Përse ligji i tërheqjes i Universit funksionon vetëm për disa njerëz!

Ju jeni përpjekur të mendoni mendime të lumtura, të imagjinoni gjëra të bukura dhe të bëni pohime pozitive, por asgjë nuk funksionon. Pse?

Sepse ligji i tërheqjes ka disa gjëra më shumë, nga sa keni mësuar. Ja disa shpjegime përse nuk po funksionon për ju.

– Ju jeni pak të paqartë

Një arsye që ligji i tërheqjes mund të duket se nuk po ju jep atë që doni, është se jeni duke u shfaqur mjaft të paqartë. Universi kërkon sa më shumë specifikë.

Ndoshta ju doni “më shumë para”. Çfarë doni të thoni me të vërtetë me “më shumë para”? Nëse doni më shumë para, Universi do jua ofrojë në formën e një qindarkë fatlume në rrugë, ose një shtesë prej dhjetë dollarësh që i gjeni në xhep. Teknikisht kjo është “më shumë para”, që ju tërhoqët në eksperiencën tuaj nëpërmjet kërkesës që bëtë. Ju thjeshtë duhet të jeni shumë më specifikë.

– Ju jeni shumë të dëshpëruar

Një tjetër arsye pse nuk ju plotësohet tërësisht ajo që kërkoni, mund të jetë që ju jeni shumë të lidhur me rezultatin. Ju thjesht kërkoni shumë, gjë e cila mund të krijojë rezistencë.

Për fat të keq, ju nuk mund të krijoni asgjë nga një pozicion nevoje, pasi kur e doni një gjë “kaq keq”, nuk jeni në një pozitë lejuese. Rezistenca është gjë që bllokon plotësimin e atyre që kërkoni. Ju duhet të kërkoni nga një pozicion dëshire dhe pastaj të besoni që ajo që kërkoni, do të vijë në momentin e duhur.

Universi nuk është duke kërkuar për ju, në kuptimin që ai t’ju japë atë që ju nevojitet më shumë. Ai i përgjigjet vibrimit tuaj, sepse juve ju është dhënë vullneti i lirë kur jeni vendosur në këtë realitet fizik. Ju gjithmonë do të keni lirinë që të zgjidhni vibrimin tuaj, dhe universi gjithmonë do të përgjigjet në përputhje me këtë.

– Ju jeni të pafokusuar

Një gjë e sigurtë për ligjin e tërheqjes, është se ju merrni atë tek e cila fokusoheni. Dhe ka dy anë të gjërave që ju doni; dëshira për të dhe mospasja e saj.

Shumica e njerëzve aksidentalisht fokusohen tek pjesa e mospasjes. Gjë e cila krijon edhe më shumë mospasje. Edhe njerëzit që mendojnë se janë të fokusuar tek ajo që duan, në të vërtetë janë të fokusuar në mungesën e asaj që duan. Për shembull, ju doni një makinë të re. Por sa herë që mendoni se sa e doni një makinë të re, ju në të vërtetë mendoni se sa e urreni makinën që keni aktualisht. Kështu që, në të vërtetë jeni më shumë të fokusuar në makinën aktuale.

Doreza e derës është thyer, dritaret idiote as nuk hapen më, ajo ngec gjithmonë, kondicioneri është prishur… lista vazhdon. E qartë që ju e urreni dhe përdorni gjithë këto arsye përse ju nevojitet një makinë e re. Po ku është makina e re, në gjithë ato mendime? Askund. Dhe prandaj nuk ju vjen. Ju mendoni se jeni të fokusuar në një makinë të re, kur në të vërtetë jeni të fokusuar në makinën që keni, pikërisht në atë gjë nga e cila doni të ikni.

Po kështu, ju nuk mund të mendoni për atë që doni vetëm 5 sekonda në ditën tuaj, e pastaj të ktheheni e të mendoni për situatën aktuale ku ndodheni, për 23 orë, 59 minuta e 55 sekonda.

  • Po imagjinoni gjërat e gabuara

Shumë njerëz shqetësohen shumë rreth asaj se si do u vijë ajo që kërkojnë, dhe si ata duan që të duket, në vend që të mendojnë si do të ndjehen kur ta kenë (gjë e cila është ajo që e sjell më shpejt).

Kur ju porosisni ushqim në një restorant, ju nuk u tregoni atyre saktësisht se si ta gatuajnë ushqimin tuaj, apo si dëshironi që ai të duket. Ju vetëm porosisni diçka nga menyja që tingëllon e shijshme dhe e dini se ata do jua sjellin, pasi ta kenë gatuar përsosmërisht (ose të paktën më mirë se ju, në fund të fundit kjo është arsyeja pse darkoni jashtë).

Ju duhet të bashkëveproni me universin në të njëjtën mënyrë. Rendisni diçka nga “katalogu” dhe kini besim që ajo po vjen. Mos u shqetësoni se si. Mos u shqetësoni në lidhje me dukjen. Fokusohuni tek shija.

– Ju “vrisni” çdo gjë me fjalën “Por”

“Unë do të doja më shumë para, por unë kurrë nuk i kam pasur më parë”.

“Unë do të doja një punë të re, por unë kam bërë gjithmonë këtë punë”.

“Unë do të doja një qenush, por prindërit e mi nuk do të më lejonin, sa kohë unë jam ende duke jetuar në shtëpi me ta”.

Urime, ju thjeshtë “vratë” shansin e dëshirës tuaj për t’u realizuar.

Këto lloje “por”-ësh i përplasin dëshirat tuaja sërish në realitet. Në vend të kësaj, përdoreni “por”-in në avantazhin tuaj. Për shembull:

“Unë nuk kam qenë duke u ndjerë shumë e mirë, por ndoshta jam në rregull”.

“Unë kurrë nuk kam pasur shumë para, por unë mendoj se mund të kem”.

“Unë kam punuar gjithmonë këtu, por do të më pëlqente të provoja diçka të re”.

Shihni që kështu ndjeheni shumë më mirë? Përdorni “por” në avantazhin tuaj duke zbutur realitetin aktual me një mundësi të re të realizimit të dëshirës tuaj.

– Ju duhet ta shihni, që ta besoni

“Unë do ta besoj, kur ta shoh”. Kështu thoni ju.

Po a e dini? Nëse e mendoni kështu, atëherë nuk do ta shihni kurrë.

Kjo mënyrë jetese e kushtëzuar nuk është tamam e duhura për ligjin e tërheqjes. Nëse ju doni që ligji i tërheqjes të punojë për ju, ju duhet që në fillim të besoni dhe më pas të shihni.

Ky është ndoshta kurthi më i zakonshëm ku bien njerëzit. Pra kur e kushtëzojnë jetëne  tyre, duke menduar që “pasi të ndodhë x gjë, unë do të ndjehem më mirë”.

“Kur të kem marrë një shtëpi të re, do të jem i lumtur”.

“Kur të jem në një marrëdhënie, nuk do të ndjehem më e vetmuar”.

“Kur të kem marrë atë rritje në detyrë, do të ndjehem super”.

Të gjithë i qasen jetës së prapthi.

Një gjë e sigurtë në lidhje me ligjin e tërheqjes, është se ju duhet të keni një përputhje nga pikëpamja e vibrimit, me atë që dëshironi. Që do të thotë se duhet të ndjeni më parë emocionin, për të marrë atë që doni. Pra, nëse ju doni një ngritje në detyrë, sepse mendoni se kjo do ju bëjë të ndjeheni super, në fakt duhet që më parë të ndjeheni super, me qëllim që të tërhiqni rritjen në detyrë.

Ky është krijimi i qëllimshëm. Eshtë dallimi mes njerëzve në “sediljen e pasme” dhe atyre “në pozicionin e shoferit”.

Ju duhet që më parë të rrokni emocionin e asaj që dëshironi, dhe si pasojë, ajo gjë do ju vijë. Funksionon gjithmonë.

  • Ju nuk e keni vënë re asnjëherë, fuqinë tuaj në veprim

Ligji i tërheqjes punon për të gjithë, gjatë gjithë kohës. Nuk ka rëndësi nëse ju e besoni apo e mohoni, ai është duke punuar. (Nëse është duke punuar në favorin tuaj apo jo, kjo është një tjetër histori.)

Ligji i tërheqjes është si graviteti. Është gjithmonë aty, gjithmonë ka qenë. Ju ose mund të silleni në përputhje me të, ose jo. Kjo nuk do të thotë se ai nuk punon ose është në kundërshtim me ju.

Mendimet tuaja gjithmonë krijojnë realitetin tuaj, por ndoshta ju nuk jeni ndalur që të shihni shembuj specifike të kësaj në jetën tuaj. Kështu që, ju nuk e kuptoni se si mund ta shfrytëzoni në avantazhin tuaj. Ju thjeshtë nuk keni bërë lidhjen e vetëdijshme, midis mendimet tuaja dhe se si ata prekin përvojat tuaja jetësore. Me fjalë të tjera, ju jeni një besimtar tek rastësia. Ju i injoroni gjërat si rastësi, fat, ose asgjë.

Mjaft e injoruat gjithçka si një rastësi dhe filloni të kërkoni dëshmi të drejtpërdrejta, se kur mendimet tuaja krijojnë realitetin tuaj. Mendoni përsëri për disa “rastësi” në jetën tuaj dhe shihni nëse ju mund të gjeni një lidhje reciproke mes gjësë ku ishit fokusuar dhe po ndjenit, me atë që më pas ndodhi në realitet, për shkak të kësaj.

– Besimet tuaja nuk mbështesin vizionin tuaj

Ligji i tërheqjes gjithmonë vërteton besimet tuaja. Vazhdimisht ju shfaq prova të mendimeve tuaja. Besimet nuk janë ndryshe. Besimet janë thjeshtë mendime që i keni praktikuar vazhdimisht, duke i bërë më të fuqishëm se mendimet e zakonshëm. Universi gjithmonë thotë po. Kështu që, nëse besoni në një gjë të caktuar, Universi do të vazhdojë t’jua vërtetojë.

Prandaj të gjithë mendojnë se e vërteta e tyre është e vetmja e vërtetë. Eshtë vërtetë e vërteta e tyre, sepse ata e besojnë dhe ligji i tërheqjes ua vërteton vazhdimisht.

  • Ju thjeshtë keni hequr dorë

Pasi provoni shumë herë të mendoni gjëra që më pas nuk bëhen realitet, ju mërziteni me mungesën e rezultateve dhe hiqni dorë. Dhe më pas e urreni veten, sepse “po e bëni gabim”, pavarësisht gjithë librave dhe artikujve që ju premtojnë hapa të kollajtë. Ndiheni të pafuqishëm dhe të mundur.

Por fakti që nuk ka funksionuar në të kaluarën, nuk do të thotë që nuk do të funksionojë në të ardhmen. E kaluara nuk ka fare lidhje. E tashmja është e vetmja gjë që ka rëndësi, sepse mënyra si ndiheni dhe fokusoheni në këtë moment, është ajo që do të përcaktojë gjërat që do të bëni të ekzistojnë në të ardhmen.

Tani është koha të ndjeheni mirë. Tani është koha të ëndërroni me sy hapur. Tani është koha të tërhiqni pozitivitetin në jetën tuaj. / www.bota.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *