Nga Richard Hamilton, BBC
“Maroku gjithmonë ka qenë një komb ku toleranca praktikohet, por nuk predikohet”, thotë Barnaby Rogerson.
Ka qenë një kohë kur Maroku ishte i njohur si një strehë për homoseksualët amerikanë dhe britanikë, të cilët u iknin kufizimeve nga vendet e tyre për të përfituar nga atmosfera e këtij vendi për të shijuar liritë e tyre seksuale.
Duke marrë një shëtitje poshtë, në një nga rrugët kryesore në Tangier, të Bulevardit Pasteur, nga ana e majtë para Hotel Rembrandt zbresim drejt detit. Pastaj bëjmë disa disa hapa në një rrugë të ngushtë anësore ku ndihet era e urinës dhe ndjesia e rrezikut.
Para shfaqet një hapësirë bosh që duket si një parkim i papërdorur makinash, apo si një vend ku janë hedhur bomba atomike. Në këtë vend është një hotel i drejtuar nga një familje që quhet El Muniria, një ndërtesë e bardhë me dritare blu.
Në këtë hotel, në dhomën 9, në vitet 1950, William Burroughs, nën efektin e drogës, shkroi një nga romanet më tronditëse të shekullit të 20-së, “Vakti Lakuriq” (Naked Lunch) . Libri, i cili u ndalua në SHBA, sipas ligjit për veprat që cilësoheshin të turpshme, është një përzierje autobiografike, shkencore dhe satirike plot me përshkrime të seksit mes homoseksualëve.
Kur hyra në Muniria, anëtari më i ri i familjes më thotë se unë mund të hedh një sy përqark, por nuk mund të hyj tek dhoma 9, pasi xhaxhai i tij është larguar bashkë me çelësin e dhomës.
Korridoret janë të zymtë me myk në muret e tyre. Një portret bardhë e zi i Burroughs në kapelë dhe syze të errëta qëndron i varur në këto mure. Tualeti është si të ndodhesh brenda një azili, me pllaka të bardha kudo, tuba të verdhë dhe një pasqyrë e lirshme që duket sikur do bjerë nga çasti në çast. Tualeti këtu duket si fundi i botës.
Zbres në katin e poshtëm ku jeton familja. Pronarja më tregon vendin. Qëndrojmë përpara dhomës 9, e cila është ende e mbyllur. E pyes nëse është e mundur të shoh brenda saj. Ajo pergjigjet se është pak e çrregullt. I them se nuk më shqetëson rrëmuja. Ajo kthehet me një çelës dhe e hap derën. Brenda ndodhet një krevat i parregulluar, një radio e vjetër dhe një dollap i errët për garderobë. Dhe një llambë e vetme, e cila ndriçon tavanin lakuriq.
Pronarja më tregon se Burroughs ka jetuar në dhomën 9, ndërsa shkrimtarët e tjerë, shokë të tij, Allen Ginsberg dhe Jack Kerouac kishin marrë me qera dhomat 4 dhe 5 në katin tjetër. Shpesh, thotë pronarja. Romancieri amerikan Paul Bowles, autori i librit ” The Sheltering Sky” përdorte dhomën me numrin 7 në katin më sipër. Ashtu si tek “Naked Lunch” edhe “The Sheltering Sky” ishte një tjetër roman novator, i cili shpjegon anën e errët të psikikës njerëzore në këtë pjesë të Saharasë.
Por pse këta gjigandë të letërsisë amerikane ishin tërhequr nga Tangier në Marok?
“Unë mendoj se ju e dini arsyen,” përgjigjet Simon-Pierre Hamelin me një buzëqeshje, kur unë i bëj këtë pyetje dhe nuk thotë asgjë më tepër. Ai drejton “La Librairie des Colonnes” një dyqan librash në “Boulevard Pasteur”, i cili është në pronësi të ish-të dashurit të tij Yves Saint Laurent.
Raftet e librave të këtij dyqani përmbajnë një pjesë të madhe të trashëgimisë letrare të Tangier, e cila përfshin autorë si Jean Genet, Andre Gide, Tennessee Williams, Truman Capote, Gore Vidal dhe Joe Orton, të gjithë homoseksual ose biseksual, si dhe shumë të tjerë, nga Samuel Pepys tek Mark Twain, të cilët ishin heteroseksualë. Për akademikun anglez, Andrew Hussey, Tangier ishte “utopia e kënaqësisë së panjohur, e rrezikut”.
Amerikanët që shkuan aty në vitet 1950, po ia mbathnin nga një shoqëri agresive dhe përndjekëse ndaj homoseksualëve. Në Marok, perëndimorët mund të kënaqnin dëshirat e tyre, pa pasur frikë dhe ngacmime, me një numër të madh djemsh të rinj të vendit, të cilët kishin nevojë për lekë. Gjithashtu ata furnizoheshin edhe me kanabis nga vendasit.
Diferenca e lekëve mes të huajve dhe marokenëve çoi në lulëzimin e prostitucionit, por marrëdhëniet nuk bazoheshin vetëm tek shkëmbimi i parave. Paul Bowles kishte një miqësi të gjatë dhe të qëndrueshme me artistin Ahmed Yacoubi dhe gruan e tij Jane. Ata jetonin një apartament në katin e sipërm së bashku me një grua “të egër” fshatare, e cila quhej Cherifa.
Në ditët e tij të para në Tangier, Burroughs nuk ishte shumë i ndjeshëm ndaj kulturës vendase. Në një letër për Allen Ginsberg në vitin 1954, ai shkruan:
“Bëra seks me një arab “me rroba evropiane”. Disa ditë më vonë takoj një arab tjetër me veshje të lindje dhe përfunduam duke e bërë në një banjë turke. Tani unë jam thuajse i sigurt (por jo plotësisht) se është i njëjti arab. Gjithsesi arabin numër 1 nuk e kam parë më. Kam fjetur me tre arabë që nga ardhja ime këtu, por po pyes veten nëse është i njëjti arab në rroba të ndryshme. Çdo herë sillen më mirë, më me respekt… me të vërtetë që nuk e kuptoj”.
Gjendja në Marok kishte shumë avantazhe për meshkujt heteroseksualë.
Shkrimatari amerikan John Hopkins shkruan: “Unë isha i vetmi shkrimtar heteroseksual në Tangier në atë kohë. Sa u përket grave, i kisha të gjitha për vete”.
Edhe pse disa mendojnë se shkrimtarët ikën se sihin shpirtra rebel, Hopkins thotë se ata ishin të tërhequr pas djemve dhe drogës. Kjo është ajo që i tërhoqi ata. Marokenët ishin simpatik, tërheqës, inteligjentë dhe tolerantë.
Por, pse Maroku, një vend i devotshëm islam, lejon lulëzimin e homoseksualitetit? Autori Barnaby Rogerson thotë se është një shoqëri e mbushur plot me paradokse.
“Është një vend ku jetojnë bashkë kultura të ndryshme, berber-afrikane, mesdhetare, arabe dhe islame dhe ndajnë një besim absolut mbi seksualitetin e burrave dhe grave, i cili shihet si një vullkan “fitna”, që kërcënon familjen, shoqërinë dhe shtetin me kaos e devijimeve seksuale në çdo kohë”, thotë ai. Fjala “fitna”, shpjegon Rogerson do të thotë pak a shumë ‘bukuri, joshje, magji, tundim, rebelim”, ose të gjitha këto në të njëjtën kohë.
Por, pavarësisht frikës nga kaosi seksual, ekziston gjithashtu mirëkuptimi që ai është vetëm një pjesë e natyrës njerëzore dhe në fund të fundit që ju duhet ta lini të jetojë dhe ta jetoni.