Alfred Bernhard Nobel, lindi më 21 tetor të vitit 1833.
Ai është themeluesi i Çmimit Nobel për Paqe. Ky çmim ishte dëshira e tij, të cilën ai e kishte kërkuar në mënyrë eksplicite në testamentin që e kishte shkruar në vitin 1895, një vit para se të ndërronte jetë.
Bazat e këtij çmimi prestigjioz u vendosën në testamentin e njeriut, i cili gjithë jetën e tij ia kishte kushtuar shkencës, zhvillimit dhe mirëqenies. Për jetësimin e Çmimit, Alfred Nobel kishte lënë fonde në vlerë prej afro 265 milionë dollarësh
Për shumëkush nuk dihet se kush ishte ky person. Sidomos për brezat e rinj.
Alfred Nobel ka shpikur dinamitin dhe është personi që ka të patentuara mbi 355 zbulime e inovacione të ndryshme shkencore.
Me profesion, Nobel ishte kimist, përvoja dhe rezultatet e radhitën në mesin e inovatorëve të nivelit botëror.
Suedezi Nobel mes tjerash ishte inxhinier, ndërmarrës e biznesmen. Ishte aktivist i palodhshëm që tërë jetën u angazhua për paqen dhe mirëqenien e secilit. Që në moshën 17 vjeçare Alfred Nobel i fliste 5 gjuhë.
Një është e sigurt, pas tij ai la shumë gjëra të përjetshme, të cilat për fat të keq nuk janë përdorur gjithmonë në funksion të zhvillimit, si është bie fjala, dinamiti.
Sidoqoftë, falë zemërgjerësisë së tij, anekënd rruzullit janë stimuluar e shpërblyer shkencëtarë të shumtë, për arritjet shkencore e njerëzore.
Padyshim, po të ishte gjallë, Alfred Nobel atyre do tu gëzohej shumë. Nga përmbajtja e testamentit po ashtu mund të mësohet shumë për zemërgjerësinë, kujdesin për njeriun dhe misionin që Alfred Nobel i kishte vënë vetvetes derisa ishte gjallë.
Ai u përkujdes që pas vdekjes së tij një pjesë e pasurisë ti mbetet mbesave dhe nipave, por edhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij.
Ai është quajtur një nga shpikësit më të mëdhenj në histori.
Alfred kur ishte 18, shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për të studiuar kimi për katër vjet dhe ka punuar për një periudhë të shkurtër nën John Ericsson.
“Gjysmaku i mjerë” ka lindur më 21 tetor të vitit 1833 si djali i tretë i një arkitekti dhe inxhinieri ndërtimi në Stokholm.
Fëmijërinë ai e kalon më së shumti në varfëri pas falimentimit të babait dhe largimit të tij në Shën Petersburg në vitin 1938.
E ëma, Andriette, qëndroi me tetë fëmijët e familjes në Stokholm dhe krahas punës në një dyqan të vogël qumështi e perimesh, të vegjlit e saj shisnin shkrepëse në rrugë për të siguruar jetesën.
Në vitin 1842, familja transferohet në Shën Petersburg pas suksesit që i ati kishte arritur me hapjen e një ofiçine mekanike ku ishin punësuar më shumë se rreth 1000 veta.
Në moshën 17-vjeçare Alfred Nobel ndërmerr një udhëtim 2-vjeçar studimor në Gjermani, Francë, Itali dhe SHBA.
Gjatë qëndrimit në Paris, Nobeli për herë të parë “kontaktoi” një substancë të lëngshme që do të ndryshonte më vonë jetën e tij dhe të shumë njerëzve të tjerë: nitroglicerinën – lëndën e lartë eksplozive të zbuluar nga kërkuesi italian, Asciano Sobrero.
Viti 1860 shënon edhe fillimin e karrierës së Nobelit me patentimin e lëndëve shpërthyese, gjë që do të arrinte kulmin me zbulimin e tij më të madh në vitin 1867 – atë të dinamitit.
Nobeli zotëronte më shumë se 90 fabrika prodhimi lëndësh shpërthyese në 5 kontinente; firma dhe laboratorë në më shumë se 20 shtete; 350 patentime mbanin emrin e tij. E megjithatë, zbuluesi i madh gjente kohë për të shkruar drama dhe poezi, si dhe mendonte seriozisht t’i dedikohej letërsisë si shkrimtar.
Vëllezërit e mbetur në Rusi investuan shuma të mëdha në industrinë e naftës dhe mbi të gjitha në Baku dhe Azerbajxhan.
Ata ndërtuan të parat linja të rezervës dhe të shpërndarjes së naftës në botë. Në vitin 1890, Nobeli – njeriu i konsideruar si më i pasuri i Evropës së atëhershme – u vendos në San Remo.
Këtu ai përpiloi dhe nënshkroi në vitin 1895 testamentin e famshëm të çmimeve “Nobel”. Në 10 dhjetor të vitit 1896 Alfred Nobeli u largua nga kjo botë me shpresën se ideja e hedhur në testament do të merrte jetë duke nderuar në çdo përvjetor të vdekjes së tij njerëz të shquar të fushave të ndryshme.
Dhe këtë lindje të vështirë mundi ta realizonte vetëm asistenti dhe njeriu i ngarkuar me rregullimin e çështjeve trashëgimore të pasurisë së Nobelit, Ragnar Sohlman.
Sot kur ky çmim konsiderohet si më prestigjiozi në botë, mund të duket e çuditshme që ekzistenca e tij të vihej në pikëpyetje vetëm sepse Nobeli nuk u këshillua me ndonjë jurist në hartimin e testamentit duke lënë shumë çështje të hapura.
Në testament ishte përcaktuar se për shkak të mungesës së fëmijëve, pasuria e lënë prej Nobelit do t’i kalonte një fondacioni që do të nderonte çdo vit ata që i kanë sjellë botës dobinë më të madhe me zbulimet e tyre.
Interesat që rrjedhnin nga pasuria e depozituar në banka do të ndaheshin në 5 pjesë të barabarta: për ata që kishin bërë zbulimin më të madh në fushën e fizikës, kimisë, mjekësisë dhe për atë që kishte dhënë më shumë në fushën e letërsisë. Së fundi, për atë që ka ndikuar më shumë për vëllazërimin e popujve dhe të sigurimit të paqes. Vetëm më të mirët duhet të nderoheshin, qofshin ata suedezë apo jo.
Dhe së fundi, familja e Nobelit mbeti thellësisht e zhgënjyer nga testamenti. Njeriu i rritur mes varfërisë (por që u pasurua si askush në Evropë), i mbetur pa fëmijë, gjithnjë i sëmurë dhe mizantrop ia la gjithçka që kishte fituar fondacionit të tij: familja dhe të afërmit nuk mund të gëzonin dot asgjë.
Natyrisht që ankesat, grindjet dhe zhgënjimi do të dëgjoheshin gjatë. Por me vullnetin dhe këmbënguljen e hekurt, Sohlman arriti të kapërcente të gjitha pengesat juridike dhe të siguronte gjithçka duhej. Në vitin 1901 nisi udhën historia aq e nderuar e çmimit “Nobel”.