Gjergj Meta
Unë jam pakthyeshmërisht një njeri i cili kufijtë, ndasitë, veçorizmat, ishullizimin, e kështu me rradhë, i vlerësoj si atentat ndaj njeriut si individ e ndaj njerëzimit si shoqëri. Nëse një popull kërkon dhe fiton pavarësinë nga një kolonialist apo një pushtues kjo meriton galdimin e të gjithë popujve. Por ky nuk mund të jetë një hap i parë drejt mbylljes dhe ishullizimit, përkundrazi një popull i lirë, sikurse një njeri i lirë, është pikërisht ai që di të krijojë marrëdhënie e di të mos vendosë mure e ndasi me të tjerë.
Qytetarët britanikë, sipas vlerësimit tim modest, pa shumë vetëdije dhe largpamësi, i thanë jo BE. Sigurisht këtu nuk lexoj një jo ndaj Europës si një koncept më i gjërë se sa BE. Europa është një koncept më i gjërë se aq e madje edhe më i thellë. Me gjithë problemet e tij, njeriu europian ka në vetvete antikorpe kulturore dhe shpirtërore që e bëjnë atë një veçori në spektrin planetar. Britanikët në këtë kahje janë europianë me titull të plotë edhe pse ata nuk duan të jenë pjesë e një ëndërre që nisi diku pa Luftës së Dytë botërore, krejt ndryshe nga ç’e shohim sot. Pikërisht pse ata janë europianë ata shfrytëzuan edhe këtë të drejtë që u japin ligjet e vendit të vet.
Por tani loja hapet. Edhe Le Pen në Francë ka kërkuar referendum për daljen e Francës nga BE. E mund ta bëjnë edhe të tjerë euroskeptikë këtë gjë, pasi Europa është plot me të tillë. Do të isha shumë i kënaqur nëse protesta ndaj Europës të bëhej në emër të vlerave sikurse janë vëllazëria, solidaritetit, barazia, jeta, liria religjioze e civile, por fatkeqësisht euroskeptikët janë në pjesën më të madhe njerëz të ngujuar brenda kornizave të një race, gjuhe apo etnie. Janë të paaftë të shikojnë përtej hundës së tyre dhe gardhit të tyre. Janë njerëz të frikësuar nga i ndryshmi dhe nga liria.
Unë kaosin dhe frikën e shumë njerëzve e shoh pikërisht këtu. Mosguximi për me dalë përtej vetevtes nga frika se i ndryshmi më gllabëron, më kërcënon, me dallimin e tij, atëherë unë ngre barrikada përjashtuese. Kjo më frikëson në këto lloj votash referendare, sepse nuk bëhen në emër të vlerave universale, por në sajë të frikës apo të një fushëpamje veçoriste.
Ja pse unë e kam parë zgjidhjen e problemit Ballkan vetëm në kuadër të bashkimit Europian. Unë nuk besoj se krijimi i shteteve në bazë etnike në Ballkan zgjidh problemet, sepse kjo për mua është e pamundur e do të sjellë gjithmonë luftë. Unë besoj se vetëm brenda një kuadri europian do të kenë zgjidhje edhe problemet që pikëllojnë ata të cilët kërkojnë të ruajnë me fanatizëm identitetin e tyre. Nuk e kam parë kurrë Europën si një rrezik për identitetin tim kombëtar, përkundrazi ndoshta vetëm Europa është ajo hapësirë ku heterogjenja është në shtëpi të vet dhe ku e veçanta ndërtohet në harmoni me pjesën tjetër.
Më duket se dalja e Britanisë vë në rrezik të ardhmen e BE, por jo të Europës si një nocion më i gjërë dhe më i rëndësishëm se sa organizmat burokratike të BE. Europa nuk është BE, sepse njeriu europian nuk është vetëm financë, marrëveshje, burokraci, për është më shumë se kaq. E pikërisht në këtë më shumë, e rrënjosur thellë në kulturën integruese të Europës, që do të gjendet ndoshta një fillim i ri pas kësaj shkundejeje që bëri Britania e Madhe.
Shqipërinë nuk ka pse ta frikësojë një gjë e tillë, pasi ne si popull kemi rrugë për të bërë drejt Europës, rrugë të cilën duhet ta bëjmë gjithsesi, pavarësisht nga BE.