“Pallati i Ëndrrave” i Kadaresë botohet në Serbi

Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare tani mund të lexohet edhe në gjuhën serbe. Libri “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”  është gati për tu botuar në gjuhën serbe nga Shtëpia Botuese “Samizdat”, shkruan agjencia e lajmeve B92 në Beograd.
“Pallati i Ëndrrave” është një kryevepër e Kadaresë, ku flitet për një institucion në Tabir Sarrail, që merret me mbledhjen, klasifikimin dhe interpretimin e ëndrrave në perandori, sistem i mbyllur i despotizmit oriental në kohën e Turqisë Osmane, si një version i ferrit të një shteti totalitar.
Kadare është përkthyer në 29 gjuhë të huaja nga shqipja.
Libri “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” e jep realitetin e kohës dhe të njerëzve të saj prapa metaforave të tilla të gatshme si “pallati i ëndrrave”, nëpunësit dhe interpretuesit e tyre, ëndrra kolektive dhe individuale, ëndrra fatsjellëse dhe rrezikndjellëse, ëndrra e rëndomtë dhe bash-ëndrra. Të gjitha këto Kadaresë ia ofroi mekanizmi i ndryshkur i shtetit të fuqishëm të perandorisë otomane në fundin e tij . Karakteri shumëkohësh i “Nëpunësit të Pallatit të Ëndrrave”, përkundër karakterit shumëkuptimësh të një vargu veprash të tjera të Kadaresë, lidhet me raportin themelor që qëndron në boshtin e romanit: raporti i individit me shtetin, më saktë raporti i individit që ka ambicjen të integrohet në strukturat shtetërore dhe që e gënjen mendja se do të fuqizojë veten prej fuqisë së pushtetit, por në të vërtetë, duke e parë nga brenda këtë ngrehinë të përbindshme, ai njeh dobësinë dhe pafuqinë e tij, sheh peshën mbytëse të strukturave gjigande të makinës perandorake, e cila ndryshon vetëm nga përmasa fizike, por jo nga mënyra e të ushtruarit të artit të shuarjes së identitetit njerëzor.
Kadareja i ka dhënë karakterin e një konflikti të përjetshëm marrëdhënies pushtet/individ. Çdo përpjekje e individit për t’u matur me shtetin, për të depërtuar në brendësi të tij dhe për ta marrë me të mirë, është e dështuar. Individi në çfarëdo raporti që ta vendosë veten me shtetin, mbetet i kërcënuar prej tij. Fati i Ebu Qerimit, që e përjeton si shtegtim nëpër ferr kalimin nga një pjesë e “pallatit të ëndrrave” në tjetrën, ndonëse është i përkrahur nga një klan i fuqishëm që kontrollon e administron pushtetin, siç ishin Qyprillinjtë, është gjithnjë i kërcënuar dhe pikërisht për këtë arsye shërben si një paralajmërim për fatin e shtetasve në përgjithësi. Rruga e mbërrities tek thelbi i “Nëpunësit…” ka qenë e ngatërruar dhe plot keqkuptime, të shmangshme e të pashmangshme.
Mungesa për një kohë mjaft të gjatë e shtetit kombëtar krijoi tek shqiptarët nderimin ndaj tij; kjo ishte krejt e nënkuptueshme: në përgjithësi gjërat e munguara lindin respekt, lakmi, adhurim, deri hyjnizim. Për Shqipërinë e Pasluftës, të gjendur përballë detyrës së ngutshme për të çrrënjosur monarkinë e për të ndërtuar një shtet me bazë të gjerë popullore, siç u nis në krye, ky ishte një shans i madh. Por ky shans mbeti vetëm një ëndërr.
Në marrëdhëniet midis individit dhe shtetit, që pasqyrojnë shkallën e qytetërimit të një shoqërie, në vend e në emër të nderimit hyri përulja, në vend e në emër të respektit hyri lakmia dhe arrivizmi -Ky ka qenë një nga deformimet më të thella dhe një shkallmimi i vërtetë i vlerave dhe i karaktereve njerëzore. Për fat të keq u desh plot një gjysmë shekulli për ta kuptuar këtë. Shkrimtari e pati parathënë një gjë të tillë shumë kohë më përpara. Por edhe këtij shansi iu kalua përbri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *