“Hodha sytë nga dritarja dhe e pashë të ulur në rrezet e diellit, një siluetë e errët në rërë, i palëvizshëm si shkëmb, dhe e kuptova menjëherë se kisha zëvendësuar një kujtim me një tjetër dhe se ky i fundit do të më linte me po aq pështjellim sa i mëparshmi. Do të ekzistoja në mendjen e dikujt pa e ditur se kush isha aty Brenda”.
“Parajsa e humbur”e autorit holandez Cees Noteboom sjellë në shqip nga Jerina Dushku,, është romani më i ri i botuar nga PEGI. Ai cilësohet si një libër në kërkim të arsyes së jetës dhe kuptimit të asaj çka përjetojmë në jetën tonë tokësore, krejtësisht e parëndësishme në krahasim me përjetësinë. ROMANI Një mbrëmje vere, në San Paolo, Brazil, një grua del për të shëtitur me makinë për t’u gjendur më pas shtrirë pranë një burri që fle, në Australi. Atje, në atë tokë të premtuar fëmijërie, ku shkon të kërkojë bashkë me shoqen e saj, Almutin, Alma shpreson të gjejë shërimin, pajtimin me veten dhe jetën.
Të dyja jetojnë me iluzionin që ekziston ende ajo botë e pacenuar e jashtë kohe, vendi i aborigjenëve, i Kohëndrrës, i këngëve, i shkretëtirave me emra magjiplotë. Por nëse era e historisë ka shkatërruar edhe atë parajsë, ndoshta në ato hapësira të pafundme e të heshtura diçka ka mbetur. Aty, në Përth të Australisë, i ftuar në një festival letrar, Erik Zondahu, kritik letrar i ftohtë, në rravgime të përjetshme ekzistenciale, do të hasë për herë të parë Almën të shndërruar në grua me flatra për një gjueti thesari në kujtim të shkrimtarit John Milton dhe librit të tij “Parajsa e humbur”.
Një shfaqje ikanake e tronditëse, takimi si një mundësi për harmoni, për bukuri dhe për nostalgjinë e paplotësueshme të shpirtit që mbetet kulmi i ekzistencës njerëzore. Përfshirë mes një prologu në qiell, në avion, dhe një epilogu në tokë, në tren, romani është një meditim i lehtë dhe i lartë si një flatrim engjëlli, që fluturon mes kontinenteve dhe aspiratave më të thella njerëzore. Një roman po aq i pakategorizueshëm sa një poemë, një histori nëpërmjet së cilës preken në mënyrë të madhërishme të gjithë dramat e jetës, duke përfshirë këtu edhe humbjen e pafajësisë, humbjen e parajsës. AUTORI Cees Nooteboom, i lindur në 31 korrik 1933, është shkrimtar, poet dhe gazetar holandez.
Ai ka fituar shumë çmime letrare dhe përmendet shpesh si një nga kandidatët për çmimin “Nobel” në letërsi. Vepra e tij përfshin poezinë, narrativën, dramaturgjinë, komedinë dhe kronikën e udhëtimit përkthyer në më shumë se 30 gjuhë.
Si gazetar ka ndjekur nga afër tre momentet më kyçe të historisë europiane në pjesën e dytë të shek. XX: pushtimin e Budapestit më 1956, kryengritjen e Majit francez më 1968 dhe rënien e murit të Berlinit më 1989. Shumë kritikë e konsiderojnë si pararendës të Beat Generation. Sidomos pas vitit 1980, kritika ka vlerësuar gjithnjë e më shumë veprën e Noteboom-it, duke e konsideruar si një nga shkrimtarët europianë me ironi të spikatur, filozof depërtues, historian i vëmendshëm, udhëtar kureshtar dhe i pasionuar. Është krahasuar me autorë si Borges, Calvino dhe Nabokov dhe është quajtur nga Neë York Times “një nga zërat më të lartë në korin e autorëve bashkëkohorë”. Është nderuar me çmime të shumta në Holandë, si Constantijn Huygens Prijs (Çmimi Konstantijn Hugens –për nder të poetit, shkrimtarit, diplomatit dhe kompozitorit më të madh holandez të shek. 17) dhe Prijs der Nederlandse Letteren ( Çmimi i Letërsisë Holandeze), që jepet për shkrimtarët që shkruajnë në holandishte.