Prostituta që njoh unë!

Nga Irena Shabani

Epo unë i dua shumë prostitutat, kuptohet jo të gjitha prej tyre, por në thelb unë nuk kam asnjë lloj urrejtje për to e aq më pak të gërmoj në pse-të e tyre për zgjedhje të tilla.

Tani disa prej tyre kur janë të liga, janë të liga, e këtë nuk e kapërcen dot as njeriu më i mirë.

Dje takova në rrugë njërën prej tyre. E kam përzemër këtu e shumë vite më parë që prej ditës kur i hyra në shtëpi.

Është njësoj mesazh-ëmbël si gjithmonë, thjeshtë që tonin e zërit e ka po njësoj të vrazhdë e të gërvishtur sikur jeta ja ka rrjepur dalëngadalë derisa e ka lënë të zbuluar e të pangjyrë.

Ishte në dimër dita kur unë e kam parë për herë të parë, ajo ishte në rrugë diku karshi Ministrisë së Mbrojtjes e unë pas saj.

Shihja tangat e saj nën një fund rripa rripa e thashë me vete “ah kjo paska tanga gri”, pastaj u kujtova që në kushte normale unë nuk kisha gjasa të shihja aq thellë veshjes së dikujt. Kështu u zgjova mëndërisht dhe vura re një grua me çizme të gjata të zeza, xhup lëkure dhe një fund (i thënçin) ishte para meje.

Disa djem e shanë dhe ajo ua kthehu me të njëjtën monedhë. Pas disa muajsh e gjeta ku banonte.

Doja ti bëja një intervistë, por të jem e sinqertë prisja që ajo të më përcillte egërsisht ose edhe t’më gjuante.

Ajo më priti në shtëpi dhe më uli në një divan.

-Rri pa siklet më tha, se çdo gjë është e sterilizuar.

Para se t’i thosha arsyen pse kisha shkuar, i kërkova falje për atë që do i komunikoja.

Kur mori vesh që isha gazetare më tha: Në një rast tjetër tani do kishe fluturuar përjashta, por mënyra sesi erdhe më bën të heq dorë nga ky vendim!

I qesha, ajo nuk me qeshi fare.

U ul përballë meje pasi më vuri përpara karamele dhe me tha: Mos ki merak mos rri ashtu gjysmë në ajër në divan çdo gjë këtu është sterile, klientët e mi nuk ulen kurrë në divan!

Më tregoi që i lante perdet e saj të tylit në 90 gradë, dhe po kështu çdo gjë të bardhë. Vinte erë e një ilaçi të mirë rrobash ngado.

Më foli për familjen, ish- burrin dhe ish- djalin, sepse e kishte kuptuar që në jetë ajo do ishte vetëm një ish për njerëzit e saj të dashur.

Më tregoi se kishte motra, vëllezër, se ishin njerëz të mirë dhe se një intervistë e saj publike do t’i lëndonte.

Më çarmatosi, kështu që hoqa dorë nga kjo ide. Më përcolli ashtu si një personazh librash me ca fjali që më lanë shumë mbresa dhe më mbushi duart me karamele.

Kur dola tek dera e pyeta nëse do më fliste në rrugë.

-Jo, më tha, vetëm do të të shikoj, nëse je mirë do të buzëqesh pak e do vazhdoj rrugën, nëse je keq do hidhërohem.

-Po pse nuk do më flasësh i thashë?

-Sepse një grua si unë e bën pis një vajzë si ti, më tha.

Koha ashtu rrodhi vërtetë, ajo nuk më fliste, edhe pse unë tentoja gjithmonë. Më kalonte pranë sikur nuk më kishte njohur kurrë.

Kohë më vonë e pa që unë nuk hiqja dorë nga përshëndetja e tani më ndalon në rrugë e më flet.

Më pyet për të gjitha e më tregon për dashurinë e saj.

Asnjëherë nuk e kam kuptuar sesi ka aq klientë dhe ka gjithmonë një të dashur të përjetshëm i cili lë kokën pas saj.

Ditën e parë që e takova atë djalë ai ishte në zor të madh se çfarë do mendoja unë. Epo çfarë mund të mendoja unë për diçka që nuk më përket fare përveçse si informacion. Them që është më mirë që ca gjëra mos të lexohen as siç duken, as siç ne do donim të dukeshin. Disa gjëra janë, pavarësisht të gjithave.

Tani ajo është kërrusur dhe është zvogëluar. Unë kam frikë nga zvogëlimi në fakt, më duket sikur milingonat do dalin direkt nga një libër i Gabriel García Márquez dhe do zhdukin gjithë gjurmët e asaj që ishte. Në çdo kohë ca njerëz kanë qënë para dhe ca kanë qënë mbrapa shoqërisë, prostitutat kanë qënë përherë anash saj…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *