Përkthyesi i letërsisë shqipe në gjuhën arabe, Abdul Latif Arnauti ka marrë pasaportën shqiptare.
Abdul Latif Arnaut njihet si një ndër shkrimtarët më të mirë në Siri. Për shkak të luftës në Damask ku ai jeton pritet të vijë në Shqipëri.
Arnauti ishte në Tiranë në kuadër të Javës Agolliane, kushtuar 85-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Dritëro Agolli. Abdul Latif Arnauti është me origjinë shqiptare dhe gjatë qëndrimit në Shqipëri së fundmi ai “ritakoi” dorëshkrimin e përkthimit në gjuhën arabe të romanit “Njeriu me top” (1985), dhuruar nga përkthyesi.
“Dritëro Agolli, është miku im prej 50 vitesh. Jam i bindur se veprat e tij letrare do të mbeten të përjetshme në kujtesën e historisë shqiptare dhe e përgëzoj këtë ekspozitë që i ka prezantuar ato bukur e me rregull”, u shpreh Abdul Latif Arnauti.
Përkthyesi me origjinë shqiptare nisi përkthimin e veprave shqipe në gjuhën arabe rreth viteve ‘50. Ndër veprat kryesore të përkthyera vlen të përmenden “Përse mendohen këto male”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Dasma”,“Dosja H” nga shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare; “Njeriu me top” i Dritëro Agollit; “Ato male” dhe “Dasma e Sakos” i Vath Koreshit apo “Toka jonë” e Kolë Jakovës, një pjesë e të cilave ruhen në fondin e Bibliotekës Kombëtare, krahas edhe dy dorëshkrime të përkthimeve të tij “Njeriu me Top” (1985) i Dritëro Agolli dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1974) i Ismail Kadaresë. Për disa vite me radhë Abdul Latif Arnauti përktheu në arabisht dhe përgatiti për shtyp poezi të Migjenit (1971), Fatos Arapit (1972), Llazar Siliqit (1973), Dritëro Agollit (1974), Aleks Çaçit (1975), Ismail Kadare (1976), si dhe përmbledhjen “Poetë nga Kosova” (1977), ku përfshihen krijime të Latif Berishës, Din Mehmetit, Fahredin Cunga, Mark Krasniqit, etj. Krijimtarinë e tij letrare në prozë dhe në poezi e nisi në vitet ’40. Arnauti në vitin 1958 boton romanin e parë me titull “Aroma e hirit”. Në fondin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë ruhen disa prej vëllimeve poetike të tij, si dhe një sërë veprash të përkthyera në shqip nga gjuha arabe.