Në takimin permanent “Përthyerje antropologjike”, që u zhvillua të premten më datë 28 tetor në Bibliotekën Kombëtare, u prezantua filmi “Para shiut” (1994) i regjisorit maqedonas Milcho Manchevski.
Dr. Armanda Hysa, antropologe në Departamentin e Etnologjisë, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (QSA), gjatë prezantimit të filmit ftoi të pranishmit ta shihnin atë në këndvështrimin se si “një film mund të jetë medium për analiza sociale dhe antropologjike”.
Në vitin 1993, kur është xhiruar filmi “Para shiut”, lufta mes grupeve etnike serbe, kroate dhe boshnjake në Bosnje dhe Kroaci, ku komshinjtë dhe njerëzit e lidhur në krushqi luftonin kundër njëri-tjetrit, i kishte kujtuar Evropës tmerret e Luftës së Dytë Botërore.
Ajo gjithashtu kishte rizgjuar vetëdijen se konfliktet etnike në Evropë nuk kishin marrë fund. Maqedonia u pavarësua pa luftë, por frika e një konflikti të armatosur potencial mes shqiptarëve të atij shteti dhe maqedonasve ishte e pranishme.
Filmi “Para shiut” i Manchevskit është një rrëfenjë për urrejtjen dhe dashurinë, për luftën ndëretnike dhe tmerret e saj. Ai përpiqet të kapë dimensionet e konfliktit etnik në Maqedoni, se çfarë qëndron në thelb të ndarjes etnike, si pengohet Vetja kolektive të komunikojë me Tjetrin kolektiv. Filmi fillon me shprehjen “Time never dies and the circle is not round” (Koha nuk vdes kurrë dhe rrethi nuk është i rrumbullakët) dhe në fund rikthehet po në situatën ku u tha ajo. Kush tha se gjërat duhet të përfundojnë vetëm keq?! Simbolet, stereotipet dhe paragjykimet që autori angazhon në film për të përcjellë qasjen e tij kundër luftës, si dhe përshtypjet dhe mendimet që ngjalli ky film midis të pranishmëve, ishin temë diskutimeve të këtij takimi.