Një vit më parë Tan Minarolli na la pabesisht e para kohe. Ishte në moshën 57-vjeçare regjisori dhe njëkohësisht ish-drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Artan Minarrolli.
I qetë, i qeshur e i komunikueshëm për shumëkënd Tani ishte njeriu i afërt numrin e të cilit ende nuk e fshijmë dot.
31 dhjetori i vitit të shkuar u shenjua dhembshëm nga ikja e tij ndërsa i biri lajmëronte kë mundej se festa la një boshllëk të madh pa të.
Miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij ngushëlluan familjen dhe të afërmit për ndarjen e parakohëshme nga jeta të artistit. Ai vuante prej disa kohësh nga zemra.
Minarolli pat lindur më 13 maj 1958, dhe në 1977 përfundoi gjimnazin “Sami Frashëri”. Më 1982 ka përfunduar studimet për dramë në Akademinë e Arteve dhe në 1986 nisi punën si asistent regjisor në Kinostudio.
Filmi i tij i parë si as.regjisor ka qënë “Fjalë pa fund”. Në vitin 1993 kreu një specializim për regjisor pranë shkollës Evropiane të Filmit në Danimarkë. Filmin e parë e realizoi në vitin 1991, dokumentari “Për një centimetër” me të cilin fitoi çmimin e parë në Festivalin e Torinos.
Filmi i parë artistik me regji të tij xhirohej në vitin 1994, metrazhi i shkurtër “Qind për qind” në bashkëpunim me Petrit Rukën me të cilin realizoi edhe filmin “Plumbi prej plasteline” në 1996. Në 2004, Minarolli xhiron “Natë pa hënë”, dhe në 2009 filmat “Alive!” (Gjallë) dhe “Kronikë Proviniciale”.