«Koha e pelikulës» së Mevlan Shanaj dhe Natasha Lakos ishte një film i kujtesës dhe i artit të përkushtuar, i gjurmës së individit që lë në historinë e madhe, një film i bërë me shpirt dhe art, një film që e ke të vështirë të shkëputesh një çast, pasi gjithçka të rrëmben. Nuk ka tekst të rëndomtë, janë të tjerët që flasin, është zëri i saj, kujtimet, është vibrimi i shpirtit dhe i dashurisë për filmin, i përvojës, ethes së krijimit që shpesh të lë pa gjumë. Një film që më preku dhe jo më kot, pasi Xhanon e kishim gjithnjë pranë në sallat dhe korridoret e Kinostudios.
Më kujtohet kur nga viti 2004 apo 2005 kisha mbërritur në Tiranë dhe u takova me të në kafenenë e vogël në një oborr simpatik pranë ish pallatit ku jetonte më parë. Atëherë po shkruante kujtimet e saj dhe jetën në film, çka e pasiononte shumë. Kujtuam ndër të tjera udhëtimin tonë në Paris, dëborën e shkurtit, muzeun e Luvrit, kohën kur ajo ishte e sëmurë dhe duhej të diagnostikohej nga mjekë të njohur francezë. Ishte kënaqësi të udhëtoje me të, pasi ajo ishte gjithnjë me humor, edhe pse e sëmurë. Ishte veprimtaria e një « Jave të Filmit Shqiptar» ku mes filmave do të shfaqej dhe filmi «Beni ecën vetë». Më kujtohet kur zbritëm nga aeroporti bashkë dhe me Kiço Blushin dhe dy vajza të Ministrisë së Kulturës që dolën të na prisnin, që të dyja me të njëjtin emër Marie (ç’koinçidencë), ato na thanë menjëherë se pas vendosjes në hotel kishin rezervuar për të ndjekur sëbashku shfaqjen e famshme në « Moulin Rouge », por atasheu i Kulturës së ambasadës menjëherë na urdhëroi të thonim se nuk duhej të shkonim në shfaqje të tilla dhe se duhej të thonim se ishim të lodhur. E sigurisht ashtu bëmë pasi si mund të dilnim kundër ambasadës. Ato ditë, ministria franceze e Kulturës na kishte dhënë bileta për të parë filmat e ditës në ekranet e kinemave të ndryshme dhe më kujtohet që në mbrëmje ne po shëtisnim në Champs Elysées. Në një nga reklamat e njërës prej kinemave shkruhej «Emmanuelle – Gjer në fund të dëshirës». Mendova menjëherë se duhej të kishte diçka erotike dhe se ishte rasti të shikonim më së fundi diçka të tillë. Dhe unë i drejtova drejt asaj salle kinemaje ku filmi tashmë kishte filluar dhe dikush me një llampë na uli diku nga mesi. Salla ishte plot. Dhe ja, menjëherë në ekran ne pamë një femër të bukur nudo. Xhano dhe Kiço nuk e dinin se ç’film ishte dhe salla shikonte në qetësi edhe pse në sekuencën në vazhdim, në plan të afërt, ishte vetë seksi i femrës që tymoste një cigare. Padyshim ishte diçka e papritur për ne që vinim nga Shqipëria dhe unë hodha sytë nga Xhano dhe Kiço, por që të dy ata, shikonin të heshtur pa shprehur asnjë lloj shqetësimi. Për mua, si më i ri, ishte e habitshme qëndrimi i qetë i Xhanos dhe ne e pamë filmin deri në fund. Kur dolëm, Xhano filloi të diskutonte për ngjyrën e pelikulës së filmit, për lojën e aktorëve, dekoret apo për dramën e dobët që e bënte filmin thjesht komercial, pasi ai film, që quhej « Emanuela» kishte katër vjet që shfaqej në të njëjtën sallë kinemaje të Champs Elysées dhe ishte parë nga miliona spektatorë… Dikush tjetër padyshim do të fliste gjithë mllef e revoltë kundër artit borgjezo-revizionist !
Atë ditë që po pija kafen e fundit me Xhanon nuk e dija se diçka tjetër e mundonte shpirtin e saj. Këtë gjë e mora vesh më vonë, nga Ilir Keko, miku im, kur më dhuroi librin me kujtime të Xhanos «Ditë nga jeta ime». Dhe habia ime ishte e madhe. Endrra e saj një natë zgjëndre, ajo që kishte parë pas vdekjes së të dashurve të saj, Endrit dhe Teodorit, ishte diçka e rrallë që i ndodh njeriut : kishte parë në ëndërr vetveten duke shkuar në varret e të dashurve të saj. Cuditërisht, midis emrave të njohur, shumë prej tyre artistë, ajo kishte parë dhe një varr të bukur që nuk e kishte pikasur gjatë vizitave të fundit të saj. Kur i ishte afruar, kishte dalluar emrin e saj si dhe fotografinë e vetvetes. Sigurisht ishte stepur, por pastaj ishte gëzuar, shpirti i ishte lehtësuar, kur kishte vënë re se ai varr ishte pranë dy të dashurve të saj. Dhe që atë ditë ajo mendoi të zinte një vend për vetveten afër tyre… Thjesht të shkonte të flinte në një gjjumë të gjatë, që askush mos ta shqetësonte më dhe le ta linin me të dashurit e saj… e dinte se fëmijët e filmave të saj do ta kërkonin, por kamera nuk xhironte më… gjithçka tashmë ishte ngjizur atje, në film, ngjarje, histori, fytyra, njerëz, një botë e shkuar që padyshim do t’i fliste dhe tê ardhmes. Me miqtë e saj ajo arriti ta bënte këtë duke ngritur një varr me mbiemrin Keko, fare pranë tyre. Tashmë ishte e qetë. «Eshtë e çuditshme marrëdhënia e njeriut me vdekjen në moshën time, – shkruante Xhano në librin e saj; – ajo nuk është e frikshme dhe e largët… vjen një ditë që njeriu të bashkëjetojë me vdekjen miqësisht dhe paqësisht… Ndodhi si në një film ! »
Po, ndodhi, jeta e Xhanos në film, në filmin e jetës së saj siç e pamë në këtë film të mrekullueshëm, një jetë e mbushur me aq shumë dashuri e kujtime, kujtime aktorësh, fëmijësh që kanë interpretuar dikur, miqsh kineastë që e kanë shoqëruar dhe bashkëpunuar me të në sheshin e xhirimit apo kritikë të huaj të kinematografisë që e krahasonin atë me një François Truffaut të «Nouvelle vague» franceze. Sa shumë ngjizje dashurie… imazhe që një regjisor plot talent di të të çojë në botra të tjera, aty ku pulson shpirti, ku dhëmb, ku shpërthen në harenë e vet, atje ku artisti krijon artin e madh. Ishte pra jeta e saj e pagjumë në film, dashuritë, shqetësimi për krijimin e figurave artistike në mënyrë që filmi të ishte sa më pranë jetës e ku thjeshtësia e jetës mbart në vetvete një lloj magjie. Eshtë celuloidi që na grish të harrojmë një çast botën ku jetojmë dhe të ndjekim jetën e dikujt që nuk është më…janë ato zëra fêmijësh, si cicërima pranvere qê janë regjistruar njëherë e përgjithmonë. Xhanfise Keko na përshëndet tashmë pas ekranit të errët e ne nuk e shohim dot, por e dimë, ajo është atje, atje ku “Arriflex”-i ka xhiruar 24 kuadro në sekondë…
L.Rama