Raport nga qyteti i rrethuar

Zbignjew Herbert

jam tepër plak që të ngjesh pushkën dhe të luftoj si të tjerët –

më ngarkuan për mëshirë rolin modest të kronikanit
shënoj – një zot e di për kë – historinë e rrethimit

lypset me qenë i saktë por nuk di kur nisi sulmi
dyqind vjet më parë në dhjetor shtator
a ndoshta mbrëmë ndaj të gdhirë
këtu të gjithë janë të sëmurë me humbjen e ndjenjës së kohës
mbetur na ka sall vendi i lidhjes me vendin
ende s’i kemi lëshuar rrënojat e tempujve fantazmat e kopshtieve e shtëpive
nëse i humbim rrënojat asgjë nuk na mbetet
shkruaj si mundem në ritmin e javëve patësosur
e hënë: depot janë bosh njësi e këmbimit u bë miu
e martë: burgomistrin e vranë dofarë të panjohurish
e mërkurë: flitet për pajtime kundërshtari internoi ambasadorët
nuk i dimë vendndodhjet e tyre d.m.th. vendet e ekzekutimit
e enjte: pas një mbledhje të furtunshme me shumicë votash hodhën poshtë
propozimin e tregëtarëve të manifakturave për kapitullim pa kushte
e premte: fillimi i murtajës e shtunë: i dha fund me vetëvrasje
N.N. një mbrojtës i palëkundshëm e diel: s’ka ujë thyem
sulmin e portave lindore të quajtura Portat e Testamentit

këto të gjitha i kuptoj njëtrajtshëm askënd s’e shqetëson
u shmangem komentarëve përmbaj emocionet shkruaj për faktet
më duket se vetëm ato vlerësojnë në tregjet jashtë shtetit
por me një krenari të madhe qejfi ma kish t’i rrëfej botës
se falë luftës kemi edukuar një varietet të ri fëmijësh
fëmijët tanë nuk i duan përrallat luajnë veçse në vrasje
në ëndërr dhe zhgjëndër ëndrrojnë për supë bukë dhe kocka
krejt si qentë dhe macet

mbrëmjeve ma ka ënda të bares kufinjve të Qytetit
përgjatë sinoreve të pasigurta të lirisë sonë
së larti sodis si një fole gjigande thneglash ushtarët dhe zjarrthet e tyre
dëgjoj gjëmimet e daulleve vigmën e barbarëve
dhe vërtet s’e kuptoj qysh ende mbahet Qyteti

rrethimi vazhdon aq gjatë armiqtë si duket ndërrohen
asgjë të përbashkët nuk kanë përpos babëzisë për vdekjen tonë
gotët tartarët suedezët ushtarët e Perandorit
divizionet e Shndërrimit të Perëndisë
s’kanë të numëruar
ngjyra e flamujve të tyre ndërrohet si pylli në horizont –
verdhezi delikate zogthi n’prag pranvere
jeshilishte purpurake llurbe dimërake

ndajnatë çliruar prej faktesh mund të vras mendjen
për punë të ra të qëkurit përshembull për aleatët tanë
përtej detit e di sinqerisht na kanë pikë në zemër
na çojnë miell e thasë rrumbull me dhjamë dhe këshilla të urta
madje as nuk e dinë që ne na tradhëtuan etërit e tyre
aleatët tanë të kohës së Apokalipsisit të dytë
bijtë e tyre s’janë fajtorë meritojnë mirënjohje
dhe u jemi mirënjohës
ata s’e kanë përjetuar rrethimin e gjatë sa përjetësia
ata që i ka pllakosur kobi janë prore të vetmuar
mbrojtësit e dalaj-lama-s kurdët malësorët afganë

njitash kur po shkruaj këto rradhë ithtarët e kompromisit
morën capak të përpjetë mbi partinë e të patundurve
paqëndrueshmëria e rëndomtë e gjendjes shpirtërore zgjidhet ende prej fatit

gjithë e më tepër varre mbrojtës gjithë e më pakë
por barrikada s’është shembur dhe gjer në fund do qëndrojmë
dhe nëse Qyteti bie dhe dikush do shpëtojë
ai do ta bart në vetvete Qytetin udhëve të syrgjynit
ai do të jetë Qyteti

e shohim në fytyrë zjarrin dhe urinë dhe vdekjen
dhe atë mënxyrën e mënxyrave – fytyrën e tradhëtisë

Dhe sall ëndrrat tona janë të pamorta

Përktheu: Agron TUFA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *