Aty nga mesi i viteve ’80, nga ana e shtëpisë botuese “Naim Frashëri” iu kërkua profesor Ramadanit që të përgatiste një libër të veçantë me artikujt studimorë mbi gjurmimet në fushën e folklorit shqiptar. Pas një pune disavjeçare ai arriti ta përfundojë vëllimin studimor dhe e dorëzoi atë pranë shtëpisë botuese, ku u caktuan tre recensentë dhe tre redaktorë që do të merreshin me botimin e librit. Pas një pune të mirë nga ana e këtij ekipi të caktuar, ky libër arriti që të futej për botim në shtyp, ku dhe dolën kopjet e para, të cilat do të kontrolloheshin edhe njëherë nga organet përkatëse për të dhënë vizën përfundimtare. Kur vëllimi kishte kaluar gati të gjitha barrierat e pritej shpërndarja e tij, erdhi urdhri nga lart, që ai duhej të bllokohej.
Nga ana e Institutit të Folklorit, ishte thënë atje ku duhej “vallet nuk kanë asnjë lëvizje të kristalizuar, ato nuk kanë një strukturë të përcaktuar…”. Pas kësaj vërejtjeje nga ana e institutit, u dha urdhër që të rregulloheshin e riparoheshin vërejtjet e bëra nga ky institut e pastaj libri të merrte vizën përfundimtare të botimit e shpërndarjes. Për të bërë këtë gjë, duheshin të prisheshin shumë boca e fashikuj, ku dikush duhej të mbante përgjegjësi për skarcitetet dhe t’i paguante ato. Pasi profesor Ramadani bëri rregullimin e “riparoi gabimet”, sipas vërejtjeve të bëra, e priste gjithë gëzim daljen e librit, i erdhi fatura për të paguar 16 000 lekë (të vjetra), nga dëmi që i ishte shkaktuar shtëpisë botuese me ribotimin e librit. Lidhur me këtë ai kujtonte: “Kjo gjë më ra si bombë.
Asokohe isha i preokupuar me dasmën e vajzës dhe ajo shumë parash më dëmtonte mjaft. Kështu u detyrova që të shisja pianoforten time për të larë gjobën e vënë, pasi nuk kisha rrugë tjetër duke qenë se kisha ndarë dhe ditën e dasmës. Kur kam nxjerrë pianoforten nga shtëpia kam qenë në atë gjendje, si atë ditë që kam nxjerrë arkivolet e prindërve që andej”.
Përpara viteve ’90, profesor Sokoli, është ftuar nga shumë akademi dhe personalitete të njohura të muzikës e folklorit si në Tokio, Spanjë, Bukuresht, Pragë, Oslo, Sofje, Prishtinë etj. Por shteti shqiptar nuk u lejoi kurrë të merrte pjesë në këto aktivitete e takime për shkak të biografisë së tij. Shumë personalitete të artit, që vinin në Shqipëri, do ta ftonin atë për ta takuar e shumë prej tyre nuk do të mundnin ta takonin dot.
Përgjigjja që u jepej atyre, ishte: “Ka shkuar me shërbim, nuk ndodhet në Tiranë”. Titulli Profesor, Sokolit iu dha vetëm në vitin 1995 dhe në ato vite ai mundi të dalë për herë të parë jashtë shtetit, duke ligjëruar në universitetet e Romës, Stambollit, Rudostaldit (Gjermani), Bratislavë, Athinë, Bolonjë, Ravena të Italisë etj.
Në adresë të tij vinin shpesh ftesa e letra të shumta që e njoftonin për ligjërata të ndryshme, siç ishte në vitin 1998 një nga tubimet e mërgatës shqiptare në Arbona të Zvicrës, ku ai nuk pati mundësinë të shkonte, por dërgoi kumtesën e tij që u lexua atje. Po kështu, për shkak të mosmbështetjes nga organet shtetërore, Ramadani nuk shkoi dot as në SHBA ku ishte i ftuar nga Universiteti i Miçiganit për një cikël bisedash rreth traditës etnokulturore shqiptare.
Gjatë viteve 1990-1995, Ramadani ishte anëtar i Këshillit Drejtues të RTV Shqiptar dhe po atë vit ai drejtoi Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar të Beratit. Ndërkohë, nga shqiptarët e Maqedonisë ishte zgjedhur për pesë vjet me radhë si kryetar i jurisë në festivalet folklorike të Tetovës e Strugës. Ndonëse në një moshë të thyer, e tepër i lodhur nga peripecitë e një jete plot vuajtje e strese të pafundme, profesor Sokoli vazhdoi të punonte në krijimtarinë e tij deri në ditët e fundit të jetës.
Në kuadrin e punëve të krijimtarisë së tij, diku aty nga viti 1995, ai shkoi në Itali me shpenzimet e tij dhe solli në Shqipëri një nga fotokopjet e njërës prej përmendoreve më të hershme të muzikologjisë shqiptare, Antifonarinë e përpiluar në shekullin XV nga durrsaku Gjergj Danush Lapcaja në Monopoli. Po kështu, deri në muajt e fundit të jetës, ai u mor me ripunimet e pesë monografive në muzikologji e folklor. Ndonëse fama e profesor Sokolit tashmë njihet prej shumë të huajve të cilët e vlerësojnë lart punën e tij, kjo gjë nuk ka qenë krejtësisht kështu në Shqipëri, ku ai ndihej i mënjanuar dhe pa asnjë lloj mbështetjeje nga autoritetet shtetërore të artit e kulturës.
Po kështu, deri në fundin e viteve ’90, ai nuk u zgjodh as si anëtar i Akademisë së Shkencave në zgjidhjet që u bënë nga ajo Akademi. Lidhur me këtë padrejtësi apo mosvlerësim, profesori i famshëm, Ramadan Sokoli, shprehej: “Kjo gjë më kujton një shkrimtar të madh francez që ishte i shpërfillur zyrtarisht nga shteti i tij. Para se të vdiste, ai u la porosi të afërmve të tij që mbi varr t’i shkruanin një epitaf ku të thuhej: “Ai ishte një hiç, madje as akademik”. Ky shkrim u mor në formë fragmentare nga një shkrim më i gjatë në portalin “Shqip”.