Rivendosja e marrëdhenieve mes Shqipërisë e Vatikanit, një ngjarje jo vetëm historike, por e mrekullueshme

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Vatikanin

25 vjet marrëdhënie diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe Shtetit të Vatikanit: Një konferencë shkencore dhe një ekspozitë ku të pranishëm dhe kardinali Ivan Dias, Nunci i parë Apostolik në Tiranë, pjesëmarrje e madhe nga trupi diplomatik, klerikë, nga kultura dhe media. Vjen dhe Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, S.E.R. Mons. Gallagher.

Ambasada e Shqipërisë në Shtetin e Vatikanit, në përkujtim dhe në nderim të 25 viteve të marrëdhënie diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, organizoi një konferencë shkencore, të paraprirë nga një ekspozitë arti. Veprimtaria u zhvillua në mjediset e Universitetit Papnor Urbanian, në Romë, 19 tetor, me një pjesmëmarrje të gjerë e të larmishme. Mes diplomateve të shumtë, njerëz të kulture dhe te medias, klerikë, studentë, etj, e nderonin takimin përfaqësues nga Sekretaria e Shtetit, Drejtoria e Ballkanit, Mons. Giovanni Gaspari, njohës i Shqipërisë, ndërkaq do të vinte në Konferencë dhe do të përshëndeste dhe vetë Sekretari i Marrëdhënieve me Shtetet ose Ministri i Jashtëm i Shtetit të Vatikanit, S. E. Mons. Paul Richard Gallager.
I pranishëm do të ishte në karrocën e invalidit, që i dha shumë emocion takimit, kardinali indian Ivan Dias, nunci i parë apostolik në Tiranë.
Ishin ipeshkvi arbëresh i Lungros, Mons. Donado Oliverio, rektori i gjithë kishave shqiptare në Itali, don Pasquale Ferraro, motra misionare të Nënë Terezës dhe vëllezër misionarë të Nënë Terezës, shqiptarë, italianë dhe të huaj të tjerë, drejtori i Zyrës Migrantes, shkrimtarë, autori i librit tashmë të njohur për Don Ernest Simonin tonë dhe Papa Françeskun, gazetarë, nga “Zenit”, “Avvenire”, “Albania News”, të rrjeteve sociale publike, nga “Radio Vatikani”, kamera të televizonit, të diasporës dhe të Tiranës, fotografë profesionistë, etj.
Veprimtarinë e hapi Kreu i ambasadës tonë, Visar Zhiti. Nën hijen e Flamurit Kombëtar Shqiptar dhe atij të Selisë së Shenjtë, pasi u uroi mirëseardhjen të gjithëve, duke thënë se “shohim që paskemi shumë miq”, foli për këtë 25 vjetor të marrëdhënive diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe Shtetit të Vatikanit, ndërkohë dhe Jubileu i Mëshirës, vit kur sapo u shenjtërua Nënë Tereza dhe do të lumturohen 38 martirë të Kishës tonë e po kështu Papa emëron një kardinal të ri shqiptar…
Ndër të tjera Zhiti foli për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Vatikanit, duke theksuar se në këto 25 vjet vendin tonë e kanë vizituar dy papë, kurse të gjithë presidentët e Shqipërisë demokratike, kryeministrat, ministrat, kryetarët e besimeve të ndryshme fetare kanë ardhur në Selinë e Shenjtë, janë mirëpritur nga vetë Papa dhe kujtoi vizitat zyrtare të suksesshme të Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama dhe të Ministrit të Punëve të Jashtëm, zotit Ditmir Bushati, takimet e tyre me Atin e Shenjtë dhe homologët… Shqipëria e rimëkëmbur, përfundoi Zhiti, emblemë e vëllazërisë fetare, po ecën drejt ëndrrës së saj euroatlantike, me besim te Zoti dhe te vetja.
Më pas, duke falenderuar “Pontificia Universita’ Urbaniana”, Rektorin Manjifik të saj Profesor P. Alberto Trevisol për bujarinë që tregoi, duke na lënë në dispozion mjediset universitare për jubileun tonë, të pranishmit dëgjuan përshëndetjen e Rektorit Trevisol, simpatinë e tij për Shqipërinë, për ecjen përpara drejt dijes dhe prosperitetit. Po keshtu u lexua dhe përshendetja e ambasadorit të parë të Shqipërisë, Willy Kamsi.
EKSPOZITA
Si fillim u shkua tek ekspozita “Dashuria e shenjtores së shekullit XXI Nënë Tereza” në sallën plot dritë “Edificio Antico”, nga ku dukeshin dhe kupola e Bazilikës “San Pietro”. Me shumë shije dhe estetikë ishin vendosur veprat e piktorit shqiptar Gjergj Kola, “i cili vjen nga një zonë e fortë katolike”, u tha në prezantim, kurse në skulpturë, gdhëndje në dru dhe gur të Hevzi Nuhiut, “skulptorit nga Kosova, nga është dhe origjina e prindërve të Nënë Terezës”. Mes dëndurisë së vizitorëve, kamerave dhe intervistave aty, endej dhe karroca e Kardinalit Ivan Dias. Ndërkaq falenderuan dy autorët për përzgjedhjen dhe nderimin që iu bë.
AKADEMI SHKENCORE
Kështu e quajtën pjesëmarrësit konferencën që u mbajt në auditorin “San Giovanni Paolo II”. E monitoroi me profesionalizëm atë Aldo Pashkja, pedagog universitar në Romë, që pasi bëri një panoramë të veprimtarisë dhe sfondit kohor të saj, ia dha fjalën Profesor Ardian Ndrecës, lektor po në këtë universitet, autor librash, botimeve të shumta në shqip dhe italisht, i cili mbajti temën “Histori e marrëdhënieve shekullore mes Shqipërisë dhe Shtetit të Vatikanit”. Prof. Ndreca shpalosi lidhjet e hershme të shqiptarëve me Selinë e Shenjtë, që në mesjetë me Skënderbeun patën dhe karakter diplomatik, që u vështirësuan mjaft gjatë pushtimit të gjatë otoman, por jo se u shuan, ndërsa me Shqipërinë e pavaruar dhe gjatë mbretërisë u zyrtarizuan me të dërguar apostolikë nga Vatikani. Pas ndërprejes nga diktatura komuniste, në këto 25 vjet marrëdhëniet e rivendosura morën zhvillimin e duhur, kulmuan me vizitat e dy papëve në Shqipëri dhe me ngjarjet e mëdha shpirtërore të këtij viti. Monitoruesi atë Aldo Pashkja ia dha fjalën Të Ngarkuarit me Punë, Visar Zhitit, që të mbante temën e tij “Perballë shenjtores Nënë Tereza”. Zhiti kishte krijuar dekalogun e bëmave të Nënë Terezës duke treguar lidhjet e saj me shqiptarët e Shqipërinë, si figurë plot dritë përbashkuese, misionare katolike e dashurisë, në shërbim të tjetrit, tek të cilët ajo sheh Krishtin, të të përvuajturve. Bëmat dhe porositë e Nënë Terezës mbeten aktuale, duke e bërë atë gruan më të njohur të planetit, të ngritur në lartësinë e shenjtërisë. Po kështu atë Pashkja ia dha fjalën Don Marian Palokas, i ardhur nga Firence ku dhe shërben, njohur për ligjëratt e tij në Itali dhe jashtë saj, deri dhe për përkthimet ungjillore nga gjuhët hebraisht, nga greqishtja e vjetër, etj. Don Paloka mbajti temën “38 martirët e Kishës tonë”, ku me thellësi e filozofi teologjike ai zbërtheu kuptimin e tyre, misionin dhe vlerën, që nga sakrifica madhore deri tek mesazhi për të falur dhe persekutorët, për paqen e madhe, shpirtërore e të përditëshme.
Konferencën shkencore e përshëndeti në fund Sekretari i Marrëdhënieve me Shtetet i Selisë së Shenjtë ose Ministri i Punëve të Jashtme, S.E. Monsignor Paul Richard Gallagher, i cili rivendosjen e marrëdhenieve mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë e përkufizoi si “një ngjarje jo vetëm historike por e mrekullueshme”, për një vend që kohë më parë, i parë nga kufiri ynë ishte në errësirë… Ndërsa sot, në kuptimim shpirtëror, ofron “shume dritë dhe shpresë”. Më pas përgëzoi për mirëpritjen, për organizimin dhe dinjitetin e manifestimit. Të gjithë të ftuarit, duke shprehur përshtypjet më të mira për takimin, ndërkohë gazetarët merrnin intervista ministrit Gallagher, referuesve, artistëve, të pranishmëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *