Nga Gresa Hasa
Këta që tentojnë t’i hidhen në fyt Blerta Kambos, fotografes zyrtare të Kryeministrisë (me në krye Berishën), nuk më duken fort ndryshe nga ata që sulmojnë fëmijët e atyre që janë në pushtet (kryesisht të rinj pa lidhje direkte me politikën dhe pa asnjë lloj përfshirje në të përpos postit që prindërit u mbartin). Ky rast, si shumë të ngjashëm, është një tjetër brenda qasjes banale për të përgojuar dhe degraduar tjetrin; pa kurrfarë kritike në vetvete, veçse mllef dhe frustrim. Sali Berisha është një (mender) politikan që mbijeton dhe flet kësisoji në sajë të një sistemi disfunksional dhe anti-ligjor që vetë, qysh herët, ka ndërtuar. E djathta si forcë politike kryesore në vend dhe opozita për rolin që i është dashur (duhet të luajë) gjatë këtij katër vjeçari, nuk ka qenë/është asgjëkundi qoftë në lidhje me realitetin/kontekstin qeverisës/politik, po ashtu edhe në lidhje me popullin (jo se ka qenë ndonjëherë, vlen të thuhet). Kryeministri Rama dhe kabineti i tij gjatë këtij mandati kanë rezervuar një sërë problematikash dhe ngërçesh të cilat janë dashur të artikulohen denjësisht nga opozita, një opozitë që rezultoi me qenë krejt inekzistente dhe e paaftë; një opozitë rolin e së cilës shumë herë është detyruar ta luajë populli i thjeshtë, pa identifikim partiak. Nën të tilla kushte, është më korrekte, më dinjitoze dhe e domosdoshme për opozitarët ta drejtojnë gishtin së pari drejt vetes dhe nëse e shohin të arsyeshme të kundërshtojnë, ta artikulojnë kundërshtinë me maturi dhe inteligjencë në formën e kritikës, drejtuar atyre që sot janë ende të ulur në karrigen e pushtetit.
Sa për Blertën, personalisht jam e mendimit që kjo e fundit është një fotografe e re, mjaft e talentuar dhe me perspektiva artistike përtej punës ku aktualisht është. DUHET me patjetër të ndryshojë qasja mbi bazën e së cilës shtrohet diskutimi/debati. Boll me përgojimin e fotografëve/eve kameramanëve, sekretarëve/eve, trupave civil brenda institucioneve shtetërore; grave, burrave, fëmijëve, etj., të zotërinjve/zonjave në pushtet. E nëse ka vend midis tyre për KRITIKË, atëherë KRITIKË le të bëhet. Përbaltja apo thashethemi NUK JANË as kritikë, as tentativë për kritikë – ato janë mungesë argumenti, për pasojë dështim, dashakeqësi dhe budallallëk.