Një skulpturë 8 metra e gjatë në bronz, realizuar nga artisti shqiptar Sislej Xhafa e titulluar “Pema që djersitet”, është vendosur dje në formën e një fontane, afër Koloseut në Romë.
Vepra e realizuar nga artisti në vitin 2016 u përurua dje dhe ndodhet në mes Harkut të Kostandinit dhe Koloseut, në kryeqendrën e artit italian, Romë, transmeton Shqip.
Është hera e parë që një skulpturë e këtyre përmasave, vepër e një artisti shqiptar vendoset në një zonë e njohur për rëndësinë e veprave të artit që mbart. Një pemë disi provokuese, konceptuar nga Xhafa si një homazh për krizën e gjatë sociale, duke evokuar në ndjeshmëri kauzën e gjithë punëtorëve. Me një art gjithnjë të angazhuar, Xhafa i koncepton veprat e tij si gjithëpërfshirëse jo vetëm të fenomenit të cilit trajton.
“Pema që djersitet” është një skulpturë e realizuar me duar burrash mbi njëra-tjetrën, që shtrëngojnë mes tyre një copë dru, që simbolizon punën. Duart, një akt i qëndresës por dhe i ndryshimit, vjen nga një artist shqiptar si një homazh socialo-kulturor me gjuhën e artit.
Nuk është hera e parë që arti i Xhafës provokon në shtetin fqinj. Në prill të një viti më parë, ai zgjodhi një restorant në Firence për të gatuar “Spagheti me hudhër e vaj djegës në mesnatë”, për të gjithë kalimtarët dhe studentë të arteve. Ky ishte një gjest i Xhafës për urinë me të cilën përballen kategori të ndryshme njerëzish. Busti i ish- kryeministrit italian Berluskoni disa vite më parë ishte një përballje e tij me dhunën e politikës.
Më 2 qershor të këtij viti, Xhafa hapi ekspozitën personale me rastin e 20-vjetorit të karrierës së tij, në Muzeun e Artit Bashkëkohor Maxxi në Romë të quajtur “Benvenuto” (,titull i cili i referohej një instalacioni të njohur të Xhafës, i cili në vitin 2000 do ta shkruante fjalën “Mirë se vini” në kodrat e qytetit italian Siena. Nën kurimin e Hou Hanru dhe Luigia Lonardelli, veprat e përzgjedhura për këtë ekspozitë përmbanin ironinë dhe kompleksitetin dhe kontradiktat e një artisti gjithnjë në hulumtim të realitetit.
“Realiteti është më i fortë se arti. Si artist nuk dua të tregoj realitetin, por ta hulumtoj atë”, thotë Xhafa. Ekspozita përbëhej nga 30 vepra që përfshinin karrierën e Xhafës nga viti 1990 e deri më sot, duke futur dhe disa vepra të reja që artisti i kishte realizuar posaçërisht për këtë prezantim. Kritika italiane do t’i kushtonte hapësirë kësaj ekspozite duke e quajtur ndër më të rëndësishmet e Maxx-it.