Pas Rita Orës, një tjetër shqiptare nga Kosova, e cila është cilësuar si zëri më i ri premtues në industrinë muzikore të momentit, 21 vjeçarja Dua Lipa, dha një koncert në Tiranë. Edhe pse pa videoklipe të ekzagjeruara të shfaqjes së hireve femërore, Dua me modesti dhe hijeshi po krijon karrierën e saj jashtë Shqipërisë.
Ajo tashmë është cilësuar si ylli britanik në rritje, ndërsa disa nga këngët e saj janë bërë hit, si “Be the one” “Hotter than hell” etj. Muzika e saj, ka prekur edhe publikun shqiptar edhe pse duhet të themi se ajo nuk është ende aq e preferuar apo e njohur në Tiranën tonë zhurmuese. (Në rrjetet sociale pati dhe shumë nga njerëzit që rrinë në korrent me çdo gjë që ndodh kudo, që bënin pyetjen kush është Dua Lipa). Ende shumë e re, por me një talent të jashtëzakonshëm, 21 vjeçarja nga Kosova shumë shpejt do të nxjerrë albumin e saj të parë në tregun ndërkombëtar. Pritshmëritë janë të mëdha për Dua Lipan, jo vetëm për zërin potent, por dhe për stilin e veçantë të muzikës që ajo bën. Dëshira për ta parë atë live në Tiranë, mblodhi në Sheshin “Nënë Tereza” mijëra të rinj e adhurues të muzikës, por në atë koncert për disa arsye duhet të ishin të pranishëm gjithë videoklipbërësit shqiptarë që mendojnë se shesin muzikë.
Duhet të ishin atje gjithë femrat tona këngëtare, për të parë thjeshtësinë dhe bukurinë me të cilën Dua Lipa i fliste shqip publikut. Një shqipe e pastër, të cilën kishe dëshirë ta dëgjoje. Duhet të ishin aty gjithë “pjeshkat” e shndërruara në të tilla, falë ndërhyrjeve plastike, për të parë se çdo të thotë të jesh këngëtare. Duhet të ishin patjetër në shesh, pasi ndoshta do të merrnin një shtysë, për të gjetur ndonjë punë tjetër, pasi muzika këndohet me zë, nuk këndohet me çjerrje dhe pasthirrma të shëmtuara, të cilat kanë bërë që të na neveritet muzika shqip. Duhet të ishin në atë koncert, të gjithë ata që mendojnë se suksesi dhe fama arrihet vetëm duke u shitur me skandale në media, me selfie apo belfie.
Duhet të ishin aty edhe meshkujt që bëjnë muzikë sot në trojet tona, për të mbajtur një minutë heshtje për atë ç’ka kanë promovuar gjithë këto kohë. Por sidomos, aty duhet të ishin ata që bëjnë muzikë për pjeshkat plastike dhe e quajnë veten krijues. / Shënim nga Pasqyre.al
Une them se ti qe ke shkruar ket artikull, duhet te studiosh pak historine e muzikes dhe te kuptosh, NESE ARRIN DOT TA BESH, se as kjo DuaLipja as te tjeret nuk bejne muzike por nje si show.kush pak me me shije dhe kush pa shije aspak. Por mbete se mbetet JO MUZIKE.