Pse opozita e urren numrin 7-të

Alfred Peza
Gjatë debateve për reformën në Drejtësi, në ligjërimin e tij një koleg i opozitës, përmendi numrit 13 të Djallit, nisur nga moti ters 1913, referuar “Vitit të mbrapshtë” të Ismail Kadaresë. Duke qenë se ka patur shumë teza përgjatë muajve të debatit tonë kombëtar në lidhje me këtë temë, mendova se do të ishte me interes që ta shihja këtë çështje nga një këndvështrim krejt tjetër. Ndaj thirra në ndihmë numerologjinë, për të shpjeguar çështjen e paketës së 7 ligjeve që mundesojnë implementimin e ndryshimeve kushtetuese që u miratuan më 22 korrik (2016), për reformën në drejtësi.
Duke qene se NJËRI prej SHTATË ligjeve të kësaj pakete (ai për “Vetingun”) është miratuar në 30 gusht, gjatë kësaj jave, në Parlament erdhën për miratim GJASHTË ligjet e tjera.
Nëse i referohemi numerologjisë, numri 6 simbolizon njerëzimin dhe numri 7 simbolizon qendrën e njerëzimit, si një lidhje e njeriut me Krijuesin. Kjo është aresyeja pse numri 7 konsiderohet si numri më i veçantë dhe më i rëndësishëm në bashkesinë e pafund të numrave.
Ndaj nuk eshte rastesi qe kemi:
– 7 mrekullitë e botës;
– 7 ditët e javës;
– 7 rrathët e universit;
– 7 mëkatet e mëdha;
– 7 notat muzikore…
– Në fenë Budiste, 7-ta është numri i ngritjes dhe thuhet se Buda ka bere 7-të hapa menjëherë pas ngritjes.
– Në fenë e Krishterë,- Zoti përfaqësohet nga rrethi i 7-të i cili ndodhet në qendër të 7-të rrathëve të krijimit.
– Sipas traditës Hebraike, 7-ta është numri i inteligjencës, ndaj ka 7-të Ditë të Shenjta në vitin Hebraik.
– Ndërsa në Fenë Muslimane numri 7-të ka rëndësi të veçantë sepse lidhet me krijimin nga Allahu të 7-të Qiejve; 7-të Tokave; – I cili bëri krijimin e njeriut në 7-të etapa; ka percaktuar 7-të rrotullime rreth Gurit të Qabës; 7-të xhiro ndërmjet Safasë dhe Mervasë; – 7-të guralecë për të gjuajtur Shejtanin në Mina dhe 7-të Takbire gjatë faljes së Bajramit.
Nga 7-të ligjet e paketës që sigurojnë implementimin e ndryshimeve kushtetuese të Reformës në Drejtësi, opozita jonë njërën prej tyre,- atë të “Vetingut”,- e ka çuar për ta rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa nga 6-të ligjet e paketës që shkuan për miratim këtë të enjte në Parlament, deklaroi se do të votonte vetëm NJË: Projektligjin për SPAK, ose e thënë më gjatë projektligjin për ngritjen e “Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.
Qëllimi i këtij ligji tashmë, është: “Garantimi i ndëshkueshmërisë së veprave penale në fushën e korrupsionit përmes forcimit të zbulimit dhe hetimit pro-aktiv dhe bashkëpunimit të ngushtë mes strukturave të specializuara antikorrupsion”.
Nisur nga kjo qasje e opozitës, për të pranuar NJË dhe 7-të ligjet e paketës së reformës pyetja shtrohet: A mund të ngrihet, funksionojë e të jetë eficient vetëm NJË institucion, pa u ngritur edhe 6-të të tjerët? A mund ta garantojë suskesin e reformës në drejtësi SPAK-u, pa ngritjen e 6-të institucioneve të tjera si:- Organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë? – Pa garantimin e statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve? – Pa organizimin dhe funksionimin e ri të Prokurorisë? – Pa organizimin e pushtetit gjyqësor? – Pa organizimin dhe funskionimin e Gjykatës Kushtetuese? – Dhe, pa ngritjen dhe funksionimin e sistemit të “Vetingut”?!
Pra opozita jonë që simbolizohet sot vetëm nga NJË individ e që votoi në Parlament vetëm NJË nga 7-të ligjet e paketës, ka një problem të madh jo me Reformën në Drejtësi. Jo me ndryshimet kushtetuese. Jo me paketen e 7-të ligjeve. As me “Vetingun” që kërkon ta rrëzojë në Gjykatën Kushtetuese, as me ligjin e SPAK që e veçoi nga të tjerat dhe e votoi, duke e përdorur si “Gozhden e Nastradinit” në të gjithë këtë proces. Opozita jonë ka një problem shumë të madh me numrin NJI.
Çfarë thotë numerologjia për numrin NJI, më të preferuarin ndër të gjitha numrat nga opozita jonë. Nuk bëhet fjalë për ndonjë varg të poemës se Majakovskit për Leninin dhe për “Njëshin zero e fyell”.
Por është fjala për një përkufizim shkencor të numrit NJË.
I cili e sheh atë të lidhur me Diellin. (Dhe të gjithë e dinë se kë sheh opozita jonë si Diellin e saj qe nuk perëndon kurrë!) Edhe nëse ka ndonjë “Yll në ngjitje(?!)” në PD ai nuk duket për aq kohë sa Dielli nuk perëndon…
Numri NJË njihet nga studiuesit si një numër “i fuqishëm dhe individualist”. Njerëzit që e preferojnë atë janë lidere me kurajë dhe ambicie të madhe. “(Kurajë e madhe është ti shpallësh luftë për Reformën në Drejtësi SHBA-së,- apo jo?!)
Njerëzit që e preferojnë aq shumë numrin NJË janë shumë kërkues dhe mbi të gjitha egoistë. Egoistë shumë të mëdhenj, madje. Jam gati të mirëkuptoj të gjitha arësyet se përse opozita jonë nuk e voton, nuk e do, e urren, e është gati të bëjë gjithçka, kundër reformës në Drejtësi.
Por, ajo që nuk arrij të kuptoj dot, është se përse opozita jonë e urren numrin 7-të. E për rrjedhojë edhe 7 ligjet e paketës që mundësojnë fillimin e implementimit dhe vënies në praktikë të Reformës në Drejtësi.
Me sa duket, ashtu si në librat e Shenjtë, kur krijoi Botën, Zoti punoi 6 ditë dhe në të 7-tën bëri pushim. Edhe opozita jonë, me miratimin e reformës në Drejtësi, duke u pozicionuar në anën e gabuar të historisë, duke refuzuar 6-të ligjet e paketës dhe duke dashur të rrëzojë “Vetingun” në Kushtetuese, është nisur e vetme drejt një rruge pa krye. Për të bërë në pafundesinë e saj, një pushim të gjatë. Në opozitë. Sigurisht!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *