Pse po vuan libri shqip? – Flasin drejtorët e shtëpive botuese më të njohura

Intervistoi: Ben Andoni

DITURIA: Problemet i shoh edhe më gjerë se te Ministria e Kulturës

Flet për “Milosao”-n, drejtori i Shtëpisë Botuese ‘Dituria”, Petrit Ymeri shpjegon vështirësitë që ka libri sot, por edhe politikat që nuk e përkrahin atë dhe që sipas tij vinë nga mosdija, por edhe ato që janë të qëllimshme

Keni një nga stendat përfaqësuese më të plota, por edhe me tituj vërtet mbresëlënës. Me çfarë vështirësish u përball DITURIA në këtë vit, përsa i përket politikave të saj të botimit?

“Mendoj se DITURIA këtë vit ka pasur një vit të begatë nga këndvështrimi i shumë titujve të përgatitur për botim, të titujve të botuar dhe të atyre që janë në proces pune (në plan, në porosi, në përkthim, në redaktim apo edhe në shtyp).
Nëqoftëse do flasim për vështirësi, atëherë më duhet të them që kemi shumë punë të planifikuara pjesa më e madhe, por edhe gjëra që dalin e duhen përballuar. Para kemi shumë punë në organizimin dhe bashkërendimin e forcave të shumta intelektuale që kemi të angazhuara në realizimin e planeve tona botuese. Kemi me dhjetëra tituj që janë në hallka apo në nivele të diferencuara të veprimtarisë sonë botuese. Kjo kuptohet që është një punë zinxhir, nga viti në vit, në kolana të ndryshme, në gjini e zhanre të ndryshme. Pra puna drejtuese dhe menaxhuese ka tensionin më të madh. Planifikimi, zbatimi, ndarja e punëve sipas kalendarit rigoroz në pikëpamje të afateve dhe sigurisht, karakteristika jonë dominante: cilësia e punës. Cilësia në zgjedhjen e titujve e autorëve, në përkthimin që duhet të përballojë me dinjitet e nivelin e duhur veprën origjinale, puna redaktoriale dhe korrektuese e deri tek proceset e tjera të formulimit grafik e të cilësisë së shtypit. Janë të gjitha procese të punës botuese që kanë rëndësinë e peshën e tyre. Për të ardhur më pas në punën e marketingut që është një prej hallkave jo gjithmonë të forta, edhe sepse duhet të përballet me një treg të dobët e informal herë-herë.
Gjatë vitit 2015 ne kemi filluar të punojmë me një grup titujsh të projektit përkthimor të BE, Europa Krijuese, ku janë përfshirë një grup romanesh historikë, autorë e vepra tepër të njohura e të vlerësuara. Në pranverën e këtij viti filluam botimin e tyre dhe në maj të vitit të ardhshëm do botohen edhe titujt e fundit. Përveç tyre kemi pasur shumë tituj të tjerë, autorë shqiptarë e të huaj, kemi ngulmuar fort gjithashtu në përgatitjen e projekteve të tjerë europianë dhe vendas duke zgjeruar larminë e titujve tanë.
Mund të them që ndërkaq ne jemi duke punuar njëkohësisht në tre projekte të mëdha europiane, jemi pjesë e një projekti përkthimesh nga kultura kineze, në bashkëpunim përkthimesh botues maqedonas etj, pa folur për projekte të tjera të vogla, me institucione vendase e ndërkombëtare”.

Çfarë risish do të përcillni në këtë panair?
“Sikurse ju thashë ne jemi të përqendruar në realizimin e detyrave të planifikuara, që i kemi shumë të qarta sepse punojmë me plane afatgjata. Ju përmend për shembull që në vijim të pasurimit të kolanës tonë disa vjeçare Histori e Popujve dhe e Shteteve, gjatë vitit 2016 ne po i japim lexuesit shqiptar librat Histori e SHBA, Histori e Kanadasë  dhe Histori e Kinës, tre vepra themelore për popuj e vende të mëdhenj. dalloj në botimet tona të pranverës 2016 tre romanet e Margerite Dyras “Dashnori i Kinës së Veriut”, “Dhimbja” dhe “Dhjetë e gjysmë e mbrëmjes në verë”. Dua të përmend gjithashtu romanin e parë të sagës historike britanike “Salla e Ujqërve”, me autore Hilari Mantel, shkrimtare e shquar që ka fituar dy herë Man Booker Prize, romanin “Kanali Musolini”, fitues i çmimit Strega në Itali, dy romane nga letërsia greke “Z. Orgjia e pushtetit” nga Vasili Vassiliko dhe “Ari i rremë” nga Maro Duka, romanin e shkëlqyer gjerman “Dru qershije dhe ndjenja të vjetra” nga Marika Bodroziç. Dua të përmend patjetër dy vepra premierë të Umberto Ecos, romanin “Lavjerrësi i Fukoit” të cilin ai vetë e konsideronte romanin e tij më të mirë) dhe vëllimin eseistik “Të udhëtosh me një salmon”. Kemi gjithashtu dy të papritura të këndshme për lexuesin tonë nga Roëlingu, së pari romanin e tretë të saj (me pseudonimin letrar Robert Galbraith) nga seria thriller me Kormorajn Strajkun “Rruga e së keqes” dhe libri që po pritet me padurim jo vetëm nga fëmijët e të rinjtë, me titullin “Harry Potter dhe fëmija i mallkuar”. Nuk më vjen të lë pa përmendur një libër të veçantë si “Pianisti” histori që na vjen nga getot naziste të luftë së dytë, romanin “Një familje pothuajse e përsosur” i botuar në gjithë gjuhët europiane, një histori shumë njerëzore dhe interesante, dhe për ta mbyllur me kryeveprën e letërsisë impresioniste italiane “ Burri që këqyr” të Alberto Moravias”.

A mendoni se ka ndryshuar diçka në Ministrinë e Kulturës, përsa i përket politikës së saj të librit? A duhej që ta lehtësonte disi peshën e vështirësive që ka libri shqiptar, me anë të një lloj mekanizmi më fleksibël?

“A mund të flitet e të mendohet për lehtësim kur sistemi tatimor ka goditur dhe ka rënduar në mënyrë të drejtpërdrejtë sistemin libror? Dua t’ju përmend që nga janari i vitit 2013 janë rritur me 50 % taksat e veprimtarive librore të regjistruara (shtëpi botuese, librari, shtypshkronjë); është rritur me 50 % tatimi mbi honoraret e krijimtarisë librore. Sistemi i TVSH-së mbi librin është i çorientuar. Para një viti u vendos ky tatim mbi librin elektronik. A janë lehtësime apo fleksibilitete këto?!
Është krijuar një atmosferës mbytëse dhe vështirësitë janë më të mëdha se kurrë, të paktën nga 1998 e deri sot. Problemet i shoh më gjerë se te Ministria e Kulturës, i shoh te politikat e gabuara shtetërore, në gjithë gabimet e mëdha që janë bërë me librin në Republikën e Shqipërisë, për shumë e shumë vjet, me qëllim apo edhe nga mosdija apo indiferenca. Sikundër edhe në shumë fusha të tjera, edhe në punën me librin vëmendja është përqendruar në aktivitete propagandistike dhe imazhi të gënjeshtërt. Ka qenë domethënës mohimi i të drejtës së njerëzve të interesuar dhe i detyrimit që kanë institucionet shtetërore për debate publike për çështje kulturore të një rëndësie të dorës së parë sikurse është libri. Këto nuk mbulohen me projekte e mbështetje për klientët e administratës, as me veprimtaritë provinciale e teatrale që zgjasin sa një shi vere dhe janë shumë të kushtueshme, as me batuta dhe shakaçka provinciale. Kjo vihet re që nga gabimet shumë të rënda në politikat me librin në shkollën shqiptare, në errësirën totale që karakterizojnë raportet me bibliotekat shkollore, apo edhe biblioteka të niveleve të tjera, në ndërhyrjet që mbështesin dhe synojnë krijimin e monopoleve, në furnizimet e bibliotekave të niveleve të ndryshme, në qëndrimin e pushtetit lokal, në veprimtaritë librore kombëtare apo lokale etj., etj”.

Si e shikoni personalisht përballjen e publikut me librin?

“Janë të shumta qasjet apo ngasjet që na bëjnë të mendojmë për këtë raport, që e kemi konsideruar gjithmonë si themelin e punës sonë, por që po vështirësohet nga dita në ditë. Arsyet janë edhe ekonomike, por edhe sociale. Jemi dëshmitarë të një gjendjeje ekonomike që nuk po shkon duke u përmirësuar, dhe të një mungese qetësie normale e relative që kërkon leximi. Jetojmë në një kohë kur bëhet pak për librin dhe sistemin e tij. Veprimtaritë librore ku buratinët e pushtetit mallëngjejnë me recitime nëpunësit e tyre duartrokitës dhe kuakërit e tjerë budallenj, nuk kanë lidhje me publikun që e do dhe e kërkon librin. Gjatë këtyre pak viteve nuk kemi parë të hapet ndonjë librari e re, as në Tiranën që po shkulet nga themelet apo në qytete të tjerë, përkundrazi dimë që janë mbyllur librari apo kioska librash, janë pakësuar shumë shitjet e librave, dhe botuesit kanë ulur në mënyrë të dukshme tirazhet e botimit, por edhe titujt e rinj. Sigurisht që këto ndikojnë në uljen e leximit, dobësojnë marrëdhëniet e lexuesit me librin, me kulturën. Jemi një popull i vogël që kemi nevojë për më shumë libra, më shumë lexim, më shumë kulturë, që të mund të afrohemi me Europën. Dhe këto nuk bëhen me fjalë”.

 

UET-Press: “Na duket sikur jetojmë në ishull”

Flet për “Milosao”, znj.Valbona Nathanaili, drejtore e botimeve, UET Press. Cilat janë risitë e UET-së dhe pse mungojnë politikat me librat

Keni bërë prezantime me konceptim shumë masiv. Çfarë konceptimi i keni bërë vitit 2016 në Panairin e Librit?
“’Prezantime me konceptim masiv’ do e riformuloja ndryshe: promovime periodikë, të cilët me përjashtim të periudhave të pushimeve, janë zhvilluar pothuaj gjithmonë një herë në javë. Keqardhja e vetme që kemi hasur, herë pas here, gjatë këtyre promovimeve, – ndoshta pikërisht për shkak të këtij periodiciteti ose “masiviteti”, – ka qenë pjesëmarrja e njerëzve jo në përputhje me pritshmëritë tona, në të dyja rastet, edhe më pak nga sa prisnim, por edhe shumë më shumë. Kam një keqardhje shumë të thellë që nuk na vinë më, në promovime libri, drejtuesit dhe personat VIP të Partisë Socialiste: sa pa fituar zgjedhjet ishin të pranishëm çdo të martë ora 18.00 në UET; me të ardhur në pushtet, sigurisht për shkak të kohës së ngjeshur me detyrime në përmbushje të përgjegjësive që kanë ndaj shoqërisë dhe popullit, nuk kanë ardhur më të na mbështesin moralisht me pjesëmarrjen e tyre në festat e daljes së librave të ndryshëm.
Nga ana tjetër, dua të theksoj që, UET Press, ka një sallë shumë të mira në dispozicion për provimin e librave, përpos disa elementëve të tjerë që e lehtësojnë dhe e bëjnë shumë efikas promovimin e tij, si pjesë të strukturës pranë të cilit funksionon, kështu që ja disa arsye më shumë për të kërkuar të takohemi me lexuesin sa më shpesh. Por duhet të nënvizoj që kemi botuar shumë libra të mirë përgjatë gjithë vitit 2016.
Sa i takon Panarit të Librit Tirana 2016, për shkak të kostove të shumta që ka pjesëmarrja në panair, sikundër edhe të mënyrës se si organizohet panairi i librit këtu te ne, konceptimi i pjesëmarrjes sonë në Panairin e Librit, Tirana, 2016 do të jetë, pak a shumë, i njëjtë me atë të vjetshmin dhe, në përgjithësi, të viteve më parë. Stenda, si zakonisht e mbushur me libra e postera të shumtë, ndonëse këto të fundit të përqendruar, kryesisht, në veprën e imazhin e disa autorëve, autorë në stendë, shitje librash, dhënie autografesh… Uroj sa më shumë suksese për të gjithë pjesëmarrësit edhe në këtë Panair Libri”.

Çfarë risish do të përcillni me prezantimet tuaja?

“Risia që i intereson pjesës më të madhe të atyre që vinë në panair është se do të kemi ulje çmimesh për shumë nga titujt që në ditën e parë të panairit. Është pothuaj i vetmi qëllim dhe interesim, përmbledhur në një pyetje: Sa e ka çmimin ky libër? Blerësit janë në të drejtën e tyre, ndërsa ne jo, sa kohë që vazhdojmë të shesim libra në panair. Është thënë e rithënë vazhdimisht, diskutuar e debatuar në lidhje me këtë çështje, por gjithmonë në vend-numëro. E hapim dhe e mbyllim panairin duke numëruar lekët e xhiros ditore. Sado që shumë nga shtëpitë botuese përpiqen të sjellin autorë të huaj, të organizojnë promovime me autorë shqiptarë a të iniciojnë fillimet e ndonjë debati a dialogu për një tematikë të caktuar, gjithçka sfumohet në zhurmën e rrëmujën e vazhdueshme e të përditshme. Kështu që në lidhje me prezantimet, do vazhdojmë njëlloj si vjet: autorë në stendë. Lista e botimeve të këtij viti është shumë e pasur dhe shumë autorë të pëlqyer nga lexuesi shqiptar vinë me botime të reja edhe në këtë panair”.

Cilat janë problematikat që kanë hasur botimet shqiptare në këtë vit…

“Asgjë të re nga fronti i zgjidhjes së problematikave të librit, – do ishte përgjigja ime më e mirë. Vazhdojmë të punojmë, kryesisht, me dy burime financiare: paratë që investon UET Press për botime të ndryshme dhe autorë që na e lehtësojnë pak këtë barrë dhe i gjejnë vetë burimet financiare për botimin e librit. Na duket sikur jetojmë në ishull. Në det e kohë të mirë marrim mjetet e lundrimit dhe komunikojmë edhe me shtëpitë e tjera botuese, por më shumë për të bërë “qokat e radhës” me njëri-tjetrin për promovime libri. Përpos parave që nuk dalin asnjëherë për t’i bërë librit të gjithë shërbimin që meriton, një problem i kohëve të fundit lidhet me librat që dorëzojmë në Bibliotekën Kombëtare: 5 janë shumë dhe, për më tepër, ndonëse janë dhuratë, në mënyrë fiktive na kërkojnë t’i dorëzojmë me faturë tatimore, pra t’i deklarojmë si shitje, ndërkohë që ato para nuk i kemi marrë kurrë. Vetëm gjatë vitit 2016, nga janari deri më sot, UET Press ka dorëzuar vlerë libra pranë Bibliotekës Kombëtare 141 000 lekë. Kërkesat e tjera janë po ato që nuk janë zgjidhur asnjëherë: më pak politika partiake dhe më shumë politika për librin shqip, promovimin e tij në vend dhe, më pas, ndoshta edhe në botë, më shumë fonde për libra, më shumë vëmendje”.

“TOENA”: Ta çojmë librin te fëmijët!

Flet për “Milosao”, znj. Irena Toçi, drejtoreshë e Botimeve “Toena”. Cilat janë risitë dhe përballjet e librit të sotëm shqip, parë me sytë e shtëpisë së saj botuese

Keni një nga pavijonet më të plota, por edhe më masiv dhe keni sjellë vazhdimisht autorë vendas por edhe ballkanas. Çfarë konceptimi i keni bërë vitit 2016 në Panairin e Librit?
“Stenda ‘Botimet Toena’, do të jetë po aq e madhe, po aq mikpritëse, për shkrimtarët, librat e tyre dhe lexuesit sa edhe çdo vit. Me të njëjtin përkushtim, dashuri të pafund për Librin, dhe respekt të pamatë për punën krijuese të talenteve të reja dhe shkrimtarëve më në zë shqiptarë e të huaj, për 5 ditë rresht, stenda e ‘Botimeve Toena’ do të shërbejë si një pikë takimi, promovimi dhe kontakti me letërsinë më të mirë shqipe dhe të huaj. I pranishëm në stendën e Toena-s do të jetë prof. Rexhep Qosja për të promovuar librin e ri të tij ‘Pushteti i korruptuar’”.

Çfarë risish do të përcillni me prezantimet tuaja? Pse po mbështesni kaq shumë Ballkanin?

Është e papërfytyrueshme sesi ne, popujt e Ballkanit, që kemi bashkëjetuar në të njëjtin territor, kemi patur fate të ngjashme historike, jemi rrezikuar nga të njëjtit armiq, kemi komunikuar intensivisht me njëri-tjetrin, jemi martuar me njëri-tjetrin, kemi krijuar të njëjtat legjenda, kemi trashëgimi të ngjashme kulturore, sot, në kohët moderne, e vetmja gjë që na shqetëson më së shumti është të shpalosim arrogancën tonë me të gjithë format fëminore të mundshme, të vazhdojmë të pyesim veten dhe të tjerët cili është më legjitim se tjetri në tokën e vet, cili është më i zoti se tjetri, cili meriton më shumë lëvdata se tjetri?! Është absurde, është qesharake, është për të qeshur. Kemi pasur pa dyshimin më të vogël një komunikim më të mirë dhe aleanca më jetike qindra vjet më parë sesa në ditët që jetojmë. Në ditët që jetojmë ky komunikim i munguar, kjo mosnjohje që ka ardhur nga mosdëshira dhe mospranimi, do stimuluar, do ndihmuar, duke qenë të hapur për të pranuar, për të dëgjuar dhe për t’u dëgjuar, duke lenë mënjanë mendjemadhësinë, duke u përpjekur me zemër të hapur e plot kërshëri e respekt për artin e njëri-tjetrit ta duam njëri-tjetrin sërish. Ta njohim njëri-tjetrin nga e para, pse jo?! Kush më mirë se letërsia mund ta bëj këtë?! Prandaj, jemi përpjekur çdo vit, në mënyrë të përsëritur dhe këmbëngulëse të botojmë dhe promovojmë shkrimtarë shqiptarë dhe ballkanas. Dhe po kaq përpiqemi që letërsia jonë të kalojë kufijtë e gjuhës tonë. Kemi bashkuar e ndërthurur promovimin e autorëve shqiptarë dhe ballkanas edhe në të njëjtin auditor, si këtu në Tiranë, por po aq edhe në Athinë, apo në Shkup, apo në Ulqin, apo në Prishtinë…
Në këtë Panair do të ketë aktivitete të përditshme promovuese kushtuar risive nga letërsia shqipe dhe ajo e huaj; nga publicistika dhe historia. Takime të veçanta do t’i kushtohen promovimit të romanit të ri të shkrimtarit Besnik Mustafaj “Ëndrra e doktorit”; romanit të ri të shkrimtarit Bardhyl Londo “Nata e verbër”; romanit historik të shkrimtarit të francez Jean-Cristophe Rufin “I madhi Kër” (i pranishëm në këtë aktivitet); librit të ri publicistik të prof. Rexhep Qosjes “Pushteti i korruptuar”; librit të ri historik “Udhëkryqe shqiptaro-gjermane” të prof. Paskal Milo e shumë të tjerë. Shumë libra të rinj nga letërsia franceze, italiane, greke, spanjolle, gjermane, angleze, finlandeze, amerikane, australiane dhe sigurisht letërsia më e mirë shqipe.
Një botë e tërë me libra që të ftojnë: #lexodhepërjetomagjinë”.

Cilat janë problematikat që kanë hasur botimet shqiptare në këtë vit?
Mendoj se një nga problematikat që kërkon vëmendje të veçantë dhe kërkon vëmendje, përkushtim dhe mundësisht zgjidhje imediate, mosleximi i librave jashtëshkollorë në orët e letërsisë. Fëmijët prej disa vitesh nuk kanë mundësi të lexojnë libra të tjerë përveç atyre shkollorë, gjë që i largon çdo ditë e më shumë nga libri. Me pak vëmendje, me pak dëshirë, me shumë mirëkuptim për rolin që libri dhe letërsia mund të luajë në jetën e tyre, dhe me një strategji të qashtër, institucionet përgjegjëse duhet të gjejnë mënyrën e duhur për ta realizuar këtë gjë”.

 

“PEGI”: “Kriza ekonomike ka ndikuar në fuqinë blerëse të lexuesve”
Flet për “Milosao”, botuesja Loreta Berhami. Pse i janë kushtuar letërsisë klasike dhe autorëve kinse të panjohur dhe vëshirësitë me të cilët përballet libri shqiptar

Ardhja juaj vjen me shumë risi, për çdo vit, por edhe me shumë tituj bashkëkohorë. Po punoni shumë me librat më të mirë klasikë, por edhe ata të autorëve vendas. Çfarë konceptimi i keni bërë Panairit të Librit 2016?

Panairi i vitit 2016 do të jetë, ndër të tjera, panairi i autorëve të mëdhenj e relativisht të rinj për lexuesin shqiptar. Përjashtimi kryesor është pseudoromani i ri i autorit tonë të dashur Edmond Tupja, i cili vjen me “Po shkoj të kap Enisin” (lojën e fjalëve që në titull do ta shpjegojë më mirë vetë ai…). Ndërsa, një shkrimtare e madhe dhe pak e njohur për lexuesin shqiptar është Elena Ferrante, nga e cila po sjellim “Mikesha gjeniale”, me përkthim të Albana Nexhipit. Ferrante qe ndodhia letrare e viteve të fundit, një autore anonime, e pashfaqur ndonjëherë në media, që është botuar në dyzet vende të botës dhe ka shitur miliona kopje të kryeveprës së saj, Sagës së Mikeshës Gjeniale (apo Saga napolitane, siç e quajnë amerikanët). Kjo sagë, e cila përbëhet nga katër libra (Mikesha gjeniale është i pari) është një nga veprat më të bukura që kam lexuar në jetën time, kaq gjithëpërfshirëse dhe emocionuese, sa po e lexoj për të tretën herë tani, në shqip, dhe ende ka fuqinë të më mbajë mbërthyer, sikur të mos ta dija si mbaron historia.
Një tjetër autor i rëndësishëm për ne, i cili gjithashtu ka zgjedhur të botojë me pseudonim është Tom Kuka, i cili do të vijë me “Hide mbi kalldrëm”, një rrëfim mbi Tiranën dhe Shqipërinë e pothuajse para një shekulli, ku paraqiten, thuajse pa dashje, një sërë karakteristikash e problematikash tejet aktuale për shoqërinë shqiptare”.

Çfarë risish do të përcillni me prezantimet tuaja në këtë panair? Pse po mbështesni kaq shumë letërsinë klasike?

Mendoj që, në mënyrë të paqëllimshme, duket se sivjet do të mbështesim autorët me identitet sekret, që nuk duan të mediatizohen apo edhe të lidhen personalisht me veprat e tyre. Natyrisht që nuk ka asgjë të gabuar në zgjedhjen e autorëve të tjerë që i promovojnë dhe i mbështesin librat e tyre, përkundrazi. Biles mund të them se si botuese kam interes që kjo gjë të bëhet dhe sa më mirë të jetë e mundur. Por, kuptoj nevojën njerëzore për të mos u barazuar me çfarë është hedhur në letër, për të mos ta shkëmbyer intimitetin e jetës tënde me një rrëfim publik. Elena Ferrante arriti të shkruante nën pseudonim për njëzet vjet me radhë, dhe e ruajti këtë sidomos kur vepra e saj arriti suksesin e jashtëzakonshëm që pamë ne pesë vitet e fundit. U përndoq gjatë për këtë zgjedhje të saj, derisa dikush ia hoqi të drejtën e privatësisë, duke hetuar në jetën e saj private sikur ajo të ishte një kriminele. Unë isha një ndër miliona lexuesit e zhgënjyer nga ky zbulim; unë nuk doja ta dija se kush ishte ajo dhe ende sot e kësaj dite vazhdoj të kapem pas imazhit që kisha krijuar në mendjen time për Ferranten. Uroj që lexuesit të kenë kuriozitetin dhe mirësinë t’i gjykojnë autorët vetëm për atë që mbetet e shkruar në letrat e tyre. Kjo vlente për Elena Ferrante-n dje, dhe do të vlejë edhe për Tom Kukën nesër. Vlen natyrisht edhe për të gjithë autorët që botojnë me emrat e tyre dhe nuk duan të lexohen apo interpretohen nëpërmjet thjerrës së jetës së tyre, qoftë kjo publike apo private.
Për t’u kthyer te kryeveprat botërore, së fundmi kemi pasuruar koleksionin Lotus me një titull çlirues, tronditës, përshkënditës si “Muza e haresë”, nga Goliarda Sapienza, me përkthim të Aida Baros. Në varësi të ecurisë së punës, shpresojmë që në panair të sjellim edhe dy tituj të tjerë, njëri është një kryevepër e letërsisë moderne amerikane “Këmbana e qelqtë”, e Silvia Plath-it, me përkthim të Davjola Ndojës, dhe tjetri është një klasik, “Një histori dashurie në Oksford”, nga Max Beerbohm, me përkthim të Alina Karaullit. Për të mbetur te klasikët, gjatë vitit kemi botuar “Lord Xhim”, nga Joseph Conrad, me përkthim të Zef Simonit dhe “Tehu i briskut”, nga Sommerset Maugham”, me përkthim të Engjëllushe Shqarrit. Të dy janë romane që përmbajnë reflektime mbi vlerën dhe aksiomat e jetës njerëzore, mbi guximin për të jetuar sipas një busulle të brendshme e cila jo gjithmonë përkon me udhërrëfimet e jashtme”.

Cilat janë problematikat që kanë hasur botimet shqiptare në këtë vit…dhe ju personalisht?

Problematikat janë pa fund, po njëri është problemi kryesor. Kriza ekonomike ka ndikuar drejtpërsëdrejti në fuqinë blerëse të lexuesve, duke i shtrënguar ata të blejnë më pak libra, të konsumojmë më pak kulturë. Kjo është problem për botuesit, por edhe për të gjithë profesionistët që e kanë jetën e tyre të lidhur me letrat e bukura”.. Milosao

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *