Rishkrimi i Historisë

Nga Dorian Koçi
Historinë e shkruajnë fitimtarët”-kjo është një sentencë e njohur që është bërë varrmihëse e historisë së vërtetë. Po cilët janë fitimtarët? Kjo është një pyetje që vështirë se mund ti jepet përgjigje. Ndryshimet e mëdha social-historike kurrë nuk kuptohen në epokën e vet,por duan kohë të përcaktohen dhe vlerësohen si të tilla.Kështu p.sh. francezët pasi shanë e mallëkuan Revolucionin dhe Napoelonin për përmbysjet e mëdha, kodin e Napoelonit e bënë kushtetutën e Francës duke saksionuar në këtë mënyrë këto ndryshime. Edhe epoka e Restaurimit që pasoi më pas ,nuk hyri në punë për ndonjë gjë,por vetëm sa tregoi pafuqishmërinë e kohës së vjetër për t’iu përshtatur ndryshimeve të reja.

Në historiografinë franceze të dyja epokat kanë marrë vlerësimin e duhur duke hedhur poshtë “shpifiografinë” e revolucionarve dhe bonapartistëve për ruajalizmin ,por në të njëjtën kohë iu bë një analizë e plotë tmerreve dhe terrorit të viteve të Revolucionit.Kjo u bë e mundur duke shmangur sa më shumë pasionin e fitimtarëve për të shkruar historinë dhe duke bërë të vetin mendimin që shpreh shkrimtari i njohur francez Anatol Frans tek libri i tij “Krimi i Silvestër Bonarit” se “historia që ishte një art dhe lejonte të gjitha fantazitë e imagjinatës,sot ka arritur të bëhet shkencë,në të cilën duhet të ecet me një metodë të përpiktë”.

Loja e “fantazive të imagjinatës” në historiografinë zyrtare shqiptare e kaloi kufirin e sendërtimeve të miteve apo legjendave përsa i përket historisë moderne të tyre,aq sa shpesh herë jemi detyruar të lexojmë historinë tonë të shkruar nga autorë të huaj apo të mundohemi të krijojmë vetë opinionet tona për figura të ndryshme historike që janë denigruar dhe për ngjarjet historike që janë fabrikuar për të krijuar protagonistë të rremë. Edhe pse shtrëmbërimet monstruoze tashmë janë shmangur,madje edhe pse kanë kaluar më shumë se 15 vjet pas ndryshimeve të viteve 90’,Fishta,Konica,Mithat e Mehdi Frashëri etj vazhdojnë të mos të kenë fituar akoma “statusin” e patriotit në sytë e popullsisë që ndryshimet demokratike i zunë 40 vjeç e lart.Shpesh herë reagohet emocionalisht ndaj fakteve të reja që nuk përfaqësojnë atë çka thonë tekstet e historisë zyrtare të periudhës komuniste,duke shprehur kështu rënien në kurthin e politikës së përditshme që ka monopolizuar gjykimin e drejtë dhe transparent në emër të ruajtes së “llogoreve” dhe elektorateve.

Është e nevojshme që të shpjegohet se rishkrimi i historisë nuk është i përqëndruar vetëm në rivlerësimin e fakteve dhe ngjarjeve historike por dhe në tërë strukturën dhe metodën sesi është shkruar ajo.Historiografia jonë duhet të çlirohet nga etnonacionalizmi pozitiv i cili përpiqet të shpjegojë se çdo lëvizje kryengritëse ka patur karakter kombëtar dhe se në çdo periudhë pas pushtimit turk shqiptarët kanë vepruar të ndërgjegjësuar si komb.Sepse përndryshe nuk mund të shpjegohet sesi është e mundur që rreth 40 vezirë të mëdhenj të perandorisë otomane që ishin shqiptarë nuk bënë asgjë për vendin e tyre,përveçse donacioneve për objekte kulti?!
Veziri shqiptar Ferid Pashe Vlora për periudhën 1901-1908,ndiqte dhe përndiqte patriotët shqiptarë që përhapnin gjuhën shqipe dhe e quante të drejtë të ndërtonte hekurudhën Stamboll-Bagdad-Mekë për pelegrinët dhe për të transportuar trupat turke aty,por nuk iniconte ndërtimin e asnjë metri hekurudhë në atdheun e vet edhe pse nga vilajetet shqiptare të asaj kohe vileshin 40 milionë franga ari taksa.Ishte kjo arsyeja që patrioti rebel Faik Konica shkruante në faqet e “Albania-s” se “e keqja Shqipërisë i vjen nga vetë shqiptarët”.

Me të njëjtën logjikë pozitiviste është shkruar dhe historia e nxehtë e Luftës Antifashiste dhe periudhës që pasoi pas saj.Opinioni mbizotërues që sundon pas viteve 90’ për vlerësimin e kësaj epoke pas shtrëmbërimeve të mëdha që ishin bërë qoftë ne protagonistë,qoftë në ngjarje është se “partia komuniste pati meritë që e rreshtoi vendin në kualicionin fitues dhe kështu siguroi dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë”. Një vlerësim shumë i qartë duke gjykuar nga pozitat e sotme,por sa të ndërgjegjshëm ishin protagonistët e asaj kohe për këtë akt të tyre?Si duhen të trajtohen marrëdheniet shqiptaro-jugosllave të asaj kohe?Vendin në një koalicion fitues si ai i Antantës në Luftën e Parë botërore për informacion të atyre që se dinë e rreshtoi dhe Esat Pashë Toptani duke ndihmuar me këtë akt tërthorazi që Shqipëria të përfaqësohej në Konferencën e Paqes në Paris.Por ndërsa për Esat Pashën dihet se kujt padronëve u shërbente për këta të tjerët së Luftës së Dyte,në ndërgjegjen popullore akoma nuk dihet gjë.Vitet 1945-1948, të mbushura plot me terror dhe që kulmojnë me bashkimin doganor me Jugosllavinë mbeten të hedhin më shumë dritë në këtë drejtim.Si për ironi dramatike,i njëjti gjykim pozitivist sundon dhe për rezistencën antikomuniste.Kësaj rradhe piramida u kthye kokëposhtë dhe u vlerësua se”bajraktarët e Veriut ishin antikomunistë te bindur,sepse kuptonin rrezikun që i kanosej vendit nga kolera e kuqe”duke himnizuar kështu luftën e tyre që në të vërtetë më shumë sesa rezistencë antikomuniste ishte një përpjekje kundër çdo lloj centralizimi.U harrua se dhe mbreti Zog kish patur telashe me ta deri sa më në fund i kish shpërblyer me para duke ua “blerë” kështu resistencën.Ata që kishin jetuar ndopak mes maleve shqiptare, ishin aq të aftë sa të kuptonin se bajraktarët tanë me gjithë respektin e madh që duhet të kemi për ta sepse ruanin zakonet shqiptare, nuk ishin aq të qartë ideologjikisht sa të bënin dallim mes rendit socialist dhe atij kapitalist pasi që të dy për zhvillimin ekonomik të malësive tona ishin krejt të huaj!

Natyrisht faji në këtë mes nuk është as i partizanëve te thjeshtë që bënë detyrën ndaj atdheut e as i malësorve që kundërshtonin një regjim që me të vërtetë u bë skllavërues për kombin shqiptar,por i pasioneve që sa herë që peshorja e historisë anon nga një anë gjejnë “studiues” që e shkruajnë historinë sipas oreksit të atyre që e konsiderojnë veten fitimtarë.Shmangia e kësaj dëshire të fshehtë vlerësimi duhet të bëhet një kriter i rishkruajtes së historisë, që së bashku me kritikën e drejtë ndaj etnonacionalizmit do na japin më në fund mundësinë e të pasurit të një historie të pranueshme dhe admirueshme nga të gjithë.Zgjedhja e “metodës së përpiktë” më shumë sesa një kriter i kulluar shkencor duhet të kristalizohet brenda nesh,sepse historia ashtu siç dihet më shumë se çdo shkencë tjetër është një sagë e njerëzve në kohë dhe hapësirë,një sagë që mund të fillojë si legjendë por që patjetër duhet të hidhet në letër për tu kënduar ashtu siç ka ndodhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *