Xha Bejo mbahej në fshat si një qefli i madh. Gruaja e parë i kishte vdekur prej kohësh dhe gjashtë muaj pas vdekjes së saj ai ishte martuar përsëri. «S’më rrihet pa grua! – justifikohej Bejo, – më është bërë krevati si varr! »…
Disa muaj më pas, në pritje të gruas së re, Bejo masturbohej i shkreti, deri sa gjeti karar. Gruaja e re erdhi pa zhurmë, pa dasmë, dajre e saze. Ishte e kolme por atë punë e bënte si për detyrë. Megjithatë i bëri tre fëmijë. Dy vajzat u rritën dhe u martuan në fshatrat fqinje. Një ditë djali kishte gjetur një nga ata banditët e detit që transportonin refugjatë drejt Italisë dhe një natë pa hënë ia kishte mbathur. Dy ditë më vonë u kishte telefonuar nga një gabinë telefoni në Brindizi, duke u thënë : «Bella Italia».
Vitet kalonin. Bejo dhe gruaja e tij, Nazlija, plakeshin gjithnjë e më shumë. Djali kishte gjetur një italiankë dhe çdo tre muaj u dërgonte disa para a ndonjë pako me plaçka. Tashmë kishin më shumë dhjetë vjet që kishin dalë në pension, por ndryshe nga disa të tjerë ata s’donin të zbrisnin në breg të detit, çerek ore me këmbë, ku qyteza e re zmadhohej nga ndërtimet e reja dhe turizmi në verë shtohej gjithnjë e më shumë. Por ata pëlqenin të rrinin në fshat, mes gjelbërimit e freskut, duke parë perëndimet e bukura të diellit që zhytej si një zjarr i madh në horizontin e atij deti të pafund. Një ditë djali i solli një televizor të ri, me një ekran të madh dhe Bejo fluturonte se me të e kalonte natën i shkreti. Kur i futi prizën se ç’i dolën ca kanale televizive të çuditshme, të gjitha italiane. Një natë duke luajtur kanalet, ra në një femër lakuriq që përdridhej e vetme në një krevat. Oh ç’bëhej! Bejo zgurdullonte sytë. Plaka gërhiste dhe Bejos së lumturuar i doli nga shpirti : «Rroftë Italia!»
Në netët e mëtejshme, sa fillonte të gërhiste Nazlija, ai e çonte në të njëjtin kanal dhe shikonte filma porno. Flinte apo s’flinte xha Bejo… si një pasha. Të nesermen ua tregonte shokëve të tij në klubin e fshatit. Pinin nga një raki dhe ai fillonte të tregonte : «Po ç’të të them unë i ziu, a derëbardhë ! – thoshte Bejo, – më la pa gjumë ! – dhe ai qeshte me gaz duke iu tundur barku i fryrë dhe u tregonte se si bëheshin në Perëndim ato punë sa me duar e sa me këmbë. « Po ne kemi qenë analfabet fare, o vëlla ! Eh, ç’kemi hequr ! I binim fyellit gjithnjë në një vrimë !… Të nesërmen të gjithë e prisnin tu tregonte ndonjë gjë. – Hë, kemi ndonjë të re ?!… Bejo ulej rëndë-rëndë, qeshte nën zë dhe shtonte : « Lëre, lëre ! »… – « Po hë mo, na thuaj tani se na thave !… » Një ditë tjetër ai u hapi bisedën për ca stile të çuditshme : – « Dini gjë për Kamasutrën ju ?… Pleqtë e tjerë ngritën kryet. Kujtuan se mos po fliste për ndonjë ish kryetar kooperative andej nga Bregu. “Jo more jo, u kthehej Bejo, – është një llaftari e vërtetë! Po ku kemi qenë ne derëzinjtë. Ku dinim se ç’bënte bota! Hajde proletariat, hajde ! Dhe ai merrte një laps, nxirrte një letër nga xhepi dhe u tregonte aventurat seksuale alla Kamasutra ! Të gjithë pleqtë e shikonin gojëhapët ! « He o Bejo, ku je botë ku je, ku je o Perëndim, ku je ! Gjithnjë ke qenë një qerata i madh !”… Të nesërmen niste e u tregonte për Kazanovën… – Po ç’është ky Kazani…- Jo more, jo, Kazanova ! Hajde maestro, hajde! Dhe ishte nga derë e fisme kodoshi… I kishte femrat të gjitha në këmbë!
Një natë, kur Nazlija gërhiste dhe filmi e trazoi ca si tepër, i shkoi plakës nga pas, iu ngjesh dhe nisi ta lëmonte si dikur në rini të tij dhe t’i tërhiqte poshtë të mbathurat. Po Nazlija i lidhte fort me një ushkur të gjatë dhe shpejt e ndjeu dhe kërceu e tmerruar nga gjumi, pasi kuptoi se dikush po i ndukte vithet e bëshme. Kur pa se ishte Bejo me pantallonat e rëna nëpër këmbë, i klithi : « Po ç’bën more i uruar se më prishe gjakun. Me mua e gjete tani ? Nuk u ngope gjithë jetën ?!
Por Bejo ishte ndezur dhe iu përgjigj : «Por mos bëj kështu moj plakë, se dhe unë i mjeri njeri jam ! – dhe iu ngjesh përsëri, por ajo i hodhi ca shqelma.
– Na moj plakë se më vrave !
– Largohu tani se më bën vapë… hajt, ik në divan!
Pa ç’pa, bejo ngriti bizhamet, lëshoi një psherëtimë të gjatë dhe shkoi e u shtri në divan.
Një natë tjetër, meqë i ishte tharë goja dhe donte të pinte ujë, Nazlija u ngrit të pinte kur pa Bejon që ishte ulur para televizorit, me duart në vendin e duhur dhe me gojë të hapur duke shikuar një çift në shtrat që rënkonin si mos më keq.
– More Bejo, ç’janë këto lakuriqe? S’ke turp, je dhe plak! Këto punë bën gjatë natës ti ?
Bejo menjëherë ndërroi kanalin televiziv dhe psherëtiu:
– Po robi i do të gjitha moj plakë, ç’të bëj unë i mjeri, ti s’më bën as derman dreqin ta hajë…
– I do ti të gjitha, por s’të lë unë të merresh me çupëlina. Hajt se ta tregoj tani. Do tu them vajzave!
Sa dëgjoi këto fjalë, Bejo u drodh dhe e kuptoi se po tu tregonte vajzave s’do kishte ku të fuste kokën nga turpi.
– Aman, vetëm atyre mos u thuaj se nuk do të shoh më! Të betohem! Për
ideal…
– po lere idealin a derezi, c’na thua.
– Ne te majtet…
– He, cfare ju te majtet?
– Ne n’a rri gjithnje majtas. Po ju te djathteve?
– Te me falesh por une kam kaluar me qendren e djathte… Tani me rri gjithnje ne qender…
Grupi i pleqve shpertheu me te qeshura.
Të nesërmen, në klub, pleqtë e prisnin si gjithnjë, por Bejo dukej i trishtë. Me sa dukej do ishte sëmurë apo do i kishte ndodhur ndonjë gjë tjetër.
– Hë more Bejo, do na tregosh ndonjë skenë nga ato bukuroshet e tua.
– Aha, tani ma ka ndaluar plaka! Më kapi me presh në duar!
– Ç’presh more ?!
Dhe pleqtë ia krisën të qeshurës.
– Më fiku për ideal!
– Mirë atëherë, na e thuaj atë vjershën erotike të K.TH. Spirit…
– Cilën more se ai ka shumë.
– Atë kur shkoi nga Zagoria në Gjirokastër, në hotel dhe i ra të kishte në ndarjen tjetër me dërrasë një grua e re…
– Ah, – tha Bejo dhe kroi zërin duke marë frymë thellë. – Eh, vuante i shkreti K.TH Spiri sepse atë natë s’po e zinte gjumi edhe pse kishte bërë tre orë në këmbë gjer në Gjirokastër. E kishte mendjen tek gruaja që ishte shtrirë në anën tjetër. I bëri nja dy herë zë, por ajo vasha nuk iu përgjigj se ishte plot namuze. Pastaj shkroi vjershën: “Si të zë gjumi si të nxë shtrati, / se dhe unë jam i po atij zanati / gjarpër do të bëhem, do të shtrihem nën dhe / të ta zë me dorë aty ku e ke…”
-S´kish faj i shkreti, keshtu e kane keta poetet popullire, marrin zjarr si eshka.
– Aman, na e thuaj ate historine e Zylfies.
– Ke more?
– Ate kur i ra te fiket dhe te mbeti ne duar…
Bejo u mendua nje cast, kruajti koken dhe u ngrit mes të qeshurave që shpërthyen:
– Mjaft tani se më duhet të shkoj!
Një javë më vonë Nazlija e kërkonte që të blinte diçka por nuk e gjeti as në oborr, as tek pemishtet dhe as tek klubi i fshatit. Dikush i kishte thënë se ai kishte zbritur drejt plazhit. “Po ky plazh tani? – mendoi ajo. Atëherë filloi të pyesë dhe më së fundi pas dy ditësh zbuloi se çdo mëngjes, Bejo, në vend që të shkonte në klub, siç i thoshte, zbriste drejt plazhit. Madje gruaja e Xhezos i kishte thënë se në plazh kishin ardhur ca gjermanka dhe bënin turizëm në breg. Shtriheshin në rërë për të bërë banjo dielli dhe madje hiqnin dhe suytjenat që të nxiheshin sa më mirë. – “Vetëm sytjenat? – kishte pyetur Nazlija. – “Vetëm ato…, po ku i dihet me këto fëmrat të Perëndimit?!” Nazlijes i kishte hipur gjaku në kokë. Aty nga dreka Bejo u shfaq duke ecur rëndë-rëndë e gjithë djersë.
– Hë more Bejo kapedani, ku ishe?
– Te klubi moj plakë!
– Te klubi hë? Dhe kjo të kishte munguar… Po s’u ngope o i uruar me cicat e mia që m’i ke ndukur sa m’i ke bërë sallatë… do tani dhe cicat e gjermankave. Ku të çon mushka o plak mistrec. Tani e tutje s’ke për të zbritur më në breg… do të shkoj vetë nëse na duhet ndonjë gjë.
Bejo u shëmb në kolltuk dhe rrinte si i shastisur para furisë së Nazlijes që mbante një stap në dorë, por shyqyr Zotit, nuk e ngriti dorën se kushedi çdo të bëhej pastaj.
Bejo e kuptoi se dikush e kishte spiunuar, por kush?… Dy-tre ditë me rradhë qëndroi në shtëpi aq sa u bë derr, si ç’thotë populli. Filloi madje ta kapë zemërimi me plakën dhe donte të hakmerrej, por si.
Çdo pasdite, tek Nazlija vinin dy-tre gra të kalonin ditën me muhabet. Pinin nga një kafe apo lëng trëndafili me sheqer, një gotë ujë të ftohtë dhe llomotisnin e merrnin tërë botën nëpër gojë. Bejo hapte një gazetë para fytyrës së tij dhe një vesh e mbante se ç’thonin ato dhe nga ana tjetër lexonte se ç’bëhej në Tiranë e veçanërisht në parlament se atje ishin qyfyret më të mëdha. Gratë pinin kafenë, çoheshin njëra pas tjetrës të bënin urinën, laheshin me ujët e legenit që ishte gjithnjë plot për atë punë dhe pasi qëndronin edhe pak, pas dy orësh Nazlija i përcillte tek pragu. Duke ndenjur ashtu si murg, një ide gjeniale i shkrepi Bejos në kokë. Tani do të hakmerrej me të vërtetë. “Pse, vetëm unë të vuaj? – thoshte me vete Bejo. – Të më shohë tani!”…
Të nesërmen erdhën me rradhë Dhimitra, Hasbija dhe Sheqerja. Bejo, kishte vënë gazetën përpara dhe nuk lëvizte. Priste të uleshin dhe të fillonin nga historitë e botës. Por kësaj rradhe gazetës që e mbante para fytyrës i kishte bërë dy vrima në nivelin e syve që të mund të shikonte përtej nga zonjat plakë. Nuk kaloi një orë dhe pasi kishte pirë gotën e madhe me lëng trëndafili, Dhimitra u ngrit të shkonte në banjë. Pas pak ajo u kthye dhe vazhdoi bisedën. Sytë e Bejos vëzhgonin me kujdes dhe në pritje të asaj se çdo të ndodhte. Ndërkohë Dhimitra filloi të lëvizte në karrige dhe pastaj të kruhej. Ndërkohë u çua Hasbija. “Më prisni pak», – u tha sa të shkoj në banjë”, dhe ajo nxitoi drejt banjës. Bejo qeshte me vete dhe shikonte se Dhimitrës s’po i zinte bytha vend. Ja ku erdhi dhe Hasbija, shend e verë. « I mirë shumë ky lëngu tënd i trendafilit! – shtoi ajo dhe u ul të dëgjonte vazhdimin e tregimit, por dy minuta më vonë dhe ajo filloi të kruhej. Gjithnjë fshehurazi pas gazetës me brimë, Bejo qeshte me atë skenë që po ndodhte para tij. Tani ishte Sheqerja që u ngrit dhe u drejtua nga banja. Kur Sheqerja u kthye pranë tyre, i pa që ato kruheshin.
– “Po ç’keni moj gra që s’po rrini rehat? “
– Më duket se kam alergji! – tha Dhimitra.
– E çuditshme dhe mua më kruhet në fund të barkut, – shtoi Sheqerja…
Ndërkohë dhe Sheqerja ndjeu t’i kruhej ai vendi i bekuar.
– Moj po ç’bëhet kështu! Ç’ne këto të kruara?… Po ty o Nazlije, të kruhet gjë?
– Jo, ç’ne unë? – u përgjigj e habitur Nazlija dhe filloi të mendojë. Ç’po ndodhte vallë?… Ishte një spektakël i vërtetë dhe tani ato s’kishin më ndrojtje nga njëra-tjetra. Fusnin dorën poshtë fustaneve të rënda e të zeza dhe kruheshin si mundnin. Më së fundi Dhimitra u ngrit duke thënë: “Duhet të iki menjëherë se kushedi ç’kam poshtë!”… Pas saj u ngritën menjëherë dhe dy plakat e tjera. Nazlija i shoqëroi gjer tek pragu si zakonisht, ndërkohë që pas gazetës, Bejo qëndronte me një stoicizëm të pashoq, pasi e kishte mbajtur gjer në fund të qeshurën. Kur Nazlija hyri përsëri, pa njëherë nga Bejo i ulur në cep që nuk ndihej. Dyshoi mos kishte bërë ndonjë gjë të paudhë. Menjëherë shkoi drejt banjës dhe pa legenin… U ul dhe e vështroi nga afër ujin në të dhe vetëm atëherë pikasi një shtresë pluhuri ngjyrë të kuqe. Në çast e kuptoi se ishte piper djegës dhe u sul drejt sallonit me një furi të jashtëzakonshme por çuditërisht Bejo ishte zhdukur pa gjurmë!
E vetmja klithmë që lëshoi ishte: “Ah more horr i keq! S’hoqe që s’hoqe dorë!… Po ç’më bëre more i uruar!…
————–
Botuar tek revista “Pelegrini”.
L. Rama