Nertila Këlliçi Goga
NDIHMESA E GJUHËTARIT POLAK JAN HANUSZ NË HISTORINË E ALBANOLOGJISË
Një shkrim është bërë nga gjuhëtari polak Jan Hanusz “L’albanais en Apulie” (“Shqipja në Pulja”) të botuar në frëngjisht në revistën “Mémoiresde la Société de Linguistique de Paris”, VI, 1888, f. 263-267. Në këtë shkrim përfshihen të dhëna të rëndësishme gjuhësore të fonetikës dhe të leksikut të të folmes arbëreshe të San-Marzano-s në Pulje të Italisë, në gjysmën e dytë të shek. XIX. Sipas autorit, ky ishte i vetmi ngulim arbëresh, ku të gjithë flisnin ende shqip, ndërsa në fshatrat e tjera fqinje me prejardhje nga Shqipëria, gjuha shqipe ishte bjerrë. Pas hulumtimeve dialektore në terren në shumicën e ngulimeve arbëreshe të Italisë jugore, në materialin prej pak faqesh, Hanusz-i synoi të plotësonte e të korrigjonte disa pasaktësi gjuhësore, kryesisht në fonetikë, që ai vërente në studimin e gjuhëtarit francez Louis-Lucien Bonaparte, “Albanian in Terra d’Otranto”, (“Shqipja në Tokën e Otrantos”), 1885.
Punimi do të ketë për qëllim evidentimin dhe analizimin e veçorive fonetike e leksikore të të folmes të arbëreshëve të San-Marzano-s, në shek. XIX, në vështrimin krahasimor me studimin e gjuhëtarit Bonaparte. Ai do të realizohet nëpërmjet hulumtimit teorik, që do të bazohet në literaturën shkencore të studiuesve të huaj e vendas për të folmet e arbëreshëve dhe historinë e gjuhës shqipe.
Shkrimi përfaqëson një përpjekje të rëndësishme të autorit për të nxjerrë në pah vlerat dhe veçantitë gjuhësore të shqipes tek të folmet e arbëreshëve; është dokument mjaft i vlefshëm për studime të mëtejshme në këtë fushë, i këtij studiuesi të ri të apasionuar pas gjuhës shqipe që nuk mundi të vijonte më tej kërkimet e tij shkencore, pasi u nda nga jeta në moshën 29-vjeçare.