Nga Luan Rama
Shpesh librat historikë, dorëshkrimet e vjetra, historitë e popujve dhe emigrimet na zbulojnë personazhe e ngjarje të habitëshme për të cilat është shkruar pak ose nuk është shkruar fare. Shumë shqiptarë të shquar i kanë shërbyer historisë dhe kulturës evropiane. Të tjerë, përkundrazi, kanë qënë renegatë, duke u shërbyer pushtuesve apo fuqive të tjera, larg atdheut të tyre, ashtu siç kishte dhe renegatë të popujve të tjerë, grekë, italianë, dalmatë, spanjollë, etj, të cilët, në kohën e dyndjes së tmerrshme osmane drejt brigjeve të Adriatikut dhe në Mesdhe, u detyruan të bëhen renegatë dhe të islamizohen, për të shpëtuar nga vdekja, apo për të fituar lirinë familjet e tyre të robëruara. Një nga ata ishte dhe Arnauti Mami, siç ka hyrë ai në historinë spanjolle apo të Algjerisë, ose më mirë në historinë e piraterisë së Mesdheut, pasi ajo që e dalloi këtë renegat shqiptar ishte pikërisht pirateria dhe rrëmbimi i Miguel Servantesit, autorit të një prej kryeveprave botërore të letërsisë, Don Kishoti i Mançës. Ai ishte një «corsaire» (pirat) i njohur, që komandonte 300 «galerat» (lloj anije) të flotiljes së Algjerit, që në atë kohë ishte në duart e Sulltanit dhe drejtohej nga një guvernator turk. Algjeri në atë kohë ishte në fakt një «shtet piratësh». Shumë vite më vonë nga rrëmbimi i Servantesit, më 1583, Arnaut Mami do të bëhej pasha. Nga të vetmit piratë që u bënë pashallarë gjatë gjithë kohrave njihen vetëm Arnaut Ali Mami, kalabrezi Euldj Ali ( i cili si dhe paraardhësi i tij, pirati Kheir ed Din u bë admiral i flotës osmane), venedikasi Hasan Corso, apo i quajtur ndryshe Hasan Venedikasi si dhe Mezzo Morto (I Gjysmë-Vdekuri), i quajtur kështu, siç duket se nga ndonjë histori, ku ai duhej ti kishte shpëtuar për mrekulli vdekjes së sigurt. Arnaut Mami duket nuk është i njohur në Ballkan, apo në historinë shqiptare, pasi veprimtaria e tij është zhvilluar në detrat e jugut të Mesdheut. Po cila ka qënë historia e tij ? Nga cili vënd i Shqipërisë ishte larguar ? A ishte kthyer vallë më vonë në Shqipëri? Ndoshta arkivat e Konstantinopojës (Stambollit) apo të Algjerit, mund të ruajnë gjurmë të jetës dhe prejardhjes së këtij shqiptari. Sot në Algjer, të gjithë e njohin pallatin e Arnaut Mami, të quajtur ndryshe Shtëpia e Kuqe, apo Dar El Hamra, meqë në të mbizotëron ngjyra e kuqe. Ajo është një perlë e arkitekturës “maureske”, dhe sot shërben si Ministri e Turizmit. Ende dhe sot ekzistojnë në këtë ndërtesë bodrumet e famshme të skllevërve, ku ka kaluar me siguri dhe Miguel Servantes. Por si ndodhi që pikërisht i famshmi Servantes të binte në dorë të Arnaut Mami ? Në ç’kohë kishte ndodhur kjo dhe pse?
Ndryshe nga ç’mund të imagjinohet, në rini të tij Servantesi bëri një karierë ushtarake dhe në fillim u angazhua në regjimentet spanjollë që luftonin në detrat e Mesdheut, por edhe në fanteri (këmbësori) në jug të Italisë. Ai së pari ishte një “guerriero” dhe më vonë do të ishte shkrimtari Servantes. Atëherë, mbretërit dhe princat e Perëndimit, filluan të bashkohen për tu mbrojtur nga dyndjet osmane që vazhdimisht, gjithnjë e më shumë, kërcënonin territoret e Evropës, të cilat rrezikonin të binin nën pushtimin e tyre. Trimëria e Servantesit u vu në sprovë në një nga betejat më të mëdha që Perëndimi i bëri ushtrive të perandorisë osmane në betejën e Lepantos, në gjirin e Korintit dhe të Patras, të komanduara nga Ali Pasha, ku anijet kristiane, duke përfshirë anijet veneciane, spanjolle, napolitane, etj, kapën mbi 110 anije turke dhe fundosën 130 të tjera. Nga kristianët kishte 7-8 mijë të vrarë ndërsa nga turqit 20-30 mijë. Pikërisht në këtë betejë, Miguel Servantesi u plagos nga shigjetat e një harkëtari turk. Për gjashtë muaj ai do të qëndrojë në një spital të Mesinës në Itali, për tu angazhuar përsëri në trupat e të famshmit Don Juan d’Autriche, admiral i «Ligës së Shenjtë», e më pas të Lope de Figuero.
Tashmë ai është bërë një “ushtar elite”, apo “soldado aventajado”, siç i cilësonin këta ushtarë të sprovuar, të cilët pagoheshin me tre dukatë në muaj. Në vend që të kthehej në Madrid, pranë familjes, ai preferoi të bashkohej me trupat spanjolle, duke rrahur detrat e Mesdheut. Madje me anijen e tij ai kishte zbarkuar në Korfuz dhe në ishujt e tjerë të Jonit, për të vazhduar pastaj në brigjet e Italisë dhe marshuar drejt veriut. Më 1572, ai mori pjesë në betejën tjetër të madhe të Navarinit. Pas kësaj, Servantesi do të qëndrojë dy vjet në Napoli para se të kthehet për në Madrid. Pikërisht në këtë kohë ndodh dhe drama e tij. Katër anije spanjolle kthehen drejt Spanjës, duke u ngjitur sipër Korsikës. Por në detin e jugut të Francës, jo larg portit “Les Saintes Maries de la Mer”, ata sulmohen papritur nga një flotilje barbareske e komanduar nga Arnaut Mami dhe lietnanti i tij, renegati grek, i quajtur Dali Mami. Gjatë kohës së sulmit, Miguel Servantesi është në anijen “Sol”, por befasia e sulmit i ka ç’orientuar të gjithë. Ishte data e 23 shtatorit të vitit 1575. Shumica vriten dhe Servantesi është nga të fundit që kapet rob, siç kujton dhe një nga bashkëluftëtarët e Servantesit, Antonio Marco, i cili shkruan se “Migueli rezistoi shumë dhe ishte nga të fundit që u kap rob”. Edhe Servantesi që përshkruan këtë histori tregon se “I gjëndur vetëm duke luftuar, gjithë plagë, u detyrua më së fundi të dorëzohej”. Të lidhur me zinxhirë, robërit, mes të cilëve dhe vëllai më i vogël i Servantesit, Rodrigo, hidhen në kuvertën e “galiotës” barbareske dhe pas tre ditësh udhëtimi, të mbyllur në hambaret, ata mbërrijnë në brigjet e Algjerit. Siç kujton dhe një tjetër bashkëkohës i Servantesit, Saavedra në librin e tij Jeta në Algjer, “kur arrita i plagosur dhe pashë atë tokë me nam të keq e të trishtë, që në gjirin e vet kishte aq shumë piratë, nuk i mbajta lotët”. Miguel Servantesi atë ditë të 26 shtatorit, kur hyn në burgjet e Algjerit, është 28 vjeçar dhe i sprovuar me luftrat, por ajo që do të kalojë do të jetë një klavar i vërtetë, siç e përshkruan dhe në librin e tij Galatea, një libër i menduar prej gjashtë vëllimesh, por që Servantesi shkroi vetëm vëllimin e parë. Të lidhur me zinxhirë të rëndë, njëri pas tjetrit, spanjollët robër i çojnë në burgjet e Arnaut Mami dhe më pas në burgun e Dali Mami. Fati i keq i Servantesit ishte se atij i gjetën letra e rekomandime që ai kishte marrë nga Don Juan d’Autriche dhe duka De Sessa për t’ia çuar mbretit spanjoll Philippe II. Arnaut Mami e kuptoi se kishte të bënte me një njeri të rëndësishëm dhe kjo do ta vononte shpëtimin e tij nga ai ferr i vërtetë. Megjithatë, Arnaut Mami duket se s’do të merret më me të burgosurit, të cilët i a lë lietnantit të tij. Ai vetë do të niset në inkursione të tjera. Pikërisht në këtë kohë nis dhe historia dramatike e Miguel Servantesit dhe dhjetra mijra robërve që gjëndeshin atëherë në burgjet e ndryshme të Algjerit. Algjeri në atë periudhë ishte një qytet i lulëzuar nga tregëtia dhe trafiku i madh që bënin piratët; ai ishte një qytet prej 150 mijë banorësh, pra më i madh se Palermo apo vetë Roma. Shitja e robërve të kapur u sillte gjithashtu përfitime të mëdha. Meqë çalonte, greku Dali Mami quhej ndryshe “Topalli”, (“El Cojo”). Ai e dinte se Servantesi kishte qënë kapiten anijesh dhe haraçi për ta liruar u vendos i lartë : 500 dukatë. Por që në muajt e parë të vitit 1576, Servantesi do të përpiqet vetëm për një gjë : si të arratiset nga ky vënd. Ai nuk mund të presë ardhjen e misionarëve që vinin për të blerë robërit. Ndërkohë, Orani, jo larg Algjerit, ishte në duart e katolikëve spanjollë dhe ai dukej si vëndi i vetëm i shpëtimit. Migueli arriti të bindë një « maur » vëndas, i cili mundi t’i nxjerrë nga Algjeri për në rrugën drejt Oranit, nëpër shkretëtirë, por pas disa miljesh, ndoshta nga frika, ai i braktisi. Të mbetur në mes të rrugës, nga frika se mos vdisnin në shkretëtirë, grupi i robërve, së bashku me Servantesit që i udhëhiqte, u kthyen përsëri në burgun e Algjerit. Dhe për këtë sigurisht, torturat ishin të tmerrëshme. Në mars të atij viti, një bashkëluftëtar i tij lirohet nga tre misionarë të ardhur nga Spanja, të cilët paguajnë për lirimin e tij. Eshtë Gabriel de Castaneda, ai që do të çojë letrat e Miguelit familjes së tij. Sapo e ëma e tij e merr vesh burgosjen e Miguelit dhe gjëndjen e tij të mjerë, i bën menjëherë një peticion Këshillit Katolik që të mund ta ndihmojë me para, por shuma e haraçit është e madhe : 500 dukatë. Këshilli i jep vetëm 60 dukatë, nga 30 dukatë për secilin nga bijtë e saj, Miguelin dhe Rodrigon. Ndërkohë Migueli bën tentativën e dytë për tu arratisur. Në 30 shtator, së bashku me ca robër të tjerë ata mundin të largohen 3 milje nga Algjeri drejt një shpelle, ku presin njata do ti zbulojnë dhe do ti kthejnë të lidhur me zinxhirë në burgjet e Algjerit. Kësaj rradhe Servantesi e merr përsipër detyrën e frymëzuesit dhe të organizatorit dhe për këtë dënohet me 2000 shkopinj. Por Migueli është i fortë dhe arrin ta përballojë këtë sprovë ç’njerëzore. Në çdo tentativë që bën, torturat janë të tmerrshme, por megjithatë autori i ardhmë i Don Kishtoti i Mançës, nuk do të jepet. Ndoshta kjo përvojë, këto sprova do ti japin një optikë tjetër për botën dhe shoqërinë do t’I krijojnë atë ngjizmë që do të formojë te ai portretin e një humanisti të madh. Vallë a ka filluar ta mendojë temën e romanit të tij të ardhmë ? Në fakt, siç dëshmojnë kronikat e kohës, në burg ai ka filluar të shkruajë vargje dhe shkrime të ndryshme. Madje ai bije në dashuri dhe me vajzën e një fisniku të njohur dhe të pasur të Algerit, me Zoraiden e Haxhi Muratit, një renegat tjetër dalmat nga Raguza, një tregëtar që kishte përqafuar islamin. Kjo është e vetmja kënaqësi e Miguel Servantesit gjatë roberisë së tij, për të cilën ai do të shkruajë në librat e mëvonshëm të tij : “
Zoraidja e bukur, shpesh kërkon ta ndihmojë për tu arratisur që ai të gjejë lirinë. Por sa herë ai tenton, Migueli kapet përsëri. E tillë ishte dhe aventura me një renegat spanjoll i quajtur Abdurrahim, i kthyer në musliman, i cili ishte penduar që kishte përqafuar fenë muslimane dhe mendonte të largohej. Ai bleu një anije dhe u përgatit të merrte Miguelin dhe 60 robër të tjerë, por një tjetër spanjoll i spiunoi dhe tentativa dështoi. Tashmë Miguelin e ruan në burgun e tij vetë mbreti i Algjerit, Hasan Aga (Cayban) një renegat fjorentinas. Por edhe pse në një burg akoma më të tmershëm dhe i lidhur me dy palë zinxhirë, ai përsëri arrin të gjej një “maur” dhe me anë të tij të nisë një letër për guvernatorin e Oranit, Don Martin de Corboda, por “mauri” do të kapet dhe planet e tij të arratisjes marrin fund. I dëshpëruar, si shpresë të vetme, Servantesi ka vetëm ardhjen e misionarëve dhe mbledhjen e 500 dukatëve për haraçin e tij. Më 1577, tre misionarë vijnë dhe lirojnë rreth 106 të burgosur. Por Migueli preferon që në vend të tij të lirohet i vëllai, Rodrigo. Miguelit do i duhet të presë dhe tre vjet të tjera gjersa do të vija dita e lirisë. Ai është 33 vjeç kur një ditë shtatori vijnë misonarët e tjerë. 5 vjet kanë kaluar që nga dita e parë e robërisë. Nëna e tij i ka mbledhur dukatët e duhur. Motrat kanë shitur prikat e tyre, që të mund të ndihmojnë për lirinë e tij. Arnaut Mami endet në atë kohë, ende nëpër detrat e Mesdheut. Atë ditë, Hasan Aga, ka hipur në anijen që do ta çojë në Stamboll për ndonjë post të ri. Siç dëshmojnë kronikat e kohës Migueli është robi i fundit që ai pranon të lirojë përkundrejt 500 dukatëve. Eshtë dita e 19 shtatorit të vitit 1580. Kuptohet gëzimi i jashtëzakonshëm i Servantesit që më së fundi ai do të kthehet në Spanjë, në gjirin e familjes së tij.
Por edhe pas këtyre viteve të tmerrëshme, jeta e Servantesit nuk do të jetë e paqtë. Me kthimin e tij në Madrid, ai zbret në Andaluzi dhe Sevilje, ku disa vjet merret me vjeljen e taksave, pastaj burgoset më 1597, nga falimentimi i bankës ku kishte depozituar paratë dhe më vonë ç’kishërohet. Pikërisht në burg fillon të shkruajë Don Kishotin e Mançës. Jeta e tij bëhet një dramë e vërtetë gjersa do të vdesë në vitin 1616. Megjithatë, prehja e tij e vetme ishin librat që shkroi, dorëshkrimi i Don Kishotit të Mançës, të cilin arriti ta botojë në vitin 1605. Dhe në këtë roman, ai nuk harron të kujtojë vuajtjet e « robit » në burgjet e Algjerit dhe që në fakt është vetë ai…
Historia e Arnaut Mami n’a kujton dhe dy histori arnautësh të tjerë që i shërbyen perandorisë osmane dhe që çuditërisht ishin guvernatorët apo pashallarët e dy prej qyteteve më në zë të Palestinës së dikurshme: Akos (apo St.Jean d’Acre) dhe Jaffo-s (Xhafos) dy qytete sot në Izrael dhe që ishin portat e dikurshme të ushtrive kristiane për të shkuar drejt Jeruzalemit. Guvernatori i Xhafos ishte Abu Nabut (që qeverisi gjatë viteve 1807-1820) dhe që ndryshe e quanin “babai i dajakut”, pasi “dajaku” ishte mjeshtëria e tij. Ndërsa Ahmed El-Xhezairi hyri në histori si një ndërtues dhe strateg i madh ushtarak. Kur Napoleoni hyri në Ako dhe donte ta pushtonte kështjellën mesjetare të kohës së tempullarëve, ai nuk mundi ta pushtonte. Më 1799, trupat e tij vranë 200 robër arnautë dhe më pas u larguan. Atëherë Xhezairi ndërtoi qytetin si dhe xhaminë më të madhe, ku sot janë eshtrat e tij dhe të birit të tij. Nga Napoleoni tek Servantesi, nga Abu Nabut tek El-Xhezairi, historia i ka mpleksur shqiptarët në histori të çuditëshme dhe zhurmëmëdha.