Nga Ardita Jatru
Ra një shi i rrëmbyeshëm mbrëmë
dhe të gjitha mendimet e botës i shkuli nga degët
dhe m’u kujtua një oborr i vogël diku
me hallakatje pikëllimesh
ku stinët nuk nxenë më.
Atje, jetonte Dodona e bukur flokëverdhë.
Një dorë perëndie ja hidhte gjethet në oborr
një tjetër ja priste
dhe Dodona me fshesë çdo ditë,
i mblidhte vjeshtët e saj në qoshkë pirg
i bënte të palëvizshme
dhe vonë, shumë vonë
nuk dihet saktë
në plehun e një pirgu me aromën e vdekjes
një vjeshte me shi e vetëtima
tek oborri i Dodonës
zbuluan një kufomë të ngrënë
nga mendimet.