JOUMANA HADDAD
Kur sytë e tu takojnë vetminë time
heshtja bëhet frut
dhe gjumi stuhi.
Hapen portat e ndaluara
dhe uji mëson të vuajë.
Kur vetmia ime takon sytë e tu
dëshira ngrihet lart e përhapet
ndonjëherë baticë e furishme
valë që rend pandalur,
a nektar që kullon pikë-pikë,
nektar më zhuritës se një torturë
zanafillë që kurrë s’përmbushet.
Kur sytë e tu dhe vetmia ime takohen
cullake si shiu dorëzohem
dhe cullake si gjinjtë e ëndërruar
të buta si hardhia që piqet në diell,
shumëfish dorëzohem
gjersa të çelë pema jote e dashurisë
kaq e lartë dhe kryeneçe
kaq kryeneçe dhe kaq imja
shigjetë që kthehet mbrapsh tek harku
palmë e kaltër rrënjosur tek retë e mia
qiell që zmadhohet e asgjë s’e ndal.
Perktheu:Beti Njuma