“PA HERONJ, PA BUJË”/ Ndriçim Ademaj: Armiku më i madh i kujtesës është nostalgjia

 

 

Vjen me romanin e tij të parë “Pa bujë, pa heronj” (Botimet Pegi) pasi bëri emër duke shpërfaqur me vargje një botë të strukur në mendjen e tij. Ndriçim Ademaj ka lindur në Prizren e është autor i tri vëllimeve me poezi: “Kërkoj diellin” (2008), “Dera” (2012) dhe “Këngë nga rruga e farkëtarëve” (2015).

Ndoshta nuk duhej ta merrja veten shumë seriozisht… Jeta është një nevojtore ku ndonjëherë futen edhe do flutura të bukura. E bash këto të marrin në qafë. Ishte kohë e shkurtër për të ndërmarrë diçka të njëmendtë. Diçka të hairit. E di fort mirë, e prapë po e lë veten të përrallem nga jeta si fëmijë që s’di të mbajë inat. Për dreq, armiku më i madh I kujtesës është nostalgjia. Kjo mund të ishte krejt lehtë një dhomë luksi në Hotel Beau Rivage. Çarçafët janë të bardhë dhe të pastër. Jastëku është i butë. Pothuajse gjithçka është njësoj, veçse në vend të pastrueseve epshndjellëse, këtu endet një infermiere që ndërron fasha dhe gjilpëra infuzionesh. Dritarja duhet të ketë qenë hapur në mëngjes. Dy flutura u janë përvjedhur rojeve dhe janë futur në dhomë. Kjo mund të jetë dita e tyre e fundit. E, edhe këtë ditë të fundit po e çojnë dëm në këtë dhomë të bardhë spitali. Nuk duhej ta merrja veten shumë seriozisht…”

Një histori që përshkon dy kohë, dy vende, dy përjetime të ndryshme në dukje të huaja për njëra-tjetrën. Heroi ynë lëkundet mes një dashurie të pavetëdijshme për Sarën dhe kujtimeve gjysmë të trishta – gjysmë gazmore të fëmijërisë së tij në Kosovë. Xhim-Nimi i gjendur në një shtrat spitali, në një të tashme që ai e vetë e quan “koha zero” (në kuptimin material dhe mendor të saj) rindërton me flashbeck-ë të vazhdueshëm, jetën e tij të deritashme. Ka shumë për të kujtuar nga e shkuara e afërt, e kaluar rrugëve të panjohura të Gjenevës, ku endet si një refugjat nga njëri bar në tjetrin, në kërkim të diçkaje që as ai vetë s’e di ç’është; por s’mbetet pas as rrëmimi në fëmijëri, marrëdhënia e vështirë dhe e dhunshme me të atin, dashuria ligështuese e së ëmës, nëpërkëmbja prej djemve të lagjes, flirtet e para të ëmbla me shoqet e klasës, për t’u përqendruar më tej te lufta e ashpër e serbëve kundër Kosovës, një luftë që parë nga sytë e fëmijëve herë tingëllon jo fort e egër, (fëmijët lumturohen kur mbyllet shkolla), herë shfaqet me gjithë makabritetin e saj. Në këtë roman, nuk ka idhuj, ka njerez të mundur, të tradhtuar, herë-herë të harruar, që s’dinë të rrahin gjoksin, por rreken të mbijetojnë. Shkurt është një roman që fare mirë mund te ishte shkruar nga cilido autor që ka provuar mbi kurriz luftën dhe jo vetem atë të vërtetën, por luftën e përditshme për të mbetur individ i pacenuar dhe i qetë mendërisht e shpirtërisht. Autori nuk gjykon, ai thjesht rrëfen me një gjuhë të qartë, dhe herë pas here lë të nënkuptojë më shumë se ç’ka tregon. Mes dy anëve të medaljes, Xhim-Nimi ndihet i përhumbur rrugëve të Zvicrës në kërkim të një identiteti, që nuk mund të hiqet e të vishet si një gunë e errët dimri, por që të qëndron pranë, në anë, në brinjë, si një kone e vogël e ledhatuese, e me raste, shndërrohet në një bishë të pakontrollueshme. E atëherë, mbetet vetëm t’i kthesh gjoksin bishës, ta dëgjosh të hungërijë e të të tregojë dhëmbët, të ndiesh erën e tërbimit të saj e të vëresh dëshpërimin që i flakëron në sy.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *