Nâzım Hikmet
“Jeta jo, nuk është lojë,
lypet ta marrësh seriozisht,
siç bën ketri, bie fjala,
pa pritur gjë prej gjëje,
asgjëfare.
S’ka gjë më të thjeshtë: të jetosh
do të thotë të mos bësh tjetër gjë.
Jeta jo, nuk është lojë,
ndaj lypet ta marrësh seriozisht,
seriozisht deri në atë pikë
që i vënë me shpatulla pas murit,
duarlidhur,
apo brenda një laboratori,
i kyçur me përparëse të bardhë,
i kyçur mes gjyslykesh të mëdha,
ti të mund edhe të vdesësh vetëm që
të marrë jetë çka ti s’do ia shohësh dritën;
ti mund edhe të vdesësh,
ani duke ditur mirë
se s’ka gjë më të bukur,
kurrgjë më të vërtetë
se kjo gjë serioze.
Po pra, merre seriozisht,
seriozisht deri në atë pikë,
që kur të gjendesh në moshë të thyer
ti të mund të shkosh
e të mbjellësh pemë ulliri,
jo si trashëgim bijëve,
por sepse ti
s’do i besosh më vdekjes,
pavarësisht se të kall datën,
ngase dhe peshorja
është nga jeta që anon,
shumë më tepër andej anon.”
Shqip: Edon Qesari