Përplasen botuesit për botimin pa leje të “Iliadës”/ Bujar Hudhri: Sulme të egra, Abdullah Zeneli: Nuk e prisja

Botuesi i Kadaresë Bujar Hudhri është përplasur me një botues nga Kosova. Historia nis vite më parë dhe në mes është edhe një libër- përkthimi i Iliadës nga Gjon Shllaku, e drejta e autorit, 100 mijë euro, një gjyq dhe akuza të ndërsjella.

Ndërsa Hudhri thotë se prej ditësh vazhdon një sulm i egër i mbushur me shpifje e urrejtje, sulm që pretendon se Hudhri i ka kërkuar 100 mijë euro Zenelit për botimin e Iliadës së Gjon Shllakut.
Nga ana tjetër, Zeneli thotë se ishin 120 mijë euro dhe se e ka paguar disa herë të drejtën e autorit. Postimet e të dyve më poshtë.

Bujar Hudhri

TË SFIDOJ PUBLIKISHT, KOLEGU IM, ABDULLAH ZENELI!
Prej disa ditësh, ndaj shtëpisë botuese Onufri, vazhdon një sulm i egër, i mbushur fund e krye me shpifje dhe urrejtje, që kulmoi gjatë vizitës së Kadaresë në Prishtinë.
Nuk t’u përgjigja, i nderuar kolegu im Abdullah, sepse publiku na njeh mirë të dyve dhe gjykon vetë.
Por ti, i nderuar kolegu im Abdullah dhe përkrahësit e tu në rrjetet sociale, anonimë apo me emrin e tyre, tani keni kaluar çdo kufi: më akuzoni se të kam kërkuar 100.000 Euro, meqenëse ke botuar pa leje përkthimin e “Iliadës”, të Gjon Shllakut.
Atëhere, i nderuar kolegu im Abdullah, unë, Bujar Hudhri, kam guximin dhe ndershmërinë, t’ju sfidoj publikisht:
MË GJEJ NJË DOKUMENT TË VETËM, MË GJEJ ABSOLUTISHT VETËM NJË RRESHT, KU UNË, BUJAR HUDHRI, NË EMËR TË SHTËPISË BOTUESE ONUFRI, TË KAM KËRKUAR JO SHUMËN 100.000 (njëqind mijë) EURO, POR SIKUR VETËM 1 (një) EURO.
Nëse e gjen këtë dokument dhe e publikon, unë deklaroj me përgjegjësi publikisht, se do të dërgoj në llogarinë tënde personale, i nderuari koleg Abdullah, shumën prej 100.000 Euro.
Në rast të kundërt, është në nderin dhe në ndërgjegjjen tënde si një botues i rëndësishëm i letërsisë shqipe, të kërkosh ndjesë dhe të rivendosim paqen në interes të shkrimtarëve dhe të lexuesve tanë.
Bujar Hudhri
Tiranë, më 11 prill 2017

ABDULLAH ZENELI
Bujar miku, janë të rrezikshëm, cinikë, madje edhe me premisa kriminelësh ata që hedhin gurin e fshehin dorën! Ti, prapë më bën gjyqin e pështirë derisa thua “meqenëse ke botuar pa leje përkthimin e ‘Iliadës’, të Gjon Shllakut”. Ta kam dhënë në dorë vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, ku vërtetohet se të drejtën e botimit e kam pasur e zeza në të bardhë nga vetë Gjon Shllaku. Dhe jo vetëm për “Iliadën” por për të gjithë veprën e tij, dhe, honoraret t’i caktoja unë!!! Po ti nuk reflektove! Fundja, kërkoja origjinalin Jozefinës, se unë kam faksin e dërguar nga Gjon Shllaku (ku më falënderon për punën madhore të Buzukut!), kopjen e të cilit e kam deponuar tashmë në Gjykatë. Kërkoja, siç kërkuat të vinte në Tiranë më 30 tetor 2006 e të bënit marrëzira mediash me gënjeshtra që i botuat në faqet e para të gazetave, madhe e sollët në stendë edhe fiksfaren e TCH!!! E pra, të gjitha ishin gënjeshtra! Aktakuza juaj (ti ke gisht në këtë mesele), ishte 50.000 euro, për gjoja të drejtën dhe nga 20.000 euro për botim, si dëmshpërblim!!! Shto kamatën për dhjetë vjet… i bie jo 100.000 po nja 120.000! Nuk jam ngutur kurrë në jetë, as me këtë rast barbar tuajin, ta falimentoni një botues të ndershëm, shumë të ndershëm! Se gjyqi ishte një farsë, kur s’kishte argumente për të më dënuar, bëri një “ekspertizë” sipas qejfit! Gjykatësja qe larguar nga gjykata për korrupsion, abuzime, mito e çfarë jo tjetër. Bujar miku, përse u bëre pjesë e kësaj loje? Dhe e fundit: Të drejtën për “Iliadën” e kam paguar jo më pak se tri herë (pa llogaritur gjyqin e njëanshëm!): një herë Prof. Dr. Engjëll Sedajt (e kishte mik Gjonin), një herë nëpërmjet Shpëtim Kelmendit, Ridvan Dibrës e Hasan Lekajt dhe herën e tretë në konton e bllokuar në ProcCredit Bankë tash e dy vjet! Të falënderoj për këtë “dhuratë” të padenjë që më ke servirur! Derisa kam shpëtuar nga masakra millosheviçiane, do të shpëtoj edhe nga lakmitë e juaja, edhe pse ka një diferencë këtu: Nga Serbia e prisja gjëmën, po nga Shqipëria jo kurrë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *