Barack Obama ka anuluar takimin me Presidentin e Filipineve, pasi Rodrigo Duterte i ka tendosur së tepërmi marrëdhëniet diplomatike me Uashingtonin, kur paralajmëroi udhëheqësin e SHBA-ve se nuk duhet ta marrë në pyetje për vrasjet pa gjyq të bëra në vendin e tij.
Kjo pasi presidenti i Filipineve e quajti Obamën një bir bushtre.
Duterte paralajmëroi presidentin amerikan të heqë dorë nga hetimet ndërkombëtare në lidhje me vrasjet pa gjyqe në luftën e ashpër kundër drogës në vendin e tij, pak ditë para se dy presidentët të takoheshin në një takim rajonal në Laos, që ishte parashikuar të mbahej sot. Duterte tha në një konferencë për shtyp se Obama “duhet të ketë respekt”.
Para se të hipte në një avion për në Laos ku po i drejtohej Samitit të Kombeve të Azisë Juglindore, Presidenti Duterte teksa po i përgjigjej pyetjes së një gazetari “sesi ai do t’i shpjegonte vrasjet pa gjyqe Obamës tha: – “Duhet të kesh respekt. Nuk duhet të artikuloni pyetje dhe deklarata. Bir bushtre, unë do t’ju mallkoj në atë forum”, shkruan agjencia “France Presse” sipas The Guardian.
“Do t’ju bëjmë të përpëliteni në baltë si derrat në qoftë se ma bën mua këtë”.
Kur komentet e Presidentit filipinez arritën në kampin e Obamës, presidenti amerikan fillimisht tha se ai ishte duke i kërkuar stafit të tij për të kontrolluar mbajtjen e takimit ashtu siç ishte planifikuar.
“Ajo per të cilën unë e kam udhëzuar ekipin tim është të bisedojnë me homologët në Filipine për të mësuar nëse kjo është në fakt koha e duhur kur ne mund të të kemi disa biseda produktive dhe konstruktive”, tha Obama në një konferencë shtypi në fund të një Samiti të G20 në qytetin lindor kinez të Hangzhou.
Por pak orë më vonë u mor vendimi për të anuluar takimin, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë. Obama tani do të takohet me presidentin e Koresë së Jugut Park Geun-hye.
Duterte është përballur me akuza nga organizatat e të drejtave të njeriut, diplomatë dhe nga OKB për nxitjen e një lufte ndaj drogës që, sipas shifrave zyrtare të publikuara të dielën, ka çuar në 2,400 të vdekur vetëm dy muaj./Pasqyre.al