Tenori nga Kosova, Ramë Lahaj, ka hedhur edhe një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.
Të mërkurën mbrëma ai është ngjitur në skenën e “Opera National de Paris-Bastille” me një rrëfim dashurie ku lufta bëhet shkas për ndarjen e një çifti. Lahaj ka debutuar në këtë skenë me rolin e Edgardo di Ravenswood në operën “Lucia di Lammermoor” që sjell rrëfim tragjik në tri akte kompozuar nga Gaetano Donizetti. U shkrua në vitin 1835, në kohën kur faktorë të ndryshëm e çuan në majë reputacionin e tij si kompozitor të operës.
Premiera e saj nën regji të Andrei Serban u dha më datën 14 të muajit tetor në “Opera International de Paris”, ku në rolin e Edgardo di Ravenswood u paraqit tenori Piero Pretti, ndërsa të mërkurën në këtë rol ishte radha për Lahajn. Ai u bë pjesë e historisë operistike, ku fati i Lammermoorit është në rrezik nëse Lucia nuk ka martesë të suksesshme. Vëllai i saj Enrico tronditet pasi merr vesh që ajo ka rënë në dashuri me armikun e tij të përbetuar Edgardo. Ai detyrohet të shkojë në luftë dhe para se të niset shkëmbejnë unazat me Lucian, ndërkohë, Enrico shpejton që ta martojnë motrën me Arturon.