetarisë, tregon shkallën e korruptimit të të gjithëve
Në krijimtarinë e tij, rol të rëndësishëm zënë drama dhe aforizmat e tij. Ai cilësohet si mjeshtri më i madh i aforizmave, pas Nietzschte-s.
“Ditët e fundit të njerëzimit” (Die letzten Tage der Menschheit), është një dramë monumentale. Drama në fjalë, shpesh krahasohet dhe me veprën: “Komedia hyjnore“ të Dante-s, si dhe me veprat e Goethe-s.
Karl Kraus-i, me këtë dramë, cilësohet, pararendësi i dramës bashkëkohore të Austrisë. Me përmbledhjet: “Të thënat dhe kundërthënat” dhe “Nata” (Nachts), Karl Kraus-i njihet si autori me personalitet më të spikatur të përmasave universale. Ndërsa me vizionet dhe pikëpamjet e tij etike, ai krahasohet dhe me filozofin e njohur kinez, K’ung Q’iu (Konfuçi-n), ndonëse ata i ndante një hark i gjatë kohor jo më pak se 2500 vjeçar.
Për të, me një adhurim të veçantë, ka shkruar dhe poeti i njohur gjerman, Bertolt Brecht-i. Ai shkruan ndër të tjera: “ Askujt nuk do t’i duket e çuditshme që në një kohë si kjo e jona, një njeri shembullor si Karl Kraus-i, të njihet më pak si personalitet, sesa të studiohet për metodat e tij. Mendimet mbi personalitetin e këtij njeriu të jashtëzakonshëm, do të ishin pa asnjë dyshim, shumë të dobishme, por gjendja jonë, domethënë, gjendja e njerëzve që shfaqin mendime për të, në këtë kohë trazirash, e shfajëson padurimin tonë për të dhënë ato aspekte të veprimtarisë së tij që i vlejnë betejës për progres”.
Kraus-i, ishte i lexuar e i vlerësuar dhe nga: Franz Kafka, Walter Benjamin-i, Theodor Adorno, Oskar Kokoschka etj.
Ndërsa një poezi të gjatë me titull: Psalm, ia ka kushtuar dhe Georg Trakl-i, (njëri ndër poetët më në zë austriak e botëror).
Ndërsa për sa i përket gjuhës së pushtetarëve, ai thotë se është një gjuhë me shumë të meta. Përdhunimi që i bëhet gjuhës, shton ai, shënon në vetvete, një çoroditje morale.
Për rolin e madh që pati ai në opinionin publik, flasin dhe veprat tjera të tij, si: “Morali dhe kriminaliteti”19o8, “ Shkatërrimi i botës përmes magjisë së zezë” 1922, si dhe : “Letërsia dhe mashtrimi” 1929.
Karl Kraus-i ishte i njohur dhe si përkthyes. Përktheu disa drama dhe sonete të Shekespeare-it.
Kraus-i, me largpamësinë e tij të pakrahasueshëm, besonte te vlerat absolute të shoqërisë, të bazuara gjithmonë në një humanizëm iluminist.
Pra, vetëm një debat profesional dhe i bazuar në vlerat etike, është kusht për sendërtimin e fjalës së lirë.
Në fund fare, më duhet të shtoj se Karl Kraus-i, ky kolos i fjalës së lirë, (më sa e di unë), ende nuk është përkthyer te ne, e madje as që njihet, apo njihet fare pak./Zeri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *