Që nga kohët e lashta kanë ekzistuar vëllime që shumëkush i ka konsideruar bartës të fatkeqësive. Të tjerë, ndërkohë, përfunduan në turrën e druve nga të pushtetshëm të ndryshëm të tokës, për shkak se u panë si emisarë të një vizioni të ndryshëm nga i tyri. Siç rrëfen Luke Scarlini tek “Librat e mallkuar: Tregime të faqeve që digjen”, që në kohët e lashta, të pushtetshmit e kuptonin se marrëdhëniet mes shkrimit dhe shkrimtarit, shpesh herë përcaktojnë vdekjen e kujt ka hedhur, e zeza mbi të bardhë, mendimet e padëshirueshme. Shpesh herë librat janë bërë të papëlqyer, prej peripecive ekzistenciale të autorëve të tyre, herë të tjera për shkak të përmbajtjes që ofrojnë, apo joshjes prej legjendave që përhapin.
Libri i të vdekurve
Simbol për Egjiptin e lashtë, i inteligjencës kozmike, Perëndia Thoth paraqitej si një njeri me kokën e një ibisi me një sqep të gjatë, duke mbajtur në dorë një kallam dhe bojën që përdorej për të shkruar në papirus. Atij, në fakt, i janë atribuar shpikjet e shkrimit dhe detyra e “sekretarit” të perëndive. Si i tillë, ai ishte përgjegjës për mbajtjen e ditarit magjik të vendimeve dhe veprimeve të tyre, që vetëm të iniciuarit mund t’i deshifronin, duke kuptuar domethënien e tyre. Libri i Thothit, pra u jepte fuqi të mëdha atyre që e rroknin dhe dinin ta interpretonin në mënyrë të saktë. Lejonte ringjalljen e të vdekurve, të veprohej mbi njerëzit duke u manipuluar vullnetin, apo duke përcaktuar vdekjen e tyre, si dhe kuptohej gjuha e fshehtë e kafshëve. Ndër legjendat më të lashta, njëra ka të bëjë me të urtin, Nefer-ka-Ptah, i cili, me ndihmën e një magjistari të zi, kishte arritur të ndante në dy pjesë gjarpërin e pavdekshëm, rojtar i papirusit. Më tej ai e kishte imituar, duke e spërkatur me birrë, që ai vetë e pinte për të zotëruar urtësinë e Perëndisë. Por, sapo ai filloi të kuptojë misteret e qiellit dhe yjeve, Thothi ishte kthyer nga jeta e përtejme, duke e masakruar atë dhe të gjithë familjen e tij. Gjatë mijëra viteve, shumë njerëz kanë pretenduar se e kanë librin legjendar, por askush nuk ia ka treguar ndonjëherë botës.
Protokollet e të Urtëve të Sionit
Ky është një nga falsifikimet më të rrezikshme të historisë. Përkthyer në shumë gjuhë dhe shtypur në miliona kopje, libri përshkruan një komplot nga një grup hebrenjsh, të quajtur Pleqësia e Sionit, për të dominuar botën nëpër pikat e kontrollit, nyja të shoqërive moderne perëndimore, të tilla si financa, shtypi, ekonomia, ushtria, morali dhe kultura. Ajo që shpërndau tekstin, në fillim të shekullit të njëzetë, ishte Okhrana, policia sekrete e Carit rus, e cila e publikoi në formë serie, në gazetën e Shën Petersburgut “Znamija” (“Flamuri”). Ky ishte një justifikim i përsosur për të nisur serinë e masakrave dhe abuzimeve kundër hebrenjve. Siç shkruan Scarlini, komunikimi i këtij mesazhi të vdekjes u bë viral. Komunitetet hebraike u fajësuan për një krim të tmerrshëm, ose eliminimin e më të dobtëve, veçanërisht të fëmijëve, në mënyrë ceremoniale dhe rezultati përfundimtar i këtyre akuzave ishin vrasjet, arrestimet, dëbimet. Mërgimtarët rusë i përcollën këto fjalë vdekjeprurëse, në të gjitha vendet ku emigruan: Shtetet e Bashkuara, Japoni, Gjermani. Që atëherë, përhapja e të protokolleve nuk njohu ndërprerje: u rishfaqën periodikisht në mbështetje të çdo fushate anti-semite, në Gjermaninë Hitleriane dhe Italinë fashiste, në Rusinë e sotme dhe në Kalifat, i cili kërkon shfarosjen e botës hebraike dhe gjithë kulteve që nuk janë islamike.
Mein Kampf (Lufta Ime)
“Një libër shumë i rrezikshëm për t’u vënë në dispozicion të publikut të gjerë”, kështu Florian Sepp, historian i Bibliotekës së Shtetit bavarez, e konsideron Mein Kampfin (Lufta Ime), ese përmes së cilës Adolf Hitleri hodhi mendimin e tij politik dhe të përvijoi programin e partisë naziste. Führeri i ardhshëm e kishte shkruar në vitin 1924, ndërsa ai ishte në një burg bavarez, ku hodhi në letër filozofinë e tij të mbushur me jë përzierje të antisemitizmit dhe okultes. Në tekst, çdo gjë është e bazuar në profecitë, vizionet, pohimet e identifikimit të armikut, kryesisht hebrenjve dhe komunistëve, si dhe këngë krenarie kombëtare. Në shtëpitë gjermane, shumë shpejt ai zëvendësoi Biblën. Deri në rënien e nazizmit, ai arriti një tirazh prej 12 milion kopjesh, i favorizuar edhe nga fakti se libri jepej për çdo çift të ri që martohej. Nëse në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore, libri u bë një kujtim i pakëndshëm, në pjesën tjetër të botës vazhdon të përjetojë një përhapje të jashtëzakonshme. Për shkak të ultra-nacionalizmit të tij dhe kundërshtimit të fortë ndaj vlerave liberal-demokratike të qytetërimit perëndimor, ai është një pikë referimi në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine. Harmonia e tij me instinktet anti-izraelite të Islamit, është konfirmuar edhe nga rritja e shitjeve të regjistruara së fundmi në Turqi dhe Indonezi. (Marrë nga bota.al)
Bibla e Satanait
Ideja e krijimit të një lëvizjeje të bazuar në rebelimin, antimoralizmin dhe hedonizmin, e shtyu ezoteristin amerikan Anton Szandor LaVey, që të botonte në vitin 1969 Biblën e Satanait, ku ilustron vizionin e tij shumë personal të Satanait, jo më si një entitet real mishërim i të keqes, por si metaforë e një njeriu, i vetmi zot i vetvetes.
Si e shpjegon satanologo Don Aldo Bonaiuto, ekzaltimit të çmendur të varësisë nga vetja, Lavey i shton gjithashtu një parodi të mëkateve. “Nëntë Mëkatet Satanike” jane budallallëku, shtirja, solipsizmi, vetëmashtrimi, konformiteti në kope, mungesa e perspektivës, harresa e ortodoksive të kaluara, krenaria kundërproduktive dhe mungesa e estetikës. Ritualet kryhen gjatë meshës së zezë, parodi blasfemuese e meshës katolike, me trupin e një gruaje të zhveshur të përdorur si altar, gjakun menstrual si verë, si dhe përdhosjen. Satanai simbolizon dashurine për gjithcka që është tokësore. Djalli i vërtetë është perëndia, me Kishën dhe fenë që duan të verbojnë njerëzimin, me iluzione të rreme rreth Parajsës, Ferrit, mkateve dhe mallkimit të përjetshëm. Joshja e rrezikshme prej mesazhit qëndron në faktin që Kisha e Satanait, edhe pas vdekjes së themeluesit në 1997, vazhdon të rekrutojë të rinjtë.
(Marrë nga bota.al)