REPORTAZHI/ Farkëtari nga Korça që çuditi Mehmet Shehun “prodhon” çelikun më të fortë në botë


Nga Andrea Danglli

Zhurma e fortë e çekiçëve që rrihnin metalet dëgjohej prej së largu. Ata njëri pas tjetrit krijonin një melodi të vrazhdë si për të na sinjalizuar se tashmë kishim hyrë në rrugicën e kovaçëve.

Duke ndjekur vargun e tingujve të çrregullt, u orientuam më lehtë për të gjetur ofiçinën e vjetër të Pëllumb Kovaçit, hekurpunuesit të palodhur që e meriton plotësisht ta mbajë mbi supe këtë mbiemër.

Ai sot e ka filluar punën që herët pasi duhet të përfundojë me doemos porosinë që i ka lënë një emigrant. Për ta mbaruar edhe më shpejt, në ndihmë i ka ardhur djali i tij Renato, i cili së fundmi ka nisur të apasjonohet pas këtij profesioni.
At e bir kanë shtrirë në kudhër një shufër hekuri të skuqur nga nxehtësia dhe e godasin pa reshtur që t’i japin formë harkore.

Ne jemi të rastësishëm për ata. Ende nuk e dinë se kemi udhëtuar për orë të tëra nga Tirana drejt Pëndavinjit të Korçës, për të mësuar më tepër mbi mjeshtërinë që pak apo aspak njerëz kanë mundur ta njohin. E ku mund të mësojnë për të, kur fshati ngjan sikur të jetë në fund të botës.

Çekiçët e mëdhenj pushuan së kumbuari veç kur farkëtarët dëgjuan thirrjen tonë. Punishtja është e vogël, me tavan të ulët dhe e rrëmujshme. Metalet janë hedhur vend e pa vend, pasi hapësira është shumë e ngushtë.

Pëllumbi, nuk arrin ta besojë dot se një gazetari do t’i bënin përshtypje punimet dhe do të interesohej që të shkruante për to. Ai madje thotë se punon me përkushtim jo për tu bërë i pasur apo i famshëm, por sepse është ushqyer që fëmijë me këtë dëshirë dhe tashmë nuk bën dot pa të.

“Po pse s’na thatë o të uruar sepse na gjetët një çikë rrëmujë. S’para i bie rruga gazetarëve këtej nga shtëpia jonë. Ore, mos u çudisni që e quaj shtëpi punishten por këtu kam një jetë tërë. Edhe kur nuk gjendem brenda saj, mëndja më rri tek veglat, tek zjarri me qymyr dhe tek këto hekurishte,”– tha Pëllumbi për “TemA”, teksa na zgjaste dorën e madhe për të na takuar njëri pas tjetrit.

Paçka se ai u përpoq të pastrohej me një robë të vjetër, ngjyra e hekurit dukej sikur kishte depërtuar në të gjitha qelizat e gjymtyrëve të tij.

Nuk kemi trokitur krejt rastësisht tek Pëllumbi edhe pse ai mund të jetë ndër të paktët farkëtarë që kanë mbetur si trashëgimtarë të këtij zanati. Historia e tij më ngacmoi veshin fillimisht nga një miku im prej asaj zone që studion në Tiranë. Ai më zgjoi kureshtjen që të mësoja më tepër.

Pas shumë vitesh punë të djersitur brenda punishtes së thjeshtë, sot Pëllumbi mendon se ka mundur të zbulojë një formulë që do t’i çudisë të gjithë. Burri fjalëpak pretendon se ka shpikur çelikun më të fortë që ka ekzistuar ndonjëherë në botë.

Dikur gjatë sistemit diktatorial, babai i tij i ndjerë çuditi byronë e pushtetit popullor me shpikjet që ja vendosi mbi tryezë. Bajram Kovaçi, u bë emër i njohur për organet drejtuese në ato vite pasi mundi të prodhonte brenda një kovaçane modeste një lloj çeliku të panjohur nga askush deri atëherë.

“Mehmet  Shehu e ftoi tim atë në Tiranë dhe i vuri në dispozicion të gjithë infrastukturën e kohës. Ishte i habitur nga ajo që i prezantoi babai sa i thoshte inxhinjerëve të shkolluar jashtë vendit: Merrni shembull, një i paarsimuar ju jep ujë në bisht të lugës,” -tregon Pëllumbi me nostalgji tek sa përpiqet të na dredhë nga një cigare.

Paçka se nuk e pimë, këtyre anëve duhani dhe rakia janë qerasjet më të mira për burrat.
Ndërsa ai fliste, ne po digjeshim nga kureshtja më shpejt se sa duhani apo qymyri që lëshonte shkëndija në vatrën e zjarrit.

Pëllumbi vazhdoi duke rrëfyer plot dhimbje se ëndrra e babait të tij për të shkruar emrin në atë shpikje, nuk do të zgjaste gjatë. Vetëvrasja e kryeministrit Mehmet Shehu dhe krisja e marrëdhënieve me Enver Hoxhën, do ta penalizonin Bajramin. I besuari i Shehut u kthye në fshat pranë punishtes së vogël nga ku nuk doli më kurrë.

Por pas kaq shumë vitesh, zejtari i vogël e ka çuar më tej zbulimin e të atit. Ustai që edhe pak kohë i duhet të kalojë 57 vjetorin, sjell një formulë të re që mendon se do t’i verë me shpatulla pas murit shkencëtarët.

“Me këto pak kushte që kam, munda të punoj një çelik super të fortë. Unë marr një hekur të dobët, e çimetoj, e kaloj në të gjithë procesin përpunues dhe pas tetë orëve të vendosur në furë, garantoj se ai ka fortësi të ngjashme me një diamant. Normalisht, formula është më e zgjeruar dhe unë pak detaje po përcjell prej saj,” –thotë farkëtari të cilit i shkëlqejnë sytë nga gëzimi kur flet për punimet.

Ai na tregon se disa nga mostrat e shpikjeve, i ka depozituar në Universitetin e Tiranës ku pret një certifikim prej tyre.

Tek sa shprehet i bindur se do të arrijë të vijojë procedurat për ta patentuar, na rendit disa nga diplomat, çmimet, medaljet apo dekoratat e marra si kovaç.

Mua asgjë prej tyre nuk më hynte në sy përveç duarve të njollosura dhe të ngurtësuara nga puna.Vija re me kujdes gjymtyrët e arnuara nga plagë të hapura dhe të mbyllura prej hekurishteve. Ato mbase janë dëshmia më e madhe e mjeshtërisë që ka kultivuar. Mjafton veç t’i shfaqë ato dhe mund të vlejnë me shumë se letrat e lëshuara nga institucionet.

Kuriozitetit tim lidhur me to, kovaçi i dha një përgjigje që shkaktoi të qeshura mes nesh.

“Të merresh me hekura dhe të kesh duar profesori si ti more Andrea?! Jo, aman! Është e pamundur. Po nuk i ke duart e kallaisura me ndryshk, nuk bëhesh dot kurrë kovaç,”-shpjegon Pëllumbi.

Dialogu në atë zejtari të vogël dukej sikur nuk do të përfundonte kurrë. Mes shkëndijave të zjarrit që lëshonte qymyri, portreti i farkëtarit bëhej edhe më i vyer.

Për pak çaste mu ngulit në tru një mendim i çuditshëm. Sipas fesë, njeriu u krijua nga balta, ndërsa duke ndjekur rrëfimin e mjeshtrit 57 vjeçar, të krijohet përshtypja se për këtë rast Zoti ka bërë një përjashtim dhe ka zgjedhur ta krijojë prej metali.

Farkëtari i palodhur tregon se edhe pak vite do të mund të punojë pasi forcat janë duke e lënë dalë-nga-dalë, ashtu si pa e kuptuar dhe vetë.  Pavarësisht kësaj, ai ndjen një gëzim të madh që ka arritur t’ia injektojë në gjak profesionin djalit të tij.

Në familjen tonë veç muhabet hekurash ka, biseda metalesh dhe diskutime punimesh. Me këto muhabete është rritur stërgjyshi, gjyshi, babai, unë dhe djali im. Dëshiroj që me këto rrëfime të rriten edhe niprat edhe stërniprat. Kjo është mënyra që profesjoni ashtu siç ka ardhur dorë për dore nga koha, do trashëgohet dorë për dore nëpër kohë,” -thotë  zejtari.

Edhe pse tashmë kjo zeje mund të konsiderohet si e vdekur për shkak se njerëzit preferojnë më shumë mallrat kineze se sa punimet artizanale, Pëllumbi përsëri shprehet optimist. Punimet e tij mbase janë disi më të veçanta nga të tjerët pasi përcjellin një lloj filozofie.

Në ofiçinën e tij të vogël, qëndrojnë të varura ende veglat që kanë përdorur stërgjyshi, gjyshi apo babai i tij. Pëllumbi i ruan me fanatizëm në “muzeun familjar” për t’ia trashëguar pasardhësve të tij. Prej tyre mbase kanë dalë dhjetra vepra të rralla që ka sot ende qyteti i Korçës.

E patëm të vështirë të ndahemi prej fjalëve të thjeshta, bisedës së ngrohtë dhe punishtes së vogël ku punon mjeshtri i madh. I premtojmë se do të rikthehemi sërish. Mbase deri atëherë ai do të ketë mundur të patentojë djersën e trashëguar nga paraardhësit e tij, ku për atë të shkruhet: “Nga kjo ofiçinë modeste është shpikur çeliku më i fortë në botë!”
Nëse nuk e merr, atëherë veç duart e tij të hekurta do të mjaftonin për të dëshmuar më së miri ato pak fjalë./Andrea Danglli, TemA.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *