Problemi i Shtetit Islamik me gratë

Shteti Islamik mori vëmendje botërore pasi e drejtoi masakrën e vet kundrejt grave, por gjinia që ekstremistët e menduan se do t’i nënshtrohej dhe skllavërohej po bën një kundërpërgjigje që mund të sjellë edhe rënien e plotë të ISIS.

Nga Fatima Sadiqi

Është e dukshme se gratë shfaqen shumë si pjesë e ngritjes dhe rënies së Shtetit Islamik. Ndërsa masakra e grave yazidi në Irak dhe Siri ndihmoi ta vinte ISIS në hartë, rënia e tij graduale po vjen pjesërisht prej duarve të grave kurde që luftojnë kundër ISIS në frontet e luftës.

Është e lehtë të shohësh një histori të thjeshtë hakmarrjeje në këtë drejtim, por një analizë më e thellë tregon për rolin fundamental të grave në ideologjinë e ISIS dhe në rolin e tyre të ardhshëm që do t’i japë fund terroristëve.

Kur ISIS mori territor në 2014 për të krijuar të vetëshpallurin kalifat, donte të krijonte një spektakël që bota të mos ishte në gjendje ta shpërfillte. Ndaj bëri rrëmbimet masive, vrasjet, përdhunimet dhe skllavërimin e grave, veçanërisht mes minoritetit yazidis. Brutaliteti i ISIS kundrejt pengjeve gra synonte të poshtëronte armikun dhe të dërgonte një paralajmërim te kushdo që nuk i bindej interpretimit ekstremist dhe radikal të islamit sipas tyre.

Në janar dhe shkurt të vitit 2016, Monitorimi i të Drejtave të Njeriut (Human Rights Ëatch) mori në pyetje 15 gra dhe vajza yazidi dhe 21 gra arabe suni që ia dolën të arratiseshin nga ISIS. Shumica e tyre kaluan më shumë se një vit të izoluara dhe thanë se ishin detyruar të konvertoheshin në islam (nëse nuk ishin myslimane), ishin skllavëruar, përdhunuar sistematikisht – ndonjëherë nga disa militantë xhihadistë njëherësh – dhe ishin blerë e shitur.

Historitë tragjike të këtyre grave sugjerojnë se pseudo-shteti i ISIS është ndërtuar në nënshtrim të plotë të grave dhe grupi shpesh ka përhapur propagandë brutale dhe misogyniste për të shprehur dhe promovuar ideologjinë e vet.

ISIS ka institucionalizuar dhunën fizike dhe psikologjike ndaj grave përmes dekreteve fetare të lëshuara nga ideologë të lartë. Edhe më keq akoma, praktikat e tij janë shfrytëzuar nga grupe të tjera ekstremiste, si Boko Haram në Afrikën Perëndimore, që pretendoi për aleancë me ISIS në fillim të vitit 2015.

Ideologjia e grupit kërkon “asgjësimin” e të drejtave civile të grave dhe nënshtrimin e tyre të plotë ndaj strukturës së familjes dhe burrave që e kontrollojnë atë. Kursi i sanksionuar i jetës së një gruaje është të qëndrojë në shtëpi dhe të rrisë xhihadistë të rinj që luftojnë për shtetin. Gratë që e kalojnë rolin e gruas dhe nënës ideale duke kërkuar autonomi apo të shprehin veten jashtë familjes ndëshkohen rëndë.

E gjitha kjo është e bazuar në një interpretim të mbrapshtë të ligjit islamik, i cili nuk është çudi që vazhdon të operojë ende në sferën e ligjit të familjes. Në këtë kontekst, gratë nevojiten për të legjitimuar ligjet që mbajnë ideologjinë e ekstremistëve; por ato shërbejnë edhe si dash kurbani kur është e nevojshme.

Përkundër këtij sfondi, është veçanërisht ironike të shohësh ushtare kurde në frontin e luftës së koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara që luftojnë ISIS në Siri dhe Irak. Operacionet e fundit ushtarake kanë marrë territor që ka qenë prej kohësh nën kontrollin e ISIS, përfshirë zonën jugore të Mosulit, kryeqendrën e grupit në Irak. Imazhet nga këto fitore, ku shfaqen gratë janë një antidot i propagandës helmuese të ISIS dhe ato inkurajojnë gratë t’i bëjnë rezistencë diktatit ideologjik të grupit.

Mesazhi duket se po përhapet. Teksa rripi i ISIS mbi territorin lirohet, po kështu ndodh edhe me kontrollin mbi gratë. Imazhi më mbresëlënës nga çlirimi i qytetit sirian Manbij ishte ai i grave që digjnin perçet e tyre dhe që denonconin publikisht barbarizmat e ISIS.

Këto gjeste simbolike të fuqishme do të ketë efekte afatshkurtër dhe afatgjatë. Në kuptimin afatshkurtër, ato janë një pohim i autonomisë së grave; pas kaq shumë propagande dhe brutaliteti, shumë persona në rajon nuk mendonin më se kjo sjellje do të ishte e mundur. Në kuptimin afatgjatë, imazhet e grave që vrasin dhe kapin ushtarë të ISIS përbëjnë gozhdën e parë mbi arkivolin e ideologjisë së grupit, që është themeluar mbi premisën false të inferioritetit femëror.

Për shkak se ISIS i vë gratë në qendër të ideologjisë së vet, gratë janë një kërcënim i madh por i fshehtë ndaj tij. Duke treguar rezistencën e vet ndaj diktateve të ISIS, gratë e liruara nga kontrolli i grupit i kujtojnë botës se ISIS ka marrë peng vlerat universale të islamit dhe ka degraduar leksionet e tij.

Është diçka e mirë që gra të forta dhe guximtare ndihmojnë në mundjen e një grupi, miti i themelimit të të cilit qëndron mbi shtypjen me dhunë të grave. Roli i grave si luftëtare, ndoshta më tepër se gjithçka tjetër, do të sigurojë që dogmat e ISIS – veçanërisht marka vdekjeprurëse e patriarkatit – do të hidhen plotësisht poshtë.

Project Syndicate-BIRN

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *