Ted Huges
Dyzetë e nënta ishte numri yt magjik.
Dyzetë e nëntë kjo.
Dyzetë e nëntë ajo. Dyzetë e tetë
dyer në pallatin tënd të lartë mund të ishin të hapura.
Çdo natë, pasi ikje,
mund të zgjidhja mes dyzetë e tetë dhomave.
Por, për të dyzetë e nëntën – çelësin e kishe ti.
Atë bashkë do ta hapnim, një ditë.
Merrje arratinë: një flakërimë flokësh dhe kredhjeje në humbëtirë.
Çdo natë. Dashnori yt Gogol
që tërë ditën përtërihej
tek vdekja, priste në zbrazëti
nën yjet fërgëllues.
Dhe unë kisha dyzetë e tetë çelësa, dyer, dhoma
me të cilat të luaja. Gogoli yt
ishte përfundimi i tërë dashnorëve të tu të shkuar
rrasur në një skelet vuduje-
sa, kush, ku, kur
as ditarit tënd të fshehtë kurrë s’ia zure gojësh.
Vetëm një syresh shndrinte si vullkan i largët nëpër natë.
Por unë kurrë s’e vërejta, kurrë s’e pashë
shëmbëllesa e tij atje, që përzhitej lotëve të tu
si të ishte diç katrani.
Si drita e natës së një fëmije
të fjetur,
ngushëllonte gjithësinë tënde.
Ndërkaq, ai Gogol qe mëse i mjaftueshëm,
a thua se çdo natë vdisje për t’i qëndruar pranë,
a thua fluturoje drejt vdekjes.
Kësisoj qenë netët e tua. Ditën,
buzagaz, më dëgjoje
të rendisja befasitë e njërës apo tjetrës prej dyzetë e tetë dhomave.
Lumturia jote e bënte shtratin të butë.
Një përrallë? Po.
Gjer ditën kur në gjumë ulërite
(jo, s’isha unë, siç besove,
ishe ti). Ulërite
dhimbjen e dashurise për atë Gogol,
përgjërimi yt rënkues.
Me flokët a akullt, e dëgjova të ushtonte
nëpër tërë korridoret e pallatit tonë –
atje lart mes shqiponjash. Gjersa i ndjeva
trokitjen në të dyzetë e nëntën portë
ashtu siç mes brinjëve rrihte zemra ime.
Një zhurmë e llahtarshme.
Trokiste pas asaj porte si zemra ime
që sfilitej nga trupi të çlirohej.
Të nesërmen mbrëma – pas
kredhjes tënde për të gjetur ato krahë
që harkoheshin drejt teje nga vdekja-
e gjeta atë portë. Me zemrën që brinjët m’i lëndonte
me një fije bari
hapa derën e dyzetë e nëntë. Ti kurrë s’mësove
ç’lloj çellësi kisha gjetur
në një fije të thjeshtë bari. Dhe hyra.
Dhoma e dyzetë e nëntë u trand e tëra
nga britma e Gogolit
që, me të shembur murin përtokë, u lëshua
në humnerëne tij. I hodha një vështrim të shpejtë
tek u pengova në kufomën tënde dhe rashë me të
në humnerën e tij.
Përktheu: Beti Njuma