“Profeti nga Praga”: “Do të këndoja një melodi ose do të vizatoja me gishta diçka në ajër”

Një shkrirje kufijsh kulturorë mes dy anëve të kufirit Shqipëri-Kosovë u cilësua dhënia e çmimit “Kadare” në letërsi për shkrimtarin e njohur Musa Ramadani. Çmimi me vlerë 10 mijë euro në vitin e tij të tretë shkon përtej kufinjve tek letërsia shqipe në Kosovë në dorën e një shkrimtari mjaft të njohur atje.
Ky çmim, i cili jepet nga Instituti Europian Pashko me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës, u vendos nga juria gjatë Ditëve Letrare të Razmës në fund të Majit dhe sot u bë ceremonia e dorëzimit të çmimit për shkrimtarin dhe promovimi i librit fitues, botim i Mapo-editions.

“Profeti nga Praga” i sjellë si dorëshkrim në konkurs u vlerësua nga juria në mesin e 36 dorëshkrimeve të tjera nga të gjitha trevat shqip-folëse, nga shkrimtarë të mirënjohur, por edhe të rinj. Presidenti i I Institutit Europian Pashko, Selami Xhepa, i dorëzoi trofeun simbolik të çmimit me motivacionin e jurisë: “Musa Ramadani me “Profeti nga Praga” ka sjellë një roman të veçantë si për nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja. Duke qenë i strukturuar në tregime të lidhura fort me njëra-tjetrën, “Profeti nga Praga” shpërfaqet si një mozaik rrëfimesh dhe kolazh teknikash narrative, një roman për letërsinë si tekst kënaqësie dhe akt përjetësie, ku krijuesi shpaloset si një libër i hapur ndaj konteksteve dhe konotimeve të ndryshme”.

Shkrimtari 73-vjeçar Musa Ramadani e vlerësoi këtë çmim si një nder që i bëhet letërsisë së Kosovës dhe rrëzimit të barrierave kulturore mes dy shteteve shqiptare.

Shkrimtari
Me marrjen e çmimit, Musa Ramadani mbajti fjalën e mëposhtme:

“Po të ndodhesha në këto çaste, për shembull, në Vjenë në Pragë ose në Paris, më me ëndje do të interpretoja këto vargjet e mia, do të këndoja një melodi ose do të vizatoja me gishta diçka në ajër. Por jam këtu në Tiranën tonë të bukur, me pretendime metropolitane, prandaj dilema është; a duhet të jem serioz siç jam, apo spirituoz siç kam qenë dikur?

Simotra dhe sivëllezër letrarë e kulturorë të mi, jam shumë i nderuar. Prej emocioneve nuk mund të flas ashtu siç e kam paramenduar, megjithatë gëzohem që ky çmim prestigjioz e mban emrin e patrikut të letërsisë shqiptare dhe botërore, Ismail Kadare.

Kanë bërë mjaft ministritë e kulturës, edhe të Shqipërisë edhe të Kosovës, shumë nënshkrime por se di çfarë është realizuar deri më tani. Por ajo që keni bërë ju, ky tempull i kulturës, i dijes, i shkencës është diçka shumë e madhe.

Falenderoj institutin Pashko, zotin Henri Çili, të cilin e njoh që nga ekranet televizive të debateve edhe anëtarët e jurisë, njësoj sikur ata që e kanë marrë anën e “Profetit nga Praga”, por dhe ata që kanë marrë ndonjë mendim ndryshe. Kjo është normale.

Jam krenar që i takoj brezit të letrarëve për nga vokacioni që nga Ibrahim Rugova, Eqerem Basha e deri Sabri Ahmeti, Edi Shykriu, Hida Halimi, mund të kem harruar dikë por mirë është edhe të harrohet ndonjëherë, edhe pse tek ne shqiptarët procesi i kujtesës duhet të jetë më i fuqishën se sa procesi i harresës.
Më keni bërë një nderim të madh, por ky nuk është një nderim për mua, është një nderim për letërsinë e Kosovës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *